.

.

Home Aktualitet SPAK “zbret” në terren për zgjedhjet

SPAK “zbret” në terren për zgjedhjet

0
SPAK “zbret” në terren për zgjedhjet

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Oraganizuar njoftoi të mërkurën se ka miratuar një plan masash për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit.

Urdhri është lëshuar nga kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili do të drejtojë grupet hetimore në terren, (për 12 qarqet dhe 61 bashkitë) të përbëra nga prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë dhe staf administrativ.

Këto grupe do të monitorojnë raste të keqpërdorimit të administratës publike (gjatë dhe ditën e zgjedhjeve), infrastrukturës shtetërore dhe përfshirjen e gupeve kriminale në zgjedhje.

DENONCIMET

Do të ngrihet edhe një platformë për denoncime nga qytetarët dhe institucionet duke përfshirë një numër emergjent, raportime online dhe adresë email-i. Informacionet e kësaj natyre do të jenë thjesht informuese për prokurorët, ndërkohë kallëzime penale do konsiderohen vetëm ato që depozitohen në prokurori në formë të shkruar dhe sipas rregullave proceduriale.

MONITORIMI FINANCIAR

Një grup i posaçëm do të analizojë gjithashtu informacionet në media dhe rrjetet sociale, ndërsa një tjetër do të mbikëqyrë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike gjatë periudhës zgjedhore, që janë të ndaluara me ligj.

Ndërkohë, Altin Dumani do të ketë rol koordinues edhe me Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe Komisionerin Shtetëror gjatë periudhës së zgjedhjeve

VEPRAT PENALE

Veprat penale në kuadër të krimeve zgjedhore nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme janë:

Korrupsioni aktiv në zgjedhje

Korrupsioni pasiv në zgjedhje

Çdo vepër penale në kuadër të krimit zgjedhor e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur

Çdo vepër penale në kuadër të krimit zgjedhor e kryer nga zyrtarë të lartë publikë dhe drejtuesit e insitucioineve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj

Kush janë zyrtarët e lartë publike?

Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë̈, kryetari i bashkisë, deputeti, zëvendësministri, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë̈

Previous article Pyetësor: Si është situata me mbetjet në qytetin tuaj?
Next article Vaksinat anti-Covid nuk vranë më shumë njerëz se bomba në Hiroshima
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.