Shqipëri- Britani, bashkëpunim për prodhimin ushtarak

Kryeministri Rama theksoi se marrëveshja me Italinë për refugjatët është e vetme

59

Në konferencën e përbashkët për shtyp mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit britanik Keir Starmer dy ishin temat kryesore: Marrëveshja mes dy vendeve për prodhimin e automjeteve ushtarake dhe emigracioni.

Kryeministri Starmer foli për thellimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, me fokus të veçantë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Një element kyç i këtij partneriteti, sipas tij, është nënshkrimi i një deklarate të përbashkët për bashkëpunim në prodhimin dhe shitjen e automjeteve ushtarake, i konfirmuar më pas edhe nga kryeministri Edi Rama kur u pyet nga media.

”Ne jemi shumë të nderuar që e kemi këtë partneritet, me shpresë që do të nisë me prodhimin e automjeteve, të cilat do t’u shërbejnë qëllimeve tona të përbashkëta e më pas sa më shumë aq më mirë. Kjo është ideja”, tha Rama

Emigracioni

Temë e diskutimit ishte edhe emigracioni. Kryeministri Edi Rama tha se në vitin 2024, numri i shqiptarëve që kanë hyrë ose tentuar të hyjnë ilegalisht në Britani është vetëm disa qindra, në kontrast me fluksin e madh prej 12 mijë personash në vitin 2022.

Sipas tij, është hedhur poshtë edhe pretendimi i rremë se 1 në 50 shqiptarë është në burg në Britani, duke theksuar se shifra reale është 1 në 500, pra dhjetë herë më e ulët.

“Ajo që thatë edhe ju, task-forca jonë e përbashkët ka funksionuar për të frenuar emigracionin e paligjshëm dhe ndërkohë kemi dhe marrëveshjen tonë të përbashkët për transferimin e personave të dënuar sepse ne dëshirojmë që pikërisht pra këta të dënuar, ta vuajnë dënimin këtu në Shqipëri, ndërkohë që kemi mbështetur të rinjtë që ta kryejnë dhe ta kenë jetën e tyre në Shqipëri”, tha Starmer.

Ndërkohë, Rama tha se, gjatë takimit bilateral u ngrit edhe çështja e shqiptarëve të integruar prej dekadash në Britani, që kanë përdorur identitet kosovar për të fituar statusin e refugjatit në të kaluarën, duke shtuar se ata sot po përballen me probleme të identitetit të dyfishtë.

Modeli Italian

Kryeministri Edi Rama u përgjigj dy herë gjatë konferencës për shtyp për çështjen e debatuar prej vitesh nëse do të kemi një model të dytë me britanikët si ai me Italinë për refugjatët.

Rama tha se modeli i bashkëpunimit për çështjet e emigracionit mes Shqipërisë dhe Italisë është një projekt eksperimental që kërkon kohë për t’u testuar dhe vlerësuar.

Nëse rezulton i suksesshëm, sipas tij, mund të replikohet, por jo në Shqipëri, por në vende të tjera të rajonit. Rama theksoi sërish se marrëveshja me Italinë është e vetme. “Për të qenë shumë i sinqertë me ju, na kanë kërkuar një sërë vendesh nëse ishim të hapur për një gjë të tillë dhe u kemi thënë jo, sepse jemi besnik ‘martesës’ me Italinë dhe pjesa tjetër është thjesht ‘dashuri”, tha Rama.