.

.

BallinaPertejStudenti i gazetarisë që sheh përtej sfidave 

Studenti i gazetarisë që sheh përtej sfidave 

Mikeli është 21 vjeç. Ai është student i gazetarisë në vitin e dytë. Pas një temperature të lartë në moshë të vogël, Mikeli ka vështirësi në shikim dhe në artikulim. Kjo nuk e ka penguar të ndjekë ëndrrën e tij, gazetarinë, profesion që i jep liri dhe forcë, pavarësisht pengesave apo edhe paragjykimeve, që shpesh janë pengesat më të mëdha. Ekspertët sot kanë një thirrje për shoqërinë: Pranimi s’është mëshirë, por respektim i të drejtave të njeriut!

Kejsi Leka

Mikel Shahini është një djalë 21-vjeçar me prejardhje nga Burreli, por është lindur e rritur në Tiranë. Sot, ai ndjek vitin e dytë të studimeve për Gazetari dhe Komunikim, degë të cilën e ka  zgjedhur me një qëllim të qartë që i vogël.  Duke u rritur, e kuptoi se destinacioni bëhej gjthnjë më i vështirë për t’u arritur .

“Gazetaria ka qenë ëndrra ime që prej fillimit. Por, kjo dëshirë e imja, u kthye në objekt talljeje mes shumë bashkëmoshatarëve në shkollë, të cilët më kujtonin se mungesa e disa aftësive fizike nuk më bënin të përshtatshëm për këtë profesion.”

Në moshën 3-muajshe, për shkak të një temperature të lartë, Mikelit iu dobësua shikimi dhe të folurit. 

Prej atij momenti, kjo pamundësi e tij i është kthyer në një pengesë jo vetëm në arritjen e synimeve të tij, por edhe në marrëdhënien me të tjerët. 

“Hera e parë kur jam hasur me gjuhën e urrejtjes dhe bullizmin nga bashkëmoshatarët e mi ka qenë në moshën 4-vjeçare. Ofendimet fillonin në shkollë dhe vazhdonin jashtë saj.” 

Deri në klasën e nëntë Mikeli ndoqi një shkollë për personat që nuk shikojnë. Më pas, vazhdoi arsimin e mesëm tek gjimnazi “Partizani”. 

“E gjithë fëmijëria dhe adoleshenca ime deri më tani ka kaluar mes ofendimeve dhe paragjykimeve për pamjen time. Në fillim ishte e vështirë, por, me kalimin e kohës, u mësova. Duke u rritur, kuptova që mënyra më e mirë për të shmangur gjithë urrejtjen ishte përmes distancimit.” 

Shikimi i dobët, vështirësia në të folur u kthyen jo pak herë në një problem për të. Aq shumë sa, edhe prej të tjerëve, identifikohej përmes këtyre. 

“‘Ky qorri, erdhi prapë ky’…Një fjali që e kam dëgjuar dhe me ka lënduar shumë“- thotë Mikeli. 

Me kalimin e viteve, situata mbeti po e njëjtë. Pranë tij qëndronin shumë pak njerëz. Ofendimet vazhdonin, ndërkohë që, masa e vetme që merrej nga ata që ishin pjesë e institucionit ku Mikeli arsimohej, ishte një paralajmërim formal, i cili nuk ndryshonte aspak situatën. 

Sfida me paragjykimet vijoi edhe në fakultet.

“Ditët e para të universitetit, mamaja ime më shoqëronte në shkollë. Kjo zgjati pak kohë, derisa arrita të ambientohesha me rrugën, oraret, lëndët. Sa i përket paragjykimeve, e njëjta situatë vazhdoi edhe këtu. Dëgjoj fjalë që thuhen ndaj meje, shoh sjellje, vështrime, të cilat disa përpiqen t’i fshehin, por unë arrij t’i kuptoj, pasi nuk janë të huaja për mua.”

Thuajse një vit larg diplomimit, Mikeli po shqetësohet nëse do të gjejë punë në profesionin e tij. 

“Në ato pak media ku kam aplikuar, kërkesa më është refezuar me pretekstin se nuk punësojnë dot një student, aq më tepër me aftësi të kufizuara.”- thotë ai. 

Edhe pse në Shqipëri ekziston një ligj që i detyron bizneset të punësojnë persona me aftësi të kufizuara, ai nuk zbatohet. Sipas ligjit për nxitjen e punësimit, në çdo 25 të punësuar një duhet të jetë me aftësi të kufizuara.

C:\Users\CRS\Downloads\WhatsApp Image 2024-02-06 at 16.59.42.jpeg

Screenshot i Ligjit

Sociologu Gëzim Tushe për Faktoje, shpjegon se ku çalon situata me integrimin e këtij komuniteti në shoqëri dhe çfarë duhet të ndryshojë për t’i hapur rrugën këtij procesi.  

“Unë gjykoj se procesi i integrimit në jetën shoqërore të këtyre personave kërkon një revolucion konceptual për aftësinë e kufizuar. Pra, së pari, shoqëria jonë ka nevojë të reformojë mënyrën si e koncepton dhe si e mendon aftësinë e kufizuar. Personat me aftësi të kufizuara nuk janë persona të paaftë dhe kjo duhet rrënjosur thellë në mentalitetin e punëdhënësve, politikanëve, familjarëve edhe mësuesve në shkolla. Ata janë njerëz që kanë kufizime në aftësi të caktuara, qofshin këto fizike, mentale, emocionale. Por, ata kanë aftësi të tjera, që duhen zbuluar dhe kjo përbën thelbin e revolucionit konceptual.”- thotë ai. 

Sipas sociologut shoqëria mban një qëndrim sipërfaqësor dhe harron se ajo që duket jo gjithmonë është thelbësore, sepse prapa një njeriu që, në dukje, shfaq disa aftësi të kufizuara, mund të jetë edhe një gjeni. 

“Unë mendoj që shoqëria shqiptare sot duhet të bëhet më tolerante, më mirëkuptuese ndaj kësaj kategorie sociale. Kjo nuk bëhet për mëshirë, por është respektim i të drejtave themelore të njeriut.” -shprehet sociologu.

“Mjedisi armiqësor me gjuhë urrejtjeje i bën ata të ndihen të izoluar, të lënë mënjanë dhe të pakuptuar. Kjo situatë shpesh ndikon në vetëvlerësimin dhe mundësitë e tyre për t’u përfshirë në shoqëri. Madje ndodh e kundërta: zgjedhin të izolohen, sepse nuk e luftojnë dot atë det informimi të cunguar.”- thekson për Faktoje, ekspertja e komunikimit, Edlira Gjoni. 

Lidhur me qasjen që të rinjtë duhet të kenë sot ndaj këtyre problematikave, Gjoni konsideron thelbësor krijimin e një mjedisi miqësor dhe gjithëpërfshirës, i cili arrihet fillimisht përmes ndërgjegjësimit ndaj çështjeve sociale e, më pas, duke mësuar se si respektohet diversiteti. 

“Në planin personal, të rinjtë është mirë të investojnë në zhvillimin e aftësive sociale e karakteriale, të kujdesen për shëndetin mendor dhe fizik dhe të kenë ambicie të përhershme për të zhvilluar aftësi të reja. Duke u angazhuar në aktivizëm dhe projekte sociale, si edhe duke pasur një orientim të vazhdueshëm për edukim, të rinjtë kanë mundësinë të kontribuojnë në ndryshime pozitive në shoqëri, edhe për çështje të vështira si kjo.”- shtoi ajo.

Në një auditor të madh, mes shumë studentëve, Mikeli ka arritur të krijojë grupin e tij të vogël shoqëror. Thuajse çdo ditë shoqërohet nga Eri dhe Gjino, dy vajza me të cilat kalon një pjesë të mirë të kohës në leksione. 

Gjino e ka njohur Mikelin që javën e parë të shkollës dhe është përpjekur t’i gjendet pranë. “ Ditën e parë që e takova ishte i shoqëruar nga mamaja e cila, në atë kohë, e ndihmonte të shkonte në orar në auditor. Që prej asaj dite kemi kaluar një pjesë të mirë të kohës bashkë. Ulemi në të njëjtën bankë, shumicën e herëve gjatë orëve të pushimit qëndrojmë bashkë të tre me Erin.” 

Të tre shokët duket se plotësojnë njëri-tjetrin. Në shumicën e rasteve, shënimet e Gjinos i ka Mikeli, por, kur vjen puna për të krijuar një emision radioje, Mikeli është ai që jep kontributin kryesor, pasi ka njohuri të shkëlqyera të programeve të ndryshme. 

Për Erin, shoqëria me Mikelin e ka bërë kuptojë se çfarë peshe kanë paragjykimet apo gjuha e urrejtjes, ndaj ajo ka vendosur të mbajë një qëndrim të prerë ndaj tyre. 

“Unë e njoh Mikelin dhe i di aftësitë e tij, ja përse nuk duroj dot mënyrën si trajtohet. Ata që e gjykojnë, nuk dinë asgjë për të, sepse nuk kanë marrë mundimin ta njohin.”

Tashmë ata i dinë historitë e njëri-tjetrit, sepse dy vite së bashku kanë ndarë shumë kohë mes tyre, gjë që e ka bërë më të qëndrueshëm dhe të sigurtë në vetvete Mikelin ndaj çdo shikimi paragjykues, fjalë të thënë pas shpine, apo mundësie të munguar. 

Mes ligjeve të shkruara, por të pazbatuara, mendësisë ende të prapambetur të shoqërisë ku jeton, Mikeli ndien se ka ende nevojë të fuqizohet, por nuk rresht përpjekjet për të vendosur një standard sfidues, integrimin në shoqëri, duke dhënë më të mirën nga vetja. 

*Ky shkrim është shkruar nga Kejsi Leka, studente e gazetarisë si pjesë e projektit “Thuaj po dashurisë, jo gjuhës së urrjetjes”, që mbështetet financiarisht nga iniciativa rajonale e Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, e cila financohet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP. 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img