.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëTabaku: Gjykata Europiane e Strasburgut, 14 milionë euro dëmshpërblim për pronarët e ligjshëm

Tabaku: Gjykata Europiane e Strasburgut, 14 milionë euro dëmshpërblim për pronarët e ligjshëm

ANDI BORA & ALESJA MANSAKU

“Gjykata Europiane e Strasburgut vetëm vitin e kaluar 14 milionë euro dëme për shtetin, i jep të drejtë pronarëve të ligjshëm”.

Nëpërmjet këtij postimi në Facebook, ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehu shqetësimin për dëmin që i është shkaktuar buxhetit të Shqipërisë nga vendimet që Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka dhënë vitin e kaluar për kompensimin e pronarëve të ligjshëm (pasi kanë humbur gjyqet në Shqipëri).

“Faktoje” vendosi të verifikojë shifrat e pretenduara në deklaratën e Tabakut.

Sipas raportit vjetor të vitit të kaluar, publikuar në prill të 2019-ës nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, Shqipëria renditet në vendin e parë në Europë por edhe më gjerë, për shumën e parave me të cilat shteti shqiptar do të kryejë dëmshpërblimet.  

Rreth 13.5 milionë euro do të shkëputen nga buxheti i shtetit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Europiane.

 

Por nga kontrolli që “Faktoje” bëri në faqen online të kësaj gjykate, rezulton që për vitin 2018, 13.2 milionë euro janë dëmshpërblim vetëm për pallatin e shembur në Vlorë në vitin 2013, pallat që ishte në pronësi të Xh.Sh. 

Vendimi final për këtë çështje është dhënë në 28 maj të vitit 2018.

Pjesa tjetër e parave, lidhet me vendime të tjera gjyqësore si çështje të punës, dëme morale etj.

Xh.Sh dhe të tjerë persona të lidhur me pallatin, si aksionerë apo blerës të hyrjeve dhe dyqaneve, ngritën pretendimin në Gjykatën Europiane për dëmshpërblim në masën e 16.8 milionë eurove, por gjykata pranoi vetëm për shumën 13.2 milionë.

Në vazhdimësi të verifikimit të deklaratës së Tabakut, ne komunikuam gjithashtu edhe me ish- Përfaqësuesin e Përhershëm të Agjentit Qeveritar pranë Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Roden Hoxha.

Ai u shpreh se Tabaku ka pasaktësi në deklaratën e saj.

“Deklarata e Tabakut lidhet me çështjen e pronarëve por nuk lidhet me kontekstin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave të shtetëzuara nga regjimi komunist. Ajo duhet të bëjë një sqarim për sa i përket shifrave të cituara dhe se për çfarë arsye janë përcaktuar këto shifra si dëm monetar nga Gjykata Evropiane. Ka më shumë se 2 vjet që kjo gjykatë nuk ka dalë me vendime për çështje të pronave në kontekstin e sipërpërmendur. Kjo shumë është dhënë thjesht për shpërblimin e drejtë në rastin e një procedure të dështuar vendase, për shpërblimin e pronarëve me çmim tregu për pronën e shtetëzuar për interes publik. Është një çështje e një karakteri tërësisht ndryshe nga sa është portretizuar nga Znj. Tabaku.”, u shpreh Hoxha.

Duke marrë në shqyrtim të dhënat e publikuara nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, por edhe argumentin ligjor të Roden Hoxhës, ish-Përfaqësuesit të Përhershëm të Agjentit Qeveritar pranë kësaj gjykate, rezulton se Jorida Tabaku ka pjesërisht të drejtë në deklaratën e saj, prandaj do ta kategorizojmë si Gjysmë të Vërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img