BARDHA NERGJONI
Në të paktën 6 shkolla në fshatrat e Elbasanit viti i ri shkollor, i dyti në kushtet e pandemisë, nisi në kushtet e mungesës së ujit dhe mjediseve optimale për të zhvilluar mësim. Vetë zyrtarë të bashkisë së Elbasanit, pranojnë se edhe këtë vit fondet me pikatore, mjaftuan vetëm për lyrje apo ndonjë rregullim fasade, që nuk e zgjidhin problemin e lagështirës apo sigurimin e higjienës, ashtu siç apeloi këtë të dielë edhe ministrja e Arsimit, Evish Kushi.
“Në të gjitha shkollat janë marrë masat që ky vit shkollor të nisë sa më mbarë! Siguria dhe shëndeti juaj është elementi më i rëndësishëm për ne, prandaj lutja që kam për ju është që të respektoni të gjitha rregullat dhe masat në shkollë,”- u shpreh ndër të tjera ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila është edhe deputete në qarkun e Elbasanit, në videomesazhin drejtuar komunitetit me rastin e vitit të ri shkollor.
Pavarësisht se ministrja garantoi marrjen e masave, rezulton se të paktën në fshatrat e Elbasanit, edhe këtë vit shkollor do të mungojnë kushtet minimale higjienike.
5 klasa në Shëgune të Elbasanit do të vazhdojnë mësimin në një shkollë pa ujë të rrjedhshëm dhe në mungesë të kushteve higjienike, në vitin e dytë shkollor pandemik. Nga një verifikim i bërë në terren për Faktoje, kjo shkollë vazhdon të mos ketë ndërhyrje sa i përket ujit të rrjedhshëm. Pusi i ngritur me donacion në këtë shkollë është jashtë funksioni, ndërkohë që mungesa e ujit është një problem edhe për 300 banorët e fshatit, në shtëpitë e tyre.
Shtëpia e Besnik Bardhit, ndodhet përballë shkollës së fshatit dhe tani që nis shkolla, nxënësit shkojnë dhe kërkojnë ujë.
“Këtu kur nuk bie shi dhe gjatë gjithë stinëve të ngrohta nuk ka ujë. Shoh nxënësit e më dhimbsen që vijnë kërkojnë ujë. Unë nuk kam për vete. E gjithë lagjja nuk ka. Erdhën nga bashkia që të thellonin pusin, apo të bënin një pus diku më tej, por u zhdukën së bashku me premtimin”-thotë Besniku për Faktoje.
Adem Muça, një banor i këtij fshati që ndodhet vetëm pak kilometra nga qyteti, konfimon se situata mbetet e pandryshuar prej vitesh.
“Ne jemi pa ujë. As me puse nuk e zgjidhim dot, pasi këtu nuk ka ujë dhe duhet një thellësi shumë e madhe që të nxjerrësh ujë. Këta janë fëmijë e nuk dinë gjë. Duan të lajnë duart. Po nuk pati ujë, normalisht që nuk ka as higjienë e as banjo”-thotë ai i indinjuar.
Situata në shkollën e fshatit Godoloesh nuk ndryshon shumë nga ajo e fshatit Shëgune. Me vendosjen e një depozite, kjo shkollë më në fund ka ujë mjaftueshëm për nxënësit, por godina po rrënohet dita ditës, banjot janë në kushte të këqija dhe e vetmja ndërhyrje që pati, ishte shtrimi i oborrit me beton dhe lyerja. Këto ndërhyrje nuk e zgjidhin problemin e lagështirës, që pushton ndërtesën gjatë dimrit.
Bashkia mjaftohet me kurimin e “fasadave” në prag të fillimvitit
Disa shkolla kanë patur fatin të lyhen më herët, ndërsa disa të tjera në ditët e fundit të mësimit plotësues dhe në prag të fillimit zyrtar të vitit shkollor. Edhe pse tenderi në vlerën rreth 57 milion lekë të reja i fituar nga dy kompani është përfunduar më në gusht, shkollat dhe kopshtet e qytetit, por edhe të fshatrave janë përfunduar së lyeri gjatë javës së tretë të shtatorit. Sipas afatit të tenderit, ky proces duhet të kishte përfunduar deri në 07.09.2021.
Shkollat “Sul Misiri”, Shushicë, Godolesh dhe pjesa më e madhe e kopshteve janë lyer javën e fundit (një javë para fillimit të vitit shkollor). Shumica e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave kanë kërkuar nga nxënësit para për lyerjen individuale të klasave në shkollat e planifikuara për t’u lyer, për shkak të kësaj vonese.
I.M është mësuese filloreje në shkollën “Sul Misiri”. Ajo bashkë me nxënësit janë angazhuar në lyerjen e klasës. Shkolla “Sul Misiri” njihet për mjedise mësimore të amortizuara.
Edhe pse i është kërkuar një koment lidhur me këtë situatë të krijuar në vonesën për lyerjen e shkollave, kryetari i bashkisë Elbasan nuk ka kthyer një përgjigje.
Edhe kërkesës sonë për infomacion në lidhje me ndërhyrjet konkrete dhe ato të planifikuara për investime në shkolla, bashkia Elbasan ende nuk i ka kthyer përgjigje. Në një komunikim me median lokale nënkryetarja e bashkisë Vesa Liço tha se fondet për ndërhyrje në shkolla nga buxheti i shtetit, këtë vit thuajse kanë munguar. “Nga ana infrastrukturore ka patur ndërhyrje në çdo shkollë. Për fat të keq të gjitha shkollat e Elbasanit nuk kanë pasur financimin e duhur, kjo dedikuar një rendi proriteti vitin që kaloi nga ana e qeverisë për zonat e prekura nga tërmeti. Sigurisht që do kishte prioritet që fondet e investimit të shkonin në zonat e dëmtuara nga tërmeti. Sigurisht me përmbylljen e atij procesi në ato zona të dëmtuara, besoj se do kthehet vëmendja aty ku duhet në infrastrukturën e Elbasanit dhe më tutje”-ka deklaruar Liço, e cila theksoi se përparësia e bashkisë është shmangia e mësimit me turne, por kjo kushtëzohet nga mungesa e mjediseve të mjaftueshme mësimore.
Shkolla e vetme e shpallur e pafrekuentueshme për shkak të tërmetit, ajo e Treganit edhe këtë vit nuk do t’i hapë dyert për shkak të mungesës së investimit. Rreth 150 nxënësve të kësaj shkolle këtë vit do t’u duhet të udhëtojnë drejt fshatit Kuqan për të zhvilluar mësim.