Projekti ambicioz për krijimin e Eko kampusit në Sarandë i propaganduar fort, në fushatën për zgjedhjet vendore 2015 rezulton i dështuar. Ai çoi dëm dhjetëra milionë lekë nga buxheti i shtetit dhe zhgënjeu komunitetin e mësuesve, nxënësve dhe prindërve. Përgjigjja zyrtare e Bashkisë Sarandë për Faktoje konfirmon se duhet një investim 2.5 miliardë lekë për të siguruar funksionimin e klasave, fond të cilin ajo nuk e përballon dot. Por KLSH, raporton se janë paguar para’ për punime të pakryera dhe është rritur në mënyrë fiktivë vlera e punimeve në objektin e Eko kampusit.

Ermir Hoxha

“Rezidenca qeveritare në Sarandë dhe parku i saj do të kthehen në hapësira komunitare. Ato do të shndërrohen në Ekokampus arsimor, sipas konceptit inovativ të shkollave të gjelbra.” premtoi kryeministri Rama në mesin e qershorit 2015 duke i rritur pritshmëritë  edhe më tej pritshmëritë me këtë angazhim:

“Shkollat e gjelbra” është një projekt tepër ambicioz i qeverisë në fushën e arsimit, financimi i të cilit mund të shkojë deri në 130 milionë dollarë. Investimi më mirë për një shoqëri, është investimi në arsim. Edhe ndërtimi i këtij kampusi do shihet si pjesë e paketës financiare dhe bashkë me ndërhyrje të tjera rigjeneruese.”

Henrieta është nxënëse e klasës së 6 në Sarandë, por për ekokampusin ka dëgjuar vetëm në raportimet e herëpashershme në portalet vendore dhe ca më rrallë nga televizionet.

“Unë vij çdo ditë nga Bredeneshi, për të shkuar në shkollë” -thotë ajo për Faktoje.

Henrieta, nxënëse e klasës së 6 nga Saranda

Ndërsa Nertila, mësuese në Sarandë është një prej atyre që besoi se një ditë do të jepte mësim tek ekokampusi i premtuar. Por sot ajo punon në shkollën 9 vjeçare “Adem Sheme” me kapacitet rreth 1000 nxënës, e cila ashtu si edhe shkolla tjetër “9 Tetori” zhvillon mësim me turne.

Shkolla 9 vjeçare “Adem Sheme”, Sarandë

Nëse ekokampousi do të ishte funksional ai do të mbulonte zonën Turizëm-Çukë dhe lagjet Gjatë e Metoq.

Nga një kërkim i Faktoje rezulton se mosfunksionimi i ekokampusit të premtuar është raportuar pothuajse çdo vit, sidomos nga mediat lokale në Sarandë, megjithatë ende nuk ka ndonjë vendimmarrje për vënien e ndërtesës në funksion për mësimdhënie.

Verifikimi në terren, në mars të këtij viti dëshmon se ndërtesa disakatëshe e ekokampusit me fasadë xhami, vijon të qëndrojë e mbyllur.

Ndërtesa e ekokampusit e mbyllur, mars 2023

Çfarë shkeljesh financiare gjeti KLSH për Eko kampousin

Faktoje kontrolloi fillimisht të dhënat zyrtare në lidhje me fondet e shpenzuara për realizimin e projektit.

Përmes një procedure të hapur, Bashkia e Sarandës ka hapur tenderin për EKO Kampusin e Sarandës më 09 nëntor të 2015, ndërkohë që firma fituese është shpallur një muaj më vonë.

Të dhënat nga Open Procurement Albania tregojnë se Bashkia Sarandë ka lidhur kontratën me kompaninë fituese për “EKO Kampus Saranda“ më 21 dhjetor të 2015, me një fondi limit prej 275 milionë lekë (pa TVSH).

Sipas afateve, kohëzgjatja e kontratës parashikohej 13 muaj dhe EKO Kampusi duhet të ishte gati në janar të 2017.

Financimi për EKO Kampusin e Sarandës mbulohej nga buxheti i shtetit përmes Fondit të Zhvillimit të Rajonve. Më poshtë paraqitet lista e projekteve që janë pjesë e programit të zhvillimit vendor dhe rajonal, përmes grantit të arsimit në vitin 2016.  EKO Kampusi përfshihet tek qarku Vlorë.

Sipas tabelës, vlera e projektit të EKO Kampusit në Sarandë llogaritet rreth 347 milionë lekë, nga të cilat 165 milionë është vlera e financimit për vitin 2016 dhe pjesa tjetër, financimi për vitin 2017.

Por zbatimi i kontratës në terren duket se është shoqëruar me parregullsi dhe shkelje financiare, që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit përkthehen në dëm ekonomik.

Gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në një raport auditimi ushtruar në Bashkinë Sarandë konstatojnë shtëmbërim të informacionit financiar lidhur me disa pagesa për investimet e kësaj bashkie, pjesë e të cilave është edhe projekti Eko kampus.

Po ashtu, nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës “EKO Kampus Sarandë”, Bashkia Sarandë, KLSH konstaton diferenca në volume pune të pakryera në fakt në vlerën 3,136,810 lekë pa TVSh.

Për këtë arsye, Kontrolli i Lartë i Shtetit i rekomandon Bashkisë Sarandë të marrë nga firma zbatuese këtë shumë parash, pasi kjo vlerë përfaqëson dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit dhe njësisë vendore, si pasojë e likuidimit të punimeve të pakryera, por për këtë çështje nuk rezulton të ketë ndonjë masë.

Në të njëjtin raport të KLSH ndër të tjera rezulton rritje fiktive e vlerës së punimeve:
“Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “EKO Kampus Sarandë”, konstatohet se nuk është argumentuar rritja e diametrit të hekurit punues në pllakën e themelit, nga Ø=18 mm, në Ø = 22 mm, si pasojë e të cilit është shtuar 50369 kg hekur gjithsej.

Vlera e këtij volumi prej 5,188,003 lekë përbën përdorim të fondeve publike pa ekonomicitet. Projekti i këtij objekti, i cili është në vlerë më të madhe se 100 milionë lekë, nuk ka marrë oponencën teknike nga institucioni përkatës dhe për pasojë ndryshimi i projektit ka sjellë rritjen fiktive të vlerës së zbatimit, në kundërshtim me nenin 8 të ligjit nr. 8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar dhe kreun I, pika 1, të UKM nr. 2, datë 13.5.2005 “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit”, me ndryshime”-thuhet ndër të tjera në gjetjet e KLSH.

Ne pyetëm ekspertë të auditimit në lidhje me shkeljet e evidentuara nga KLSH dhe morëm këtë opinion:
“Vlera e kontrates me tvsh ka qenë 330,577,453 leke ose rreth 2.8 milione euro. Kjo kontratë është financuar me një grant të buxhetit të shtetit të alokuar për vitet 2016 dhe 2017 (viti i perfundimit). Duhet parë nëse kjo kontrate përfshinte dhe mobilimin apo vetëm rikonstruksionin dhe si ishte menduar në atë kohë të financohej i tërë projekti. Kur për vlera të krahasueshme janë rindertuar dhe mobiluar shkolla të shkatërruara nga tërmeti i vitit 2019. Përveç kësaj KLSH ka gjetur rreth 3.1 mln lekë dëm ekonomik dhe rreth 5.2 mln lekë përdorim fondesh pa ekonomicitet në lidhje me këtë kontratë.”

Ministria e Arsimit refuzon përgjigjen për Eko kampusin

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion ministrisë së Arsimit dhe Sporteve në lidhje me këtë çështje, por ministria ia delegoi Bashkisë Sarandë. Kjo e fundit pranon se ndërtesa nuk ofron klasa funksinale dhe se duhen rreth 2.5 miliardë lekë investim për këtë, një fond i papërballueshëm nga pushteti vendor.

Screenshot i përgjigjes së bashkisë Sarandë, 18 mars 2023

Gjatë verifikimit rezulton se çështja e mosfunksionimit të Eko kampusit është ngritur edhe në mbledhjet e komisionit të medias dhe edukimit, çka na e konfirmoi edhe deputetja Ina Zhupa:

“Hapat janë ZERO, unë kam bërë 4 denoncime për mosfunksionimin e Eko kampusit, në seancë me ministren e Arsimit, në tetor 2021 dhe nëntor 2022, në komision dëgjimor me ministren, e cila më tha se do hapet!”

Ish zyrtarë të drejtorisë arsimire në Sarandë, thonë se projekt ideja për ekokampusin u dha diku nga 2007-ta dhe në 2010 nisi realizimi financuar nga Fondi i Zhvillimit të rajonve.  Por ky kompleks arsimor, i cili do ishte revolucionar në shkallë kombëtare, është shndërruar tashmë në një legjendë urbane nga mosvënia në funksion edhe pse pikënisja ishte shmangia e mësimit me turne në shkollat ekzistuese.

Reagim 

Ne kontaktuam me një nga inxhinierët që u angazhua për të siguruar terrenin ku do ndërtohej Ekokampusi, Hekuran Halili.

“Çfarë nuk hoqëm për ta marrë atë terren që synohej nga të tjerë për arsye ndërtimi…”, thotë ai.  

Hekuran Halili, inxhinier

I pyetur për kostot që sjell mosfunksionimi dhe mugesa e mirëmbajtjes së ndërtesës, inxhinieri tregon: “Ka koston normale të asaj përqindjeje amortzimi të çdo godine në vit, por edhe një kosto lidhur me specifikat klimatike të Sarandës prej një ajri agresiv nga përmbajtja e lartë e lagështisë dhe kripës, që dëmtojnë suvanë, xhamerinë dhe izolimin tarracor. Por kostoja e pakthyeshme është në aspektin social, tek prindërit, nxënësit që mësojnë ende me turne dhe mësuesit që meritojnë kushte më dinjitoze mësimdhënieje.“-përfundon ai.

*Ky artikull publikohet në kuadër të thirrjes për 10 shkrime me profil fact checking, pjesë e projektit “Forcimi i Gazetarisë Fact Checking në Shqipëri” që po zbatohet nga organizata Faktoje, mbështetur nga Ambasada Hollandeze. Këto artikuj janë pjesë e konkursit kombëtar, për çmimin “Fatos Baxhaku”.