Në 2019-ën, një video 19 sekonda e gjatë ku shfaqej një politikane shqiptare shkaktoi një valë dezinformimi dhe diskriminimi aq intensiv sa askush nuk e kuptoi se xhirimi ishte i 4 viteve më parë dhe se politikania nuk ishte aspak në Shqipëri kur u ngritën pretendime ndaj saj. Katër vite më vonë, Faktoje sjell dëshmi të rezultatit që fushata të orkestruara të keqinformimit kanë tek vajzat dhe gratë që duan të merren me politikë në Shqipëri.
Jona Plumbi
Ulur në një kafene të njohur në Tiranë, duke folur me Rudina Hajdarin, ish-deputete e re, biseda nis duke u kthyer në kohë.
“Nëse më parë [në komunizëm] kishe një kundërshtar të rrezikshëm dhe të eleminonin fizikisht, sot të eleminojnë përmes keqinformimit të koordinuar mediatik” – thotë Rudina, vajza e Azem hajdarit, heroit të protestave anti-regjim të 1990’ës që nxitën rënien e sistemit komunist.
Rudia është politikane e re – ose thënë ndryshe, ishte një politikane – deri në momentin që vendosi të mos i bindej vendimit të liderit të partisë Demokratike për të hequr dorë nga mandati i deputetes sëbashku me kolegët e saj. Rezultati ishte një fushatë e koordinuar keqinformimi dhe “hetimi” publik të jetës së saj personale.
“Ka aq shumë [lajme të pavërteta] dhe janë aq të përhapura sa edhe vetë ata që i krijojnë në fund u besojnë gënjeshtrave të tyre” – tha Rudina për Faktoje duke theksuar se sot motivimi dhe shtysa që vajzat të përfshihen në politikë është zero.
Pak më optimiste për çështjen, edhe për shkak të karakterit të saj që e përshkruan si “idealiste” është Elona Gjebrea, një ish-politikane që ka shërbyer 4 vite si deputete dhe 4 vite të tjera si zëvendësministre e Brendshme për Partinë Socialiste. Edhe pse karriera e saj politike u “njollos” nga disa momente keqinformimi, ajo punon për të inkurajuar vajzat që të përfshihen në politikë me qëllim – si shprehet ajo – “që të thyejnë maskilitetin që dominon politikën shqiptare”.
Keqinformim i koordinuar mediatik
Pas përplasjes mes parimeve të saj dhe vendimit të kryetarit të partisë, dhe mbizotërimit të së parës, Rudina Hajdari shpjegon sesi ndryshoi jeta e saj në politikë. Nga “politikania e re, pasardhëse e një heroi të demokracisë shqiptare” ajo nisi të portretizohet si “e blerë nga kundërshtari politik, pasardhës i komunistëve”.
“Narrativa që nisi të shpërndahet ishte se unë isha blerë nga Rama dhe media ishte e koordinuar dhe gazetarët të nxitur që ta shisnin këtë narrativë. Sulmet erdhën nga anë të ndryshme. Sulmi politik, pra, që isha blerë nga Rama. Sulmi familjar që pretendonte se e mbajta mandatin e deputetes për të shpëtuar mamanë time nga vettingu në drejtësi. Dhe në fund u morën edhe me jetën personale, a isha ndarë unë nga burri apo jo.” – kujton Hajdari.
Ish-zëvendës ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea gjithashtu e identifikon problemin tek mungesa e edukimit mediatik të qytetarëve.
“Ajo që është karakteristikë e theksuar në Shqipëri dhe jo aq në vendet e tjera është që njerëzit induktohen dhe e marrin të mirqënë një lajm që vjen nga mediat, ndaj ato kanë një rol shumë të rëndësishëm. Unë vetë kam qenë subjekt i dezinformimit në disa lajme të cilat e bënin efektin e tyre dhe është shumë e vështirë pastaj që me aq hapsirë sa ka një grua në politikë të arrish të përgënjeshtrosh lajmin dhe kthesh opinionin. Një sugjerim që më është dhënë njëhere kur kam marrë mendim për këtë ishte: Mos u merr me mediat sepse më shumë do të të sulmojnë.”
Shembulli tipik i sulmit të orkestruar mediatik
Një rast dezinformimi lehtësisht të verifikueshëm që mund të pasqyrojë fushatat e koordinuara ndaj grave në politikë është ajo e një videoje 19 sekonda të gjatë, e ripublikuar 4 vjet pasi ishte xhiruardhe gjithsesi u përhap si “virus” në media.
Në 2015-ën, në krye të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian të Parlamentit Shqiptar ishte një grua, Majlinda Bregu. Asokohe deputete e Partisë Demokratike, ajo drejtonte forumin parlamentar të Integrimit Europian.
Në 23 Tetor të vitit 2015 në Kryesinë e Kuvendit u mbajt Konferenca e 11-të e Komisioneve Parlamentare të Integrimit Europian të Shteteve Pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim Asociimit të Europës Juglindore.
Asokohe, konferenca mori vëmendjen e mediave tradicionale për temat aktuale të kohës, si reforma në drejtësi që ishte ende në diskutim apo azilkërkuesit shqiptarë nëpër botë. Edhe pse sot është shumë e vështirë që të gjesh artikuj apo lajme mbi përmbajtjen e këtij takimi, ajo që gjendet krejt lehtësisht në rrjet janë video, imazhe dhe artikuj të mediave online që keqinformojnë mbi kohën dhe qëllimin e këtij takimi.
Dezinformimi nisi në vitin 2019, dy vjet pas ‘shkëputjes’ mes Majlinda Bregut dhe Partisë Demokratike. Asokohe Bregu mbante postin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RÇ), post të cilin e fitoi pas propozimit të emrit të saj nga qeveria shqiptare.
Ky propozim nuk u “tret” mirë nga kolegët e saj demokratë. Bregu nuk ishte më pjesë e listës së kandidatëve për deputet prej vitit 2017, pasi kryetari i partisë Lulzim Basha vendosi të mos e kandidojë për deputete. Shkak për përjashtimin e saj nga listat e deputetëve që do garonin krah Bashës në zgjedhjet parlamentare ishte fakti se Bregu u pozicionua kundër kryetarit të partisë, veçanërisht pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2015 dhe më pas edhe vitit 2017.
Dy vjet më vonë, në 2019-ën situata politike në Shqipëri ishte edhe më e përshkallëzuar. Pas protestave të vazhdueshme kundër qeverisë, opozita dhe veçanërisht Partia Demokratike vendosën të djegin mandatet e deputetëve në shkurt 2019, përmes një votimi të hapur unanim të strukturave partiake.
Pas vendimit për të hequr dorë nga mandati, opozita u përball me disa reagime nga aktorë ndërkombëtarë si Ambasada Amerikane, zyrtarë të lartë të BE-së si Maja Koçijançiç dhe Luigi Soreca të cilët nuk e mbështetën daljen e opozitës nga institucionet zyrtare. Ndaj kur Knut Fleckenstain iu bashkua qortimeve, ai u kthye në objektiv të mediave opozitare.
Më pak se një javë më vonë nga qëndrimi i Fleckenstein, në 28 Shkurt 2019, media opozitare Syri.net publikoi një video 19 sekonda të gjatë në rrjetin social Facebook ku shfaqej raportuesi për Shqipërinë në BE, Knut Fleckenstein me ish-deputeten demokrate Majlinda Bregu. Titulli i videos njoftonte ‘zbulimin e arsyes së ardhjes së Knut Fleckenstein në Shqipëri’ dhe pretendonte se ajo ishte xhiruar në shkurt të vitit 2019 dhe se Fleckenstein kishte ardhur në Shqipëri jo për misionin e tij të ngarkuar nga Bashkimi Europian, por për të takuar ish deputeten demokrate.
Kjo video është parë 137 mijë herë dhe deri tani ka 378 komente, thuajse të gjitha shprehur në gjuhë seksiste dhe zhvlerësuese ndaj ish deputetes demokrate.
Videoja dhe pretendimi i ngritur shërbeu si “ushqim” për mediat online duke orkestruar një fushatë denigruese ndaj ish-deputetes demokrate.
Kur Syri.net po ngarkonte në Facebook videon në fjalë, Bregu ishte 400 kilometra larg në Sarajevë, në një takim me Bankën Botërore për promovimin e grave në tregun e punës.
“Nuk e kisha kuptuar çfarë ziente në Tiranë. Pastaj e kuptova që ishte një video e vitit 2015 në parlamentin e shqipërisë ku Knut Fleckenstein ishte i ftuar si reporter për Shqipërinë”. – kujton Bregu gjatë një interviste për emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi.
“Linçimi” publik në media Majlinda Bregu thotë se nuk i bën më përshtypje, por ajo që e habiti ishte se si askush nuk e identifikoi se videoja në fakt ishte e 4 viteve më parë.
“Kur i mendoj dhe kthehem pas nuk mbaj mend të jetë sulmuar ndonjë grua politikane 3 muaj rresht pa ndërprerje me akuza të nivelit më të lartë deri në organizatë mafioze dhe deri tek akuzat më banale pastaj që bëjnë pis ata që i ndërtojnë për arsyet e tyre.” – kujton ajo.
Pasojat
Pavarësisht nëse arsyet e orkestrimit të sulmeve të tilla përmbushen apo jo përmes fushatave keqinformuese, një rezultat i drejtpërdrejtë është nxitja e narrativave keqdashëse ndaj grave dhe vajzave në politike, apo në përgjithësi, sidomos nëse ato “prodhojnë” klikime.
Mediat online, mungesa e rregullave për to si dhe anonimati që lejojnë mediume si rrjetet sociale duke mos kërkuar identifikimin e personave që menaxhojnë faqet që shpërndajnë lajme, kanë “shtruar rrugën” për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, diskriminimit dhe bullizmit ndaj grave në politikë.
Edlira Çepani, koordinatore ndërkombëtare e rrjetit Barazi në Vendimmarrje, organizatë me fokus forcimin dhe rritjen e pjesëmarrjes të femrave në të gjitha proceset sociale dhe në strukturat vendimmarrëse, në monitorimet e kryera në media nuk sheh ndryshim thelbësor në hapsirën kushtuar grave në politikë, mes medias tradicionale dhe asaj online, edhe pse këto të fundit kanë nivel më të ulët përgjegjshmërie.
“Mediat online kane ende problem serioze me vertetesine e fakteve dhe mungesen e pergjegjesise per lajmet perkatese, qe shpesh duke qene grate dhe vajzat ne target, rendon edhe mbi to.” – tha Çepani për Faktoje.
Një tjetër rezultat i drejtpërdrejtë është edhe fakti se dezinformimi i shpërndarë, në mënyrë të organizuar apo sporadik, edhe kur faktohet si i pavërtetë, vijon të qëndrojë në rrjet i pashqetësuar, shpesh herë duke mbizotëruar ndaj informacionit të vërtetë. Mediat online vijojnë të shpërndajnë artikuj keqinformues duke subjektivizuar vajza dhe gra, jo për punën apo funksionet e tyre, por për pamjen apo veshjen e tyre.
Mekanizmat e luftës ndaj diskriminimit
Për t’u mbrojtur nga kjo formë sulmi mediatik Shqipëria ofron pak, për të mos thënë asnjë mekanizëm funksional që çon në heqjen e publikimeve keqinformuese dhe marrjen e masave ndaj atyre që i shpërndajnë ato. Kryesisht shkak bëhet legjislacioni i vjetëruar që parashikon reagimin e instiucioneve për informacione të shpërndara vetëm në media tradicionale, kombinuar me mungesën e denoncimeve për rastet.
“Ka disa mekanizma për të dënuar dhunën verbale, shpifjet, etj, por janë ende mekanizma të pamjaftueshëm për të luftuar gjuhën e urrjetjes dhe seksizmin në media, jo vetëm ndaj grave në politikë, por ndaj grave në tërësi.” – thekson Çepani.
Një anketim që Këshilli i Ankesave të Autoritetit të Mediave Audiovizive bëri në muajin nëntor të vitit 2016 mbi qëndrimet e publikut për një sërë çështjesh, përfshiu edhe pyetje mbi perceptimin e qytetarëve për shkeljet etike në programe televizive. Rezultatet treguan se qytetarët e perceptojnë situatën si aspak të mirë.
“Është e qartë se fyerjet, shpifjet apo dhe cenimi i dinjitetit janë të pranishme në emisionet televizive dhe këtë e mendojnë pjesa dërrmuese e të anketuarve, përkundrejt vetëm 16% që mendojnë ndryshe. Përqindja e femrave që mendojnë se “respektohet dinjiteti” është vetëm 2.” – tha Autoriteti i Mediave Audiovizive për Faktoje.
Sa i përket rastit konkret të dezinformimit për Majlinda Bregun, AMA na informoi se “pranë Këshillit të Ankesave nuk ka patur asnjë ankesë apo denoncim në lidhje me videon e sipërpërmendur”. Në anën tjetër, përgjigjja e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ishte edhe më befasuese kur njoftoi se KMD “nuk ka trajtuar asnjëherë ankesa me pretendim diskriminimin me bazë gjinore të vajzave dhe grave në politikë në Shqipëri.”
Hapësira të tjera denoncimi për rastet e diskriminimit apo keqinformimit me bazë gjinore, ofrohen nga organizma të pavarura si Këshilli Shqiptar i Medias apo në organizata të pavarura si Platforma Gjinore – Media4Equality.
Edhe pse vetërregulimi i tregut mediatik mungon në Shqipëri, grupime të ndryshme vullnetare janë munduar të hedhin hapat e parë drejt ‘pastrimit’ të tregut nga shkrimet jo-etike. Një prej tyre është Këshilli Shqiptar i Medias, organizatë e pavaruar gazetarësh, e regjistruar ligjërisht si një Organizatë Jo-Fitimprurëse (OJF), që synon krijimin e medias së pavaruar, etike dhe profesionale në Shqipëri.
Dëshmi e funksionimit apo jo të këtyre mekanizmave vullnetare janë vetë rastet e trajtuara prej tyre. Një ankesë e trajtuar Këshilli i Medias lidhet pikërisht me një publikim kushtuar pamjes së jashtme dhe veshjes së një deputeteje të parlamentit të Shqipërisë. Artikulli e quante pamjen fizike dhe veshjen e deputetes si “gafë” vetëm sepse 6 muaj më parë kishte sjellë në jetë fëmijën e saj dhe për pasojë dukeshin ende shenjat e shtatzanisë.
“Ato i bënte edhe me të dukshme sfida për tu veshur si vajzë e re në paradën e konkurencës që zhvillohet çdo javë para hyrjes së kuvendit. Çdo konsulent imazhi do i këshillonte znj Gjylamenti ose të rifillojë urgjentisht palestrën ose të paraqitet me rroba që nuk qëndrojnë ngjitur pas trupit, sepse shenjat e shtatzanisë i ka ende prezente.” – shkruan artikulli.
Pavarësisht se lajmi nuk lidhej aspak me punën e deputetes dhe qartësisht shfaqte gjuhë seksiste ndaj nënave deputete, trupi i të cilave “ka rregulla të ndryshme nga ato të ambicies politike”, Bordi i Etikës së Këshillit Shqiptar të Medias vendosi se “nuk ka tagrin të gjykojë apo të etiketojë nëse një artikull duhet konsideruar gazetari e mirë apo e keqe, por vetëm nëse ka shkelje të etikës dhe se artikulli i ankimuar është i zhanrit tabloid dhe nuk paraqet shkelje të neneve të Kodit të Etikës, ndaj dhe nuk përmbushen kushtet për të kërkuar fshirjen e artikullit dhe kërkimin e ndjesës ndaj znj. Gjylameti.”
Në një shkrim, ankimuesja e këtij rasti, gazetarja Valbona Sulçe tregon se “në një bisedë informale me një nga anëtarët e Bordit mësova që pengesë për marrjen e vendimit përbënte edhe fakti që ankesa nuk kishte ardhur nga personi i prekur, pra zonja Gjylameti dhe nëse do të fillohej me të tretë, do ishte e vështirë të ndalej praktika e heqjes së artikujve ose kërkimit të ndjesës për çdo person.”
Përfundim
“E keqja është që disinformimi, sulmet, sharjet, insinuatat shihen si pjesë e paketës kur je në politikë” – kështu e përmblodhi në pak fjalë situatën Majlinda Bregu për Faktoje.
“Është edhe më e vështirë kur je grua pasi jemi ende në një shoqëri maskiliste ndaj gratë janë shënjestër më e lehtë. Nuk jemi ende gati për një grua të fortë, pasi gjithmonë do ketë një narrativë negative në politikë ndaj saj” – deklaron Rudina Hajdari.
Ndërsa Elona Gjebrea ka një mesazh për të gjitha vajzat në Shqipëri dhe është e njëjta përgjigje që i dha edhe vajzës së saj kur mësoi se përgjigjja e saj ndaj interesimit të një universiteti me emër në SHBA mbi ambicjet e saj politike ajo u përgjigj se “duke gjykuar nga ajo që kam parë në shtëpi, nuk mendoj se politika është vendi ku një grua mund të ndihet e plotësuar”. Për këtë, Elona thotë se “shoqëria shqiptare sot ka nevojë për përfshirjen e vajzave dhe grave të afta dhe me kurajon për t’i thënë të vërtetat në sy dhe dezinformimi nuk duhet të jetë arsye që vajzat të përfshihen në politikë, pasi të kenë fituar një përvojë profesionale”.
Gjithsesi një gjë është e sigurt. Kur përballesh me dezinformimin, në mungesë të mekanizmave institucionale shtetërore apo partiake për t’a luftuar atë, si shprehet ish-ministrja Gjebrea “ti nuk ke shumë miq dhe je plotësisht i vetëm”.
Edlira Çepani e Rrjetit të Barazisë në Vendimmarrje shpjegon se “nga studimet rezulton se arsyeja për të cilën gratë në politikë nuk denoncojnë diskriminimin, ose gra të tjera nuk denoncojnë për to ka lidhje me konceptin që gratë në politikë janë të fuqizuara mjaftueshëm për t’u bërë ballë personalisht këtyre sulmeve dhe një denoncim i tillë mund të merret si dobësi nga ana e tyre”.
Kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në vendimin e grave dhe vajzave për t’u përfshirë në politike. Çepani thekson se një nga barrierat kryesore që gratë kanë evidentuar si arsye për të mos hyrë në politikë, është pikërisht dhuna me bazë gjinore për shkak të profesionit.