Nga Emi Kalaja
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në qarkun e Shkodrës u zhvilluan në një klimë të pasigurt për Partinë Demokratike, e cila për herë të parë pas 35 vitesh garoi pa kontrollin e Bashkisë Shkodër.
Humbja e pushtetit vendor kishte dobësuar ndjeshëm influencën tradicionale të PD-së mbi administratën dhe rrjetet sociale lokale, duke e bërë mobilizimin elektoral më të vështirë se kurrë më parë.
PD ruan mandatet
Megjithë këtë disavantazh, PD arriti të ruajë 5 mandatet parlamentare, një rezultat që në kushtet aktuale vlerësohet si fitore e rëndësishme morale. PD arriti të rikthejë në politikën qendrore, përmes listave të hapura, një nga figurat me influencë në radhët e saj ish-kryebashkiakun Bardh Spahia. Nëpërmjet sistemit të listave të hapura, Spahia mori afro 10 mijë vota nominative.
Spahia u votua drejtpërdrejt nga qytetarët, pavarësisht humbjes së kontestuar nga opozita së bashkisë në vitin 2023.
PS, fitore e pamjaftueshme

Partia Socialiste, me gjithë fuqinë e pushtetit qendror dhe lokal, arriti të marrë 4 mandate, një më shumë se në vitin 2021. Për gazetarin Bepin Kolvataj, ky rezultat nuk përfaqëson rritje reale të mbështetjes popullore.
“Mandati i katërt u sigurua falë transferimit politik të ish-deputetit të LSI-së, Agron Çela, dhe kandidimit të vajzës së tij në listat e PS-së, Xhenis Çela. Dhe kjo është tërësisht e provuar bazuar mbi shifrat.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Partia Socialiste në Bashkinë Shkodër dhe rrethinat e saj mori 15,848 vota, ndërsa Agron Çela, asokohe kandidat i LSI-së, arriti të merrte 7,880 vota. Në këto zgjedhje të dyja së bashku në këtë bashki kanë marrë 24,115 vota, pra shumatorja e 2021-shit me një plus minimal prej vetëm 387 votash,” përfundon gazetari Kolvataj.
Tashmë që rezultati i mandateve është definitiv, mund të thuhet se nga 11 mandate që prodhon Qarku i Shkodrës, 5 mandate i ka marrë PD, duke tejkaluar me një mandat listën e mbyllur, 4 PS dhe 2 PSD e Tom Doshit.
Malësia e Madhe votë për PS
Në bashkitë Pukë, Fushë-Arrëz dhe Shkodër ka fituar Partia Demokratike; në bashkinë Vau i Dejës PSD doli forcë e parë, ndërsa PS doli forcë e tretë. E vetmja fitore e plotë e PS-së u regjistrua në Malësinë e Madhe, e cila u “blindua” nga Partia Socialiste me një prezencë të fortë organizative, katër kandidatë të pozicionuar fort në listë dhe bashki me pushtet të majtë.
Arsyet
Ergys Kavaja, gazetar në Shkodër, thotë se shpërndarja e 11 mandateve në Shkodër ka treguar se partitë politike në këtë qark nuk kanë arritur të dalin jashtë kuadratit të mbështetësve tradicionalë të forcave politike.
“Kjo fushatë tregoi që kandidatët, kryesisht ata të listave të hapura, nuk dolën jashtë kuadratit të subjektit politik, ku PS, PD dhe PSD kanë numër më të ulët mbështetësish në raport me 2021, ku edhe pjesëmarrja është më e ulët, si një ndëshkim për besimin ndaj politikës”
PSD
Partia Socialdemokrate e Tom Doshit konfirmoi fuqinë e saj si faktor, duke mbajtur sërish 2 mandate, një rezultat identik me atë të zgjedhjeve të mëparshme. PSD vazhdoi të ushtrojë ndikim të fortë në zonat rurale dhe në segmentet sociale të pakënaqura, duke ruajtur pozicionin e saj si vendimmarrëse në lojën e mandateve.
Megjithatë, raportet e tensionuara me PS-në, veçanërisht pas akuzave të drejtpërdrejta të Doshit ndaj kryebashkiakut Benet Beci dhe aksionit të bujshëm të SPAK pak ditë para zgjedhjeve, treguan qartë se PSD ka dalë nga “hija” e bashkëpunimeve të dikurshme dhe synon të mbajë një pavarësi të theksuar në lojën politike.
Mbështetësit
Një ndër mbështetësit e hershëm të Tom Doshit e sheh rezultatin e tij të pritshëm, por tregon se ndjen keqardhje për përçarjen dhe luftën e brendshme me PS Shkodër:
“Ne kemi ardhur në 2013 tek Partia Socialiste me Tom Doshin, ai ka qenë përherë ‘gjenerali’ i fitoreve të socialistëve dhe nuk ka lëshuar kurrë njerëzit e tij. Nuk mund të shihemi nga PS si armiq,” thotë ai, i cili nuk e feston fitoren me të njëjtin entuziazëm si herët e tjera.
Nga ana tjetër, deputetja Greta Bardeli, teksa përmbyllet procesi, shprehet e zhgënjyer nga rezultati i zgjedhjeve në gjithë Shqipërinë, por ngre kokën lart kur flitet për Shkodrën:
“Duhet t’i puthim dorën çdo shkodrani dhe t’i falënderojmë me zemër. 12 vite nuk kemi pasur ne si deputetë asgjë për t’u ofruar dhe tashmë ata mbajnë presionin e ‘bukës së gojës’ mbi supe. Me gjithë faktorët dhe tentativat për shit-blerje të votës, ata sërish na besuan,” thotë ajo e përlotur.
Fitore “me pishman”
Demokratët e thjeshtë sërish nuk gjejnë paqe. Një nga numërueset e PD-së, në përfundim të numërimit të votës preferenciale, thotë:
“Po të kishim qenë aq garues me PS-në sa u treguam në garën e brendshme, sot do të kishim 6 deputetë. Na mungojnë 6 mijë vota të demokratëve, të cilat i morën partitë e vogla, pasi ne nuk ditëm të krijonim besim. Dhe kjo është humbja jonë sot,” thotë ajo, teksa dorëzon procesverbalin e fundit.
Kryebashkiaku
Kryebashkiaku i Shkodrës dhe njëkohësisht drejtuesi politik i këtij qarku, Benet Beci, në përmbyllje të procesit, shkroi në një status në Facebook:
“Në Qarkun e Shkodrës, edhe pse nuk jemi forcë e parë, kemi arritur objektivin tonë kryesor: sigurimin e një mandati shtesë deputeti dhe kemi qenë shumë pranë mandatit të dytë shtesë. Kemi ruajtur epërsinë dhe fitoren në Malësinë e Madhe, ndërsa kemi shënuar një rritje spektakolare të votave në Bashkinë Shkodër, një dëshmi që qytetarët po e mbështesin gjithnjë e më shumë betejën tonë për zhvillimin e këtij qyteti.
Fitorja më e madhe padyshim është qetësia, qytetaria dhe pozitiviteti që i dhamë Shkodrës gjatë kësaj periudhe të gjatë gare, si rrallëherë më parë. Dhe këtë hap e bëmë bashkë me të gjithë qytetarët e qarkut tonë.”
Diaspora ruajti bastionin

Edhe pse procesi i votimit në diasporë u shoqërua me problematika të shumta, përfshirë vonesa në shpërndarjen e zarfeve dhe kontestime procedurale, rezultati përfundimtar në 13,523 zarfa të ardhura për qarkun e Shkodrës konfirmoi edhe një herë dominimin e Partisë Demokratike. Ky rezultat tregon qartë se, pavarësisht sfidave organizative dhe përpjekjeve për të ndikuar votën jashtë vendit, diaspora mbetet besnike ndaj bindjeve tradicionale dhe ndihmoi në ruajtjen e bastionit historik të së djathtës në Shkodër, qoftë edhe simbolikisht.
Megjithatë, ky proces është parë me mosbesim edhe nga vetë emigrantët, të cilët i frikësoheshin manipulimit të votës.
Arben dhe Lucie Gjeloshi, një çift që prej vitesh jetojnë në Itali, kanë udhëtuar posaçërisht për të votuar në Shkodër:
“Ne jemi demokratë në shpirt, nuk u regjistruam hiç në Itali se nuk kishim besë. Ishalla këtu nuk na bëjnë filma, por ne ndihemi më të lehtësuar kështu,” thonë ata për Faktoje.
Partitë e vogla
Votat e partive të vogla në këtë qark tregojnë një përpjekje për diversifikim politik, por vetëm PSD arriti të marrë dy mandate ndërsa të tjerat mbeten të papërfillshme në ndikimin politik të qarkut.
Rezultatet tregojnë se në votën e diasporës është evidentuar një mbështetje më e gjerë për partitë e vogla, krahasuar me prirjet brenda vendit. Elvis Deda, i riu kandidat i partisë “Mundësia”, thotë për Faktoje: “Unë kam qenë gjithmonë demokrat, kam qenë vëzhgues dhe mbështetës i kësaj force politike në shtabet e tyre në Shkodër. Zgjodha partinë ‘Mundësia’ sepse vërtet më dha ‘mundësinë’ në një eksperiencë që më rriti shumë në përballjen direkte me qytetarët e Shkodrës. Këtë herë isha në vijë të parë të fushatës dhe munda të njoh shumë njerëz, të njihja më nga afër qoftë mentalitetin, qoftë qasjen e tyre ndaj politikës.
Më vinte keq teksa shpërndanim broshura me programin e partisë dhe të parët që na sulmonin ishin kandidatët e rinj të Partisë Demokratike në listën e deputetëve. Si unë dhe ata e dinim që nuk do arrinim të futeshim në Kuvend, por e di që misioni im nuk përfundon me një garë elektorale. Jam idealist dhe jam i lumtur pasi shkodranët na votuan për aq sa na njohën,”, tha ai
Pjesëmarrje e ulët
Sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 2011 deri në 2023, popullsia e Qarkut Shkodër ka rënë me 28.3%, kryesisht për shkak të emigracionit masiv dhe tkurrjes demografike.
Kjo rënie e ndjeshme e popullsisë ka reflektuar drejtpërdrejt në këto zgjedhje, me ulje të numrit real të banorëve rezidentë dhe, si rrjedhojë, edhe të votuesve aktivë.
Pavarësisht rritjes së peshës së votës së diasporës, ajo nuk ka mjaftuar për të kompensuar këtë rënie të thellë në pjesëmarrjen lokale. Por kjo mund të përkthehet edhe si një sinjal i qartë i pakënaqësisë, indiferencës ose mosbesimit ndaj ofertës politike
SPAK
Kur procesi i numërimit të votave ishte në kutitë e fundit, SPAK zbarkoi në Shkodër. SPAK dhe BKH ndërmorën një tjetër aksion në Shkodër, ku u shoqëruan disa persona për krime zgjedhore. Gjithashtu ka pasur edhe një aksion për kontroll personal dhe të automjeteve me vendim të GJKKO.
Më 8 maj, vetëm 3 ditë para zgjedhjeve të 11 majit, SPAK, BKH dhe Policia e Shkodrës kryen kontrolle dhe veprime hetimore në Malësi të Madhe, Barbullush, Bushat dhe Mjedë, gjithashtu në kuadër të parandalimit të krimeve zgjedhore.
BKH dhe policia kryen kontrolle në disa banesa, zyra e automjete që, sipas burimeve, i përkisnin anëtarëve të shtabit të PSD.
Një ndër lajmet më të bujshme ishte se SPAK kishte sekuestruar celularin e kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli.
Kryebashkiaku reagoi të nesërmen nga terreni, duke konfirmuar se ishte në detyrë, por pa mohuar ose pohuar lajmin për sekuestrimin e telefonit personal.