Esmeralda Topi
Tre ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, një deklaratë e një zëdhënësi të Departamentit Amerikan të Shtetit, e përcjellë nga gazetari amerikan Marc Caputo, bëri jehonë të madhe në Shqipëri.
Në një postim në platformën “X”, Caputo citonte DASH-in, duke shkruar se “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA”
Postimi përfshinte edhe një koment të Departamentit të Shtetit mbi përjashtimet e mundshme për individë të caktuar.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare”
Më tej në reagim theksohej se SHBA nuk do të lejonte që vendimet e politizuara të epokës së Biden-it të pengonin interesat e saj në politikën e jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë
Përgjigja, ndonëse fliste për mundësi përjashtimesh dhe jo për heqje të shpalljes “Non Grata”, u interpretua gjerësisht në Tiranë si heqje e sanksionit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Postimi i gazetarit amerikan u përhap me shpejtësi në Shqipëri. Vetë Berisha u tregua i kujdesshëm ndërsa politikanë të ndryshëm pranë Partisë Demokratike e interpretuan reagimin e DASH si heqje të sanksionit ‘Non Grata’ për Berishën.
Tituj si “SHBA i heq Non Grata-n Berishës” apo “DASH rrëzon sanksionin ndaj Berishës” u shpërndanë me shpejtësi në portale dhe rrjete sociale, duke ndezur debatin publik vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve.
Verifikim
Për të verifikuar saktësinë e këtyre pretendimeve, Faktoje i drejtoi një kërkesë zyrtare Departamentit Amerikan të Shtetit me dy pyetje të drejtpërdrejta:
- 1. A e ka hequr Departamenti i Shtetit statusin ‘Non Grata’ për ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha?
- 2. A ka dhënë SHBA një përjashtim (waiver) për të lehtësuar udhëtimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara?
Në një reagim të shkurtër, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Faktoje.al:“Departamenti nuk ka asgjë për të raportuar mbi këtë përcaktim në këtë moment”
Në këtë reagim Departamenti i Shtetit nuk konfirmon dhe as mohon mundësinë e ndonjë ndryshimi në statusin ‘Non Grata’ të Sali Berishës, si dhe nuk jep informacion për ndonjë përjashtim apo leje hyrjeje në SHBA. Në thelb, DASH mban një qëndrim “pa koment” mbi çështjen për momentin, duke lënë të kuptohet se pozicioni i mëparshëm i SHBA ndaj Berishës mbetet ende në fuqi.
Edhe në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit ende figuron vendimi për shpalljen “Non Grata” të Berishës. Por zhvillimet e fundit sipas politologut Ermal Hasimja tregojnë se qendrimi zyrtar i SHBA-ve mund të ndryshojë duke lehtësuar ose ndryshuar plotësisht statusin ‘Non Grata’ të Berishës.
“Megjithatë, në raport me fushatën zgjedhore unë mendoj që nuk do ndryshojë asgjë. Ata që e votojnë ose nuk e votojnë Berishën nuk do të ndikohen nga statusi ‘Non Grata’ ose jo i tij”, thekson më tej Hasimja.
Qasja e Departamentit të Shtetit në raport me politikën e jashtme dhe aleatët strategjikë, përfshirë edhe Ballkanin ka ndryshuar me ardhjen e administratës Trump. Republikanët kanë kritikuar ashpër administratën Biden për lidhje të afërta me filantropin George Soros dhe për ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve partnere. Ish sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, i është hequr leja e sigurisë nga administrata e re, ndërsa vetë Donald Trump e ka quajtur atë një “djalë të keq”.
Statusi “Non Grata”
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe anëtarët e familjes së tij u shpallën “Non Grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 19 maj 2021.
Njoftimi për shpalljen ‘non grata’ u bë i ditur nga Sekretari i Shtetit asokohe, Antony Blinken, i cili shkroi në një mesazh në “Twitter” se Berisha dhe familja e tij u shpallën zyrtarisht të papërshtatshëm, ndaj dhe iu ndalohet hyrja në SHBA.
“Akte korrupsioni të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi bashkë kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, shkruante ish Sekretari Amerikan i Shtetit.
Berisha i ka mohuar deklaratat e Blinken dhe ka akuzuar publikisht kryeministrin Edi Rama dhe miliarderin George Soros për ndërhyrje në këtë vendim.
Përfundim
Reagimi zyrtar i Departamentit të Shtetit për Faktoje.al konfirmon se aktualisht nuk ka asnjë zhvillim të ri në lidhje me sanksionin ‘Non Grata’ të Sali Berishës. Interpretimet e fundit publike nuk mbështeten nga fakte apo dokumente zyrtare.