Si “e vërteta përtej shifrave” duhet të arrijë tek qytetarët

26

Shqipëria ka ngritur një kuadër institucional për mbikëqyrjen e institucioneve publike, ku rolin kryesor e luajnë Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe strukturat parlamentare të mbikqyrjes.

Megjithatë, raportet e auditimit të KLSH-së shpesh mbeten të pakuptueshme për publikun, pasi përdorin gjuhë teknike dhe marrin pak vëmendje nga media. Kjo krijon nevojën për ndërmjetësim nga media, shoqëria civile dhe akademikët, të cilët duhet të kenë më shumë aftësi për t’i përkthyer gjetjet në informacion të qartë për qytetarët.

Për të mbushur këtë boshllëk, Faktoje, me mbështetjen e programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, ka nisur një projekt që synon të kthejë shifrat e auditimit në fakte të kuptueshme përmes raportimit analitik, të forcojë aftësitë e gazetarëve dhe të advokojë për reforma në politikat publike.

Aktiviteti i sotëm (e merkurë) shënoi fillimin e kësaj nisme, duke krijuar bazën për bashkëpunim mes institucioneve, medias dhe aktorëve shoqërorë.

Qëllimi

Drejtoresha Ekzekutive e Faktoje.al, Klodiana Kapo, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për të përçuar në publik problemet, fenomenet dhe përgjegjësinë institucionale mbi gjetjet e ekspertëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Marrëveshja jonë me KLSH-në është zbërthimi i këtyre raporteve që shpesh janë mbi 200-300 faqe dhe gjenden të dhëna të rëndësishme, por që ndonjëherë nuk lexohen, ose lexohen jo ashtu siç duhet. Shifrat, nëse nuk vendosen në kontekstin e duhur dhe nëse nuk jepen të gjitha të dhënat mund të kthehen në propagandë, ose Fake News”, tha ajo.

Ambasadori

Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, H.E Reinout Vos gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e këtij projekti që ka si qëllim forcimin e institucioneve, llogaridhënien dhe informimin e qytetarëve në mënyrë të thjeshtë, të kuptueshme dhe të prekshme nga ana e tyre.

“Institucionet mund të prodhojnë raporte, mbikëqyrje që i përgjigjet nevojave dhe mund të identifikojnë boshllëqe dhe rekomandime në këtë çështje, por nëse këto gjetje mbeten të palexuara, të pashpjegueshme ose të paarritshme për qytetarët, fuqia transformuese është e kufizuar”, tha ambasadori H.E Reinout Vos.

Më tej, ambasadori theksoi nevojën që gjetjet e auditimeve të KLSH-së të përçohen me profesionalizëm tek qytetarët.

“Një shoqëri civile e angazhuar, e aftë dhe e pavarur ndihmon në përkthimin e gjetjeve komplekse faktike në informacion që qytetarët mund ta kuptojnë dhe t’u përgjigjen pyetjeve të drejta dhe kritike. Lidhja e të dhënave me jetën dhe realitetin. I kthen numrat në një rrëfim dhe përvojat shoqërore njerëzore në të vërtetë praktike”, tha Vos.

Ekspertët dhe politika

Ekspertë të fushës së ekonomisë vlerësuan raportet e KLSH-së për metodologjinë e përdorur nga ana e tyre dhe profesionalizmin, por kërkuan që gjetjet e tyre të bëhen publike në kohë si një nga format që presioni pozitiv ndaj institucioneve të jetë më i lartë dhe i shpejtë. Përfaqësuesi i KLSH-së, audituesi Bajram Lamaj tha se raportet e KLSH-së nuk fokusohen në cilësinë dhe kontrollin në çështje që janë të ndjeshme dhe prekin një numër të madh të qytetarëve.

Ekspertët e ekonomisë Ilir Ciko, Arben Malaj dhe Eduart Gjokutaj në vlerësim të punës së KLSH-së theksuan rëndësinë që kanë ekspertët në leximin e raporteve dhe nëpërmjet medias përçimin në mënyrë të thjeshtë të asaj që njihet si “e vërteta përtej shifrave”.

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku evidentoi problemin e mosreagimit në kohë mbi auditet e KLSH-së.

“Pavarësisht rekomandimeve që KLSH realizon që ia kalon institucioneve dhe organeve ligjzbatuese, një pjesë e të cilave i dërgon edhe në Prokurorinë Speciale, në një pjesë e madhe të tyre nuk merren në konsideratë nga institucionet shtetërore”, tha Tabaku, duke shtuar se “ata duhet të reagojnë në kohë”.

Deputeti i PS-së Andi Qose tha se nga viti në vit konstatohet se institucionet i marrin në konsideratë rekomandimet e KLSH-së, por sipas tij ka nevojë për përmirësim në të ardhmen.