Prindërit dhe mësuesit mbeten të ndarë mbi kapacitetet e shkollave në Shqipëri për të adresuar episodet e shpeshta të bullizmit ndërmjet nxënësve, ndërsa psikologët theksojnë se fëmijët duhet të adresohen për ndihmë të specializuar.
Ilda Hoxha
Luljeta, nënë e një djali 10-vjeçar nga Berati, prej dy vitesh ndjehet si miu në çark – në një gjendje të vështirë e pa rrugëdalje, për shkak të dhunës verbale me të cilën i biri përballej në shkollë.
“Më tregonte djali që i thoshte një prej shokëve që ‘sot do të thyej turinjtë’ dhe kjo vazhdonte për një kohë të gjatë,” tha Luljeta për Faktoje. “Fëmija më thoshte do vras veten, u bëra dhe unë të vras veten,” shtoi ajo, duke dëshmuar për një ndjenjë dëshpërimi në rritje.
Luljeta tregoi se si pasojë e bullizmit me të cilën djali i saj përballej, ai u bë agresiv dhe i dhunshëm, ndërsa ankohet se kishte mungesë komunikimi dhe bashkëpunimi nga mësuesi kujdestar dhe psikologjia e shkollës.
Bullizmi me të cilën po përballet djali i Luljetës nuk është një rast i veçuar. Të dhëna të mbledhura nga Faktojë nëpërmjet një ankete online nga dhjetëra prindër tregojnë se shkollat shqiptare mbeten zona të nxehtë për sa i përket dhunës verbale dhe bullzimit shoqëror të fëmijëve.
Shumica e prindërve të anketuar, fëmijët e të cilëve janë përballur me bullizëm në shkolla, ngjashëm me Luljetën ankohen se nuk kanë pasur mbështetjen e duhur, ndërsa mësuesit dhe psikologët e vlerësojnë më pozitivisht reagimin e institucioneve arsimore.
Pavarësisht pikëvështrimeve të gjithë bien dakord mbi pasojat e rënda të bullizimit në shëndetin mendor të fëmijëve.
“Pasojat e një bullizmi të pa menaxhuar mund të kenë pasoja fatale tek fëmijët, pasi përjetimi i abuzimit emocional të vazhdueshëm shkakton probleme të shëndetit mendor, ku mendimet vetëvrasëse bëhen më prezente, si një mënyrë për t’i dhënë zgjidhje problemit, sidomos kur këta fëmijë nuk dinë ku të kërkojnë ndihmë kur nuk gjejnë mbështetjen dhe mirëkuptimin e nevojshëm,” tha psikologja Arjana Muça.
“Zakonisht këta fëmijë mbyllen në vetvete, përjetojnë emocione të frikës, të talljes dhe qëndrojnë të vetëm”, shtoi ajo.
Shifra alarmuese
Një raport i UNICEF, “Raportimi i Dhunës Ndaj Fëmijëve në Shqipëri”, theksohet se 60 për qind besojnë se bullizmi kibernetik është shumë i përhapur dhe 57 për qind besojnë se bullizmi në shkolla është shumë i zakonshëm.
“Bullizmi konsiderohet si më i përhapur se format e tjera të dhunës ndaj fëmijëve. Shumë persona raportuan se bullizmi është i zakonshëm ose shumë i zakonshëm në krahasim me ata që raportuan se dhuna ndaj fëmijëve është e zakonshme ose shumë e zakonshme, çka tregon se shumë persona nuk e perceptojnë bullizmin si formë të dhunës ndaj fëmijëve”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.
Sipas anketës të organizuar nga Faktoje nëpërmjet aplikacionit ‘Engaged Community Reporting’ (ECR), 84% e prindërve raportojnë se fëmijët e tyre përballen me bullizëm në shkolla. Prindërit raportojnë se format më të përhapura mbeten dhuna verbale dhe bullizmi shoqëror, duke sjellë pasoja për gjendjen emocionale të fëmijës.
Olta, nëna e një 7-vjeçari në Tiranë, i tha Faktoje se djali i saj është përballur me bullizëm verbal, shoqëror, por edhe fizik. Ajo u ankua se problemi nis nga mësuesja e klasës, e cila gjithashtu ofendon fëmijët.
“Për fat të keq kemi një mësuese që i diferencon shumë fëmijët, i ofendon, u vë nofka dhe më pas ky bullizëm pasohet nga shokët në ambientet e klasës dhe të jashtme,” tha Olta, ndërsa theksoi se mësuesja merret vetëm me mangësitë e fëmijëve dhe nuk u ushqen asnjëherë meritat që ka fëmija.
“Vazhdimisht e vë theksin vetëm tek problemet e fëmijëve, nuk i inkurajon, i demoralizon vazhdimisht”, shtoi ajo.
Edhe psikologët shprehen se rastet e bullizmit në shkolla janë evidente dhe mbeten të patrajtuara siç duhet.
“Situata në shkollat tona – edhe pse është bërë një punë e pandalshme nga mësuesit, psikologët mbi fenomenin e bullizmit ,vazhdon të mbetet një problematikë e pakuruar sa duhet, pasi rastet e bullizmit i kemi në përditshmërinë e nxënësve,” tha Arjana Muçaj.
“Shifrat e bullizmit janë ende alarmuese, për sa i përket ngacmimeve si tek djemtë, po ashtu dhe vajzat,” shtoi Muçaj, duke ju referuar edhe anketa të bëra nga Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.
Lediona Asabella, punonjëse sociale në gjimnazin “Besnik Sykja” në Tiranë pranoi se megjithë punën e bërë për ta luftuar këtë fenomen të rrezikshëm, ai mbetet i përhapur në shkolla.
“Sado punë dhe luftë që bëhet, ne nuk e kemi çuar dot në zero,” tha ajo.
Mësuesit, pararojë kundër bullizmit
Blerina Kurti, mësuese në një shkollë 9-vjeçarë në qytetin e Beratit tregon për Faktoje se kur konstatojnë raste bullizmi i adresojnë ato me ndihmën e stafit pedagogjik.
“Është një staf me 40 vjet eksperiencë dhe me përvojën që kanë i zgjidhin vetë gjërat brenda klasës,” tha ajo. “Puna është e ndërthurur, psikologjia është e re në profesionin e saj, por ka kontakt të përditshëm nëpër klasa për të parë se si është situata”, shtoi Kurti.
Mësuesit raportojnë se përballen herë pas here me raste të bullizmit në klasa, por këto raste menaxhohen nga shkolla.
Xhensila Kokoshi, mësuese në Korçë thekson se janë përballur me raste të bullizmit shoqëror, që ka shkaktuar tërheqje të nxënësit viktimë nga grupi shoqëror, por edhe mbyllje në vetvete.
Nga ana tjetër, psikologët theksojnë rëndësinë që ka informimi i vazhdueshëm i prindërve nga mësuesit mbi veprimtarinë e fëmijëve të tyre.
“Mësuesi duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me prindit, duke i afruar më pranë aktiviteteve shkollore i bën prindërit më të përgjegjshëm në rolin aktiv prindëror ndaj fëmijës”, thekson psikologja Arjana Muçaj.
Roli i shkollave
Pyetësori i Faktoje, ku u përgjigjën dhjetëra qytetarë, prindërit ankohen tregon se në 59% të rasteve, shkolla nuk ka ofruar ndihmën e duhur për fëmijët e prekur nga fenomeni i bullizmit.
“Roli i psikologëve në shkolla duhet të nisë me ndërgjegjësimin e të rinjve në lidhje me fenomenin dhe pasojat që rrjedhin nga një bullizëm i vazhdueshëm, por jo vetëm kaq, të identifikojnë personat, të cilët kanë tendencën të shfaqin sjellje jo sociale dhe të merren me rastet në trajtimin ose më saktë menaxhimin e sjelljeve problematike që shfaqin”, sugjeroi psikologja Arjana Muçaj.
Më tej ajo shton se koordinimi i mirë i psikologëve me mësuesit do të ndihmonte më së miri në identifikimin, gjetjen e rasteve të fëmijëve problematikë, por edhe për të kontribuar në rritjen e komunikimit prind-fëmijë -psikolog.
Punonjësja sociale Lediona Asabella shprehet se është mjaft e rëndësishme të bëhet një punë si ekip për ta frenuar këtë fenomen
“Roli që duhet të bëjnë mësuesit dhe shërbimi psiko-social në shkollë… është identifikues dhe parandalues, dhe pastaj kur dhuna dhe bullizmi ndodh është roli i menaxhimit të konfliktit, dhe pastaj trajtimi i të lënduarit dhe trajtimi i atij që ka bërë dhunën”, shpjegoi ajo.
Psikologja klinike Anori Kroj argumenton se pa punën edhe mobilizimin e prindit puna e një psikologu bëhet tejet e vështirë.
“U kërkoj prindërve të jenë shumë bashkëpunues,” tha ajo. “Madje ka seanca që i zhvilloj me fëmijën edhe prindin ose të dy prindërit”, shtoi Kroj.
Ndërgjegjësim në rritje
Në të shumtën e rasteve, prindërit raportojnë se kanë qenë vetë ata që i kanë menaxhuar rastet e bullizmit tek fëmijët e tyre. Të dhënat e pyetësorit tregojnë se në 53% të rasteve, ka qenë familja që ka ofruar mbështetje për këta fëmijë. Megjithatë, sipas ekspertëve kjo nuk është domosdoshmërish rruga e duhur për ta adresuar problemin.
“Kur prindërit kuptojnë se çfarë po ndodh me fëmijën e tyre, edhe dinë, edhe nuk dinë si të veprojnë, por ajo që duhet bërë është ndërhyrja e menjëhershme me ndihmën e psikologut, mësuesit, por qoftë dhe të institucioneve të tjera, për t’i dhënë zgjidhje që fëmija të ndihet i sigurt dhe i mbështetur”, tha Arjana Muçaj.
Psikologja Joana Paço thekson se shumë fëmijë nuk i tregojnë rastet e bullizmit, por edhe prindërit tregohen njësoj të mbyllur.
“Pjesa më e madhe e fëmijëve tentojnë ta fshehin ose vetemenaxhojnë,” tha ajo. “Po kështu ka raste kur dhe vetë prindërit priren ta ndihmojnë fëmijën të vete-menaxhohet, pa kuptuar mirë seriozitetin e situatës,” theksoi ajo, ndërsa shtoi se gjatë viteve të fundit ndërgjegjësim ka ardhur në rritje për kërkuar ndihmë më të specializuar.
Paço shtoi se bullizmi ndikon thellësisht në emocionet dhe sjelljen e fëmijëve dhe nëse lihet i patrajtuar mund të çojë në ndikime të gjata emocionale dhe sociale përgjatë rritjes.