Këtë të hënë, 2 tetor nis viti i ri akademik. 120 mijë të rinj (ri)nisin jetën studentore e cila ka jo pak sfida. Një prej tyre është përballimi i shpenzimeve, duke nisur nga ushqimi, akomodimi dhe kërkesa të tjera bazë për një student. Faktoje bisedoi me Afize Nelajn nga Vlora, studente e Departamentit të Gazetarisë, e cila rrëfen se sa është kostoja e jetesës në një muaj, ndërsa i vetmi shpenzim që i heq karta e studentit është aboneja për transportin urban.
Ilda Hoxha
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 15 shtator, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi rëndësinë e kartës së studentit duke deklaruar:
“Rinovojmë vendimin e kaluar për abonenë e studentit, që studentët ta kenë udhëtimin falas, mjafton që të kenë kartën e studentit, një tjetër premtim i mbajtur i kësaj administrate.”
Por, sa i ndihmon studentët kjo kartë? Çfarë shpenzimesh u heq studentëve përdorimi i saj?
Përgjigjet i morëm nga Afize Nelaj, nga Vlora studente e vitit të tretë në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Univestitetin publik të Tiranës.
“I vetmi përfitim nga karta e studentit është marrja e abonesë falas, gjë e cila është mundësuar vitin e kaluar.
Për pjesën tjetër, nga lista e shërbimeve të tyre, janë ato që ofrohen nga subjekte private, si spitalet, SPA, apo qendrat e turizmit.
Nuk ofrohet ulje në menca, por në ndonjë bar kafe. Mirëpo, janë ulje të papërfillshme do thosha, variojnë nga 5%-20%”- rrëfën ajo për Faktoje.
Sipas saj, kostoja për blerjen e librave është e lartë dhe karta e studentit nuk ofron ulje.
“Librat që ne na duhen për shkollë mund t’i gjejmë te libraria në Bllok, por atje nuk përfitojmë ulje. Minimalisht një libër fillon nga 1500 deri në 2500 lekë.
Unë që kam programin e gazetarisë, në një semestër bëj 12 lëndë dhe për një lëndë mund të detyrohem që të marr edhe 3-4 libra.
Nuk kam ulje dhe detyrohem ose t’i marr nga studentë të viteve të kaluara, ose t’i printojmë kur kemi të drejtën për ta bërë këtë”-tregon Afizja
Ajo thotë se kanë propozuar një zgjidhje për të reduktuar sadopak kostot
“Një zgjidhje alternative që ua kemi bërë si kërkesë edhe pedagogëve është që një libër ta blejmë 3 studentë. Kjo është shumë e vështirë, sepse ti duhet të koordinosh edhe kohën për të studiuar, sepse më pas do e marrë librin studenti tjetër”.
Shpenzimet për libra janë vetëm një pjesë e kostos së një sutdenti në Tiranë. Edhe më sfiduese është të përballosh qiranë, në rastin kur studentët nuk qëndrojnë në konvikt.
“Unë jetoj me motrën në zonën e Kombinatit dhe paguajmë 30 mijë lekë në muaj për qiranë. Është e vështirë për një student, sepse duhet të llogarisësh edhe ujin, dritat, ushqimet, transportin, librat”
Nga një përllogaritje e shpenzimeve së bashku me Afizen, fatura për muajin tetor do të shkojë 70 mijë lekë të reja. Ku 30 mijë lekë shkon për qiranë, 20 mijë për ushqimet, mbi 10 mijë lekë për librat, rreth 10 mijë lekë për telefon, internet, drita dhe ujë.