SPAK pa “portofol digjital”, Dumani flet për trysni, nuk rikandidon për një tjetër mandat

Dumani konfirmoi se edhe nëse bëhen ndryshimet kushtetuese nuk do të rikandidonte si prokuror i SPAK

71

Sebi Alla – Kreu i Prokurorisë Speciale SPAK, Altin Dumani, ngriti si shqetësim trysninë nga politika, mediat, por edhe krimi i organizuar.

 “Doja të veçoja presionin e jashtëm nga aktorë politikë, mediatikë, dhe krimi i organizuar që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve, duke kërkuar një reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese”, tha Dumani, gjatë raportimit në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Edhe pse ngriti një sërë shqetësimesh, për të disatën herë përsëriti kërkesën që të shihet mundësia e ndryshimeve kushtetuese për të lejuar prokurorët aktual të SPAK që të rikandidojnë për një mandat tjetër 9-vjeçar.

“Mungesa e përcaktimit të qartë ligjor për statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit, krijon pasiguri dhe mund të cenojë vijimësinë e hetimeve”, tha Dumani.

Ai mbylli dyshimet që këtë “betejë” ndër të tjera po e kthen në interes personal, teksa konfirmoi se edhe nëse bëhen ndryshimet kushtetuese nuk do të rikandidonte si prokuror i SPAK.

“Në përfundim të mandatit tim nuk do rikandioj. Unë flas në emër të institucionit, të paktën 11 prokurorëve të posaçëm u mbaron mandati brenda 1 viti. Mund ta imagjinoni boshllëkun që krijohet”, theksoi Dumani.

Bilancet në një vit

Të përkthyer në shifra procedimesh dhe përqindje dosjesh të hapura, drejtuesi i SPAK raportoi se gjatë vitit 2024, hetimet kundër pastrimit të parave janë rritur me 34% në raport me vitin 2023, ndërsa në krahasim me vitin 2023 këto procedime janë trefishuar, ndërsa theksoi se 45.8% e pasurive të sekuestruara u përkasin zyrtarëve të lartë.

“Gjatë vitit 2024, janë sekuestruar 65.5 milionë euro, një rritje me 60% krahasuar me 2023, duke përfshirë pasuri të paluajtshme, bankare dhe kriptovaluta”, tha ai.

Duke u ndalur për veprën penale të korrupsionit, Dumani sqaroi se janë hetuar 33 ish-zyrtarë, nga të cilët 19 janë në gjykim dhe 10 të tjerë janë dënuar me formë të prerë.

Debati për krimet zgjedhore

Teksa dha shifrat mbi krimet zgjedhore, drejtuesi i Prokurorisë Speciale tha se gjatë 2024 janë kryer 43 procedime penale me 7 persona nën akuzë.

Në fazën e pyetje-përgjigje, deputetët e opozitës vendosën theksin tek krimet zgjedhore, duke hedhur akuza për apatinë e Prokurorisë Speciale në këtë drejtim. Anëtari i komisionit deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi e cilësoi “fiasco” TASK-Forcën kundër krimeve zgjedhore nën drejtimin e SPAK.

Kapacitetet

Për këtë qëndrim Dumani tha se është hetuar, madje pas çdo ankese përgjatë fushatës së zgjedhjeve ka dërguar kudo agjentë të BKH-së. “Nuk mund të them që Task-Forca ka dështuar. Kemi regjistruar 44 procedime penale. Kemi të pandehur një kryetar bashkie për korrupsion aktiv. Kemi nën hetim një kryebashkiak tjetër për korrupsion aktiv. Kemi arrestuar disa persona vetëm për zgjedhjet e 2025, kemi dhe 38 procedime penale që po i ndjekim. Shpresojmë që edhe me këto të kemi rezultate konkrete”, theksoi kreu i SPAK, ndërsa pranoi se mundësitë e hetimit të krimit zgjedhor janë të kufizuara. “Ne 20 prokurorë jemi. Jam njësoj i shqetësuar njësoj si ju për blerjen e votës, vota është e shenjtë. Por kapacitetet dhe mundësitë e SPAK këto janë”, tha drejtuesi i SPAK.

Çështja “Gjoka”

Një tjetër çështje që u mbajt si kauzë nga opozita ishte dosja e gjyqtares së GJKKO-së Irena Gjoka, për të cilën opozita e ka paditur në SPAK për akuzën e falsifikimit të dokumentave dhe mashtrim në formularin e vetëdeklarimit. “Është në fazën e hetimit paraprak dhe nuk mund të japim informacione. Kemi procedim penal të regjistruar në qershor 2025 dhe po kryejmë veprimet e nevojshme hetimore”, tha Altin Dumani.

SPAK pa portofol

Ndërsa krimi vijon të përditësojë “teknologjinë e fundit” sidomos në investimin në kriptomonedha, Prokuroria Speciale duket se është në vështirësi, çka u konfirmua edhe nga kreu i saj Altin Dumani.

“Nuk kemi një portofol për të ruajtur kriptomonedhat e sekuestruara. As Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara nuk ka portofol dixhital. Vetëm në 2024 kemi sekuestruar mbi 11 milionë euro vlerë të kriptovalutave dhe kemi hasur në vështirësi. Problemin e zgjidhëm duke bashkëpunuar ngushtë me një vend të BE që na u vetëofrua, ishte një sforco shumë e madhe. Jemi në proces ngrirje të një shume më të madhe se 11 milionë euro, janë të ngrira”, u shpreh Dumani.