Pretendimi: Aeroporti Nënë Tereza po organizon shitjen vjetore të bagazheve të pakërkuara për vetëm 199 lekë.

Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi

——————————————————————–

Një skemë mashtrimi, ku pretendohet se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po shet valixhet e humbura për 199 lekë, po qarkullon në Facebook. Faktoje verifikoi se kemi të bëjmë me faqe të rreme, që ka si qëllim marrjen e të dhënave private të qytetarëve.

Kjo faqe, e cila pretendon se i përket TIA ka rreth 170 ndjekës në Facebook, duke nxitur dyshimet që kemi të bëjmë me një faqe të rremë. Gjithashtu, në postimin e bërë për valixhet vihet re se shumica e komenteve janë nga profile të huaja të rreme. Komentet e bëra duket qartë që janë të sajuara, me qëllim rritjen e besueshmërisë te ndjekësit në rrjetet sociale.

Nëse klikojmë linkun hapet një faqe e sajuar me logon e TIA. Qëllimi është vjedhja e të dhënave private të qytetarëve.

Në faqen zyrtare të Tirana International Airport në Facebook, e cila ka 47 mijë ndjekës në rrjetet sociale, nuk shihet asnjë postim që të njoftojë për një ofertë të tillë.