Autorë: Ergi Kebej, Ruben Qoka, Bekim Rina, Emiljano Dobi, Mariglen Dobi

Muhurri, një fshat i vogël në Dibër ofron një jetë të qetë dhe të thjeshtë për banorët e tij, por për të rinjtë kjo qetësi shpesh shndërrohet në mungesë mundësish. Sipas të rinjve, jetesa këtu është e vështirë për shkak të mungesës së aktiviteteve dhe infrastrukturës, që do të mundësonte zhvillimin profesional dhe krijimin e mundësive për brezin e ri.

Mungesa e aktiviteteve për të rinjtë

Në Muhurr, dita për të rinjtë kalon mes rutinës së përditshme, shkollë-shtëpi. Fshati ka vetëm një kalçeto, e cila mbetet shpesh e pashfrytëzuar për shkak të mungesës së të rinjve. Në zonë nuk ka një bibliotekë për të rinjtë dhe as aktivitete kulturore ku ata mund të angazhohen.

“Dita ime në Muhurr është një ditë pa aktivitete, vetëm shkollë-shtëpi. Fshati për ne nuk afron mundësi për të kaluar kohën e lirë. Në fshat nuk kemi asnjë mundësi për të zhvilluar ndonjë aktivitet sportiv, sepse nuk ka moshë të re. Në zonën tonë kemi vetëm një kalçeto, por nuk ka të rinj që ta shfrytëzojnë, ndërsa bibliotekë nuk ka këtu”, tregon Ergi, gjimnazist.

Në gjimnazin “Dine Hoxha” të Muhurrit mësojnë vetëm 35 nxënës, një shifër që tregon qartë numrin e ulët të të rinjve që kanë mbetur në zonë. Mungesa e kushteve për të zhvilluar aktivitete sportive, kulturore apo sociale është një prej shqetësimeve të të rinjve.

“Në zonën tonë ka mbetur një numër shumë i vogël i moshës së re, sepse nuk kanë kushtet e mira për të siguruar të ardhmen e tyre”, thotë Bekimi, një tjetër gjimnazist.

“Emigrimi, shpresa për një jetë më të mirë”

Një pjesë e madhe e të rinjve në Muhurr e shohin të ardhmen e tyre larg fshatit. Për ta, emigrimi është një zgjidhje për të siguruar një jetë më të mirë dhe më shumë mundësi. Në fakt, shumë të rinj tashmë janë larguar nga fshati, duke lënë pas vetëm të moshuar aty.

“Unë të ardhmen time pas gjimnazit e shoh jashtë vendlindjes. Kam menduar të largohem në një vend që më mundëson një të ardhme më të mirë”, shprehet Ergi.

Kjo është një dëshirë e përbashkët për shumicën e të rinjve që e ndiejnë mungesën e mundësive për zhvillim dhe mirëqenie në vendin e tyre.

“Unë të ardhmen time e shoh jashtë shtetit për të siguruar një jetë dhe një të ardhme më të mirë sepse këtu ku jemi nuk mundet që sigurojmë jetën tonë.

Në zonën tonë ka mbetur një numër shumë i vogël i moshës së re, sepse nuk kanë kushtet e mira për të siguruar të ardhmen e tyre”, thotë Bekimi.

Largimi masiv i të rinjve

Sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 2011 deri në vitin 2022 kanë emigruar nga vendi mbi 512 mijë persona, ku rreth 70 për qind e tyre ishin të rinj.

Ndërsa, referuar të dhënave të Censusit 2024, numri i popullsisë në Shqipëri ka rënë më 418,864 banorë, apo 14,8%, krahasuar me 2011. Këto të dhëna sugjerojnë se vendi është pakësuar çdo vit mesatarisht me rreth 35 mijë banorë në 12 vitet e fundit.

*Artikulli është realizuar nga nxënës të gjimnazit “Dine Hoxha” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri. 

Mentore: Ilda Hoxha