Mbrëmjen e 13 marsit disa media online në Shqipëri lajmëruan dorëheqjen e Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi. Lajmi u ripublikua me shpejtësi në portale të ndryshme në një orë të pazakontë, thuajse me të njëjtën përmbajtje. Tekst i shkurtër, i bazuar në burime të paidentifikuara – pa u shoqëruar me ndonjë dokument zyrtar që konfirmon dorëheqjen.

Burimi: Google

Pak orë më vonë, mëngjesin e Ditës së Verës, në media bëri bujë arrestimi i kreut të ARRSH-së. Në fakt, Evis Berberi ishte arrestuar mbrëmjen e 13 marsit me urdhër të SPAK me dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash- teksa disa portale kishin lajmëruar dorëheqjen e tij ‘jo zyrtare’. 

Burimi: Google

“Akuza për korrupsion dhe pastrim parash, arrestohet kreu i ARRSH-së” “Arrestohet kreu i ARRSH-së Evis Berberi”- Këto ishin disa nga titujt e portaleve online, teksa Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kishte urdhëruar arrestimin e tij, bashkë me dy sipërmarrësit Valter Begaj dhe Ervis Lame – për të njëjtat akuza. 

Por ndërsa pjesa dërrmuese e mediave e citonin Evis Berberin si drejtor të Autoritetit Rrugor Shqiptar- sikurse ai është- në disa media të tjera, Berberi cilësohej si ish kreu i ARRSH-së.  

Burimi: Google

Të njëjtat media që kishin lajmëruar dorëheqjen e tij orëve të vona të 13 marsit, të nesërmen shkruanin për arrestimin duke e cilësuar Evis Berberin në cilësinë e ish drejtuesit.

“Arrestohet ish- kreu i ARRSH-së, Evis Berberi” – njoftuan disa media. 

Nga një kërkim në faqen zyrtare të Autoritetit Rrugor Shqiptar rezulton se drejtues i ARRSH-së vijon të jetë Evis Berberi. Edhe në mbledhjen e fundit të qeverisë më 13 mars, nuk ka asnjë vendim për zëvendësimin e tij në krye të Autoritetit Rrugor. 

Po ashtu, edhe në profilet zyrtare të ARRSH-së dhe Berberit në rrjete sociale (ku postimet në ditë të zakonshme janë të shpeshta) nuk gjendet e publikuar ndonjë letër dorëheqjeje apo status publik që lajmëronte një veprim të tillë. 

Me dashje apo jo, disa media i kanë ofruar publikut informacion të manipuluar duke e konsideruar Evis Berberin si ish drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, në një kohë që ai ka qënë në detyrë. 

Autoriteti Rrugor Shqiptar është një nga institucionet shtëtërore më më të rëndësishme, për nga projektet dhe fondet publike që administron. Por deri më tani, qeveria nuk ka pasur ndonjë reagim lidhur me arrestimin e zyrtarit të lartë të rrugëve. 

AKUZAT E SPAK

Referuar njoftimit publik të SPAK, Evis Berberi së bashku me dy sipërmarrësit Valter Begaj dhe Ervis Lame, akuzohen se kanë përfituar para në mënyrë të parregullt nga tenderat publike përmes një skeme. 

Sipas SPAK, Berberi që më herët ka drejtuar Agjencinë për Efiçensën e Energjisë dhe më pas është emeruar si Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “Net – Group”, sh.p.k. (e cila ka fituar tenderat), përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “DAAM sh.p.k.”, të kontrolluar prej tij.

“Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga ana e shoqërisë ‘N…… Group’, sh.p.k., në zotërim të shtetasit nën hetim V. B., prokurime publike të zhvilluara me titullar të autoritetit kontraktor, shtetasin E.B., dhe më pas kanë kaluar vlera monetare nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë në zotërim indirekt të shtetasit E. B. “D…..” sh.p.k, me përfitues shtetasin E. B.. Këto vlera monetare të përfituara në mënyrë të parregullt, nëpërmjet shtetasve V. B., E. L. dhe B. B., i ka investuar në veprimtarinë ekonomike për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “D…..”sh.p.k, që përbëjnë edhe produkte të veprës penale”, sqaron SPAK.

Nisur nga këto rrethana Evis Berberi dyshohet nga SPAK për kyerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.  

Berberi u emërua në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar më 8 qershor të vitit 2021 duke zëvendësuar Ergys Verdhon.

PËRFUNDIM

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi ra në prangat e policisë mbrëmjen e 13 marsit, pasi SPAK urdhëroi arrestimin e tij nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash. Teksa Berberit i ishin vënë prangat, disa portale lajmëronin dorëheqjen e tij, duke cituar burime të paidentifikuara. Dhe kur arrestimi i bujshëm u publikua më 14 mars, të njëjtat portale që kishin shkruar lajmin e dorëheqjes, e etiketonin Berberin si ish drejtues të ARRSH-së- në një kohë që ai ka qënë në detyrë.