Në Shqipëri, siguria ushqimore shpallet si prioritet nga qeveria, por buxheti dhe investimet për sektorin nuk arrijnë të mbulojnë nevojat e tregut. Qytetarët ankohen për sigurinë ushqimore ndërkohë që Komisioni Evropian i kujtoi qeverisë mungesën e progresit të Shqipërisë në këtë drejtim.
Esmeralda Topi
Edhe vitin e ardhshëm bujqësia do të jetë sektori më pak i financuar nga buxheti i shtetit. Ndonëse vijon të japë kontribut të lartë në ekonomi, qeveria parashikon 14,6 miliardë lekë fonde për bujqësinë. E thënë ndryshe sektori do të përfitojë vetëm 4.8% më shumë se viti aktual.
Nga totali i shpenzimeve buxhetore për bujqësinë, pjesën e luanit e merr zhvillimi rural që mbështet prodhimet bujqësore. Më pas vjen menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes dhe zëri i tretë më i financuar në sektor shkon për sigurinë ushqimore.
Vitin e ardhshëm qeveria planifikon 2,5 miliardë lekë si fonde për sigurinë ushqimore- fushë që autoritetet e vlerësojnë prioritare.
“Siguria ushqimore është një nga priorietet kryesore të ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.” – deklaroizëvendës ministri për Bujqësinë dhe Zhvillimin RuralArjan Jaupllari gjatë prezantimit të projekt buxhetit në komisionin parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese.
“Investimet në sigurinë ushqimore tashmë janë të dukshme dhe kanë garantuar sigurinë ushqimore për popullatën dhe konsumatorët shqiptarë.’, vijoi më tej ai.
A është vërtet prioriet siguria ushqimore? Me fjalë të thjeshta jo.
Fakt
Të dhënat zyrtare tregojnë se në pesë vitet e fundit qeveria ka financuar gjithsej 10,4 miliardë lekë për sigurinë ushqimore. Vitin e ardhshëm buxheti i shtetit planifikon 2,6 miliardë lekë nga 1,6 miliardë lekë që janë dhënë për sigurinë ushqimore në vitin 2021. Për këtë periudhë rezulton se buxheti i dedikuar për sigurinë ushqimore është rritur me 1 miliardë lekë- por fondet për vitin e ardhshëm janë thuajse të njëjta me ato të vitit aktual.
Ky fond sipas ekspertëve të bujqësisë është shumë i ulet krahasuar me nevojat që ka tregu vendas.
“Mungesa prej 146 miliardë lekë nga skemat e IPARD e bëjnë më akute nevojën për fonde dhe investime. Pasi dhe pse fondet e IPA III dhe IPARD III shihen si fonde të cilat jepen për zhvillimin e sektorit agro në thelb të tyre ato kanë arritjen e sigurisë ushqimore në vendet që përfitojnë nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe social të zonave.”, vlerëson Esmeralda Ballesha eksperte për çështje të bujqësise.
Sipas saj, nevoja për investime në rritjen e sigurisë ushqimore nuk lidhet vetëm me sektorin privat, por edhe me instuctionet publike që mbikqyrin sigurinë ushqimore.
“Për të qënë konkurrues në rajon dhe për më tepër për të monitoruar konform standarteve produkte të cilat hyjnë në Bashkimin Europian, këto institucione kanë nevojë të kenë të njëjtat mjete, pajisje, e kapacitete të cilat kanë koston e tyre e cila deri më tani ka qënë e vështirë të mbulohet me fonde publike dhe me ndihmën e donatorëve të huaj.”- përfundon Ballesha.
Brukseli na ngel në klasë
Siguria ushqimore ishte një nga kapitujt me vlerësimin më negative të Komisionit Evropian në raportin e vitit 2024 për Shqipërinë.
Këtë vit, KE e cilëson edhe më shqetësuese çeshtjen e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve krahasuar me një vit më parë. Nga progres i limituar në fushën e sigurisë ushqimore këtë vit vendi rezulton se nuk ka bërë ‘asnjë progres’ në këtë drejtim.
Referuar raportit, “Shqipëria ka një nivel përgatitjeje politikash në fushën e sigurisë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare. Por, nuk është bërë progres gjatë periudhës raportuese. Nevojiten përpjekje të konsiderueshme për të harmonizuar legjislacionin me ‘acquis’ të BE-së dhe t’a zbatojë atë. Shqipëria duhet të miratojë dhe zbatojë politikën kombëtare sektoriale të sigurisë ushqimore”.
Komisioni Evropian nxjerr në pah faktin se rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar dhe i kujton autoriteteve se duhet të përmbushin këto detyra:
“Shqipëria duhet të punojë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me ‘acquis’ të BE-së, veçanërisht për shëndetin e kafshëve dhe të bimëve, për kontrollet zyrtare, mirëqenien e kafshëve dhe me Rregulloret për Ligjin e Përgjithshëm të Ushqimit; Duhet të finalizojë plotësimin e personelit të shërbimit veterinar për të siguruar funksionimin e tij si dhe të forcojë kapacitetet për zbatimin e programeve të mbikëqyrjes dhe vaksinimit të kryesore sëmundjet infektive të kafshëve.”, pohon raporti i KE-së.
Lumë ankesash nga qytetarët
Hasan Stafa nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit thotë për Faktoje.al se këtë vit ka marrë 3548 ankesa nga qytetarë të ndryshëm lidhur me sigurinë ushqimore.
“Ankesat me numrin më të lartë kanë ardhur nga zonat urbane në Tiranë si dhe nga Elbasani, Kruja, Fushë Kruja, Laçi, Shkodra, Fieri, Vlora, Saranda dhe Durrësi.”, tregon Stafa.
Mbi 70% e ankesave konsumatorët nga veriu në jug i Shqipërisë i kanë për cilësinë e ushqimeve.
“Ankesa për cilesinë e peshën e bukës, për mishin e nënproduktet e tij, etiketa të korrigjuara apo pa datën e skadencës e të tjera”, – pohon Stafa nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Përfundim
Nisur nga të dhënat e përpunuara dhe informacioni i mbledhur, deklaratën e zëvendës ministrit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, Arjan Jaupllari, se siguria ushqimore është prioritet i Minirtisë do ta kategorizojmë të pavërtetë.