NGA EMI KALAJA

Në ditën e zgjedhjeve, qyteti i Shkodrës është përfshirë nga një atmosferë e pazakontë qetësie dhe pasigurie. Në të pesë bashkitë e qarkut nuk është raportuar asnjë incident apo denoncim për parregullsi gjatë procesit zgjedhor, por ajo që bie dukshëm në sy është ulja e ndjeshme e pjesëmarrjes në votime.

Në qendrën e votimit nr. 264/1, e pozicionuar në filialin e postës së Bashkisë Shkodër, një nga pikat kryesore të votimit në zemër të qytetit, situata ishte thuajse e paralizuar. Prej thuajse një ore nuk u paraqit asnjë votues. Anëtarët e komisionit shprehen se në të njëjtin orar, katër vite më parë ishin regjistruar rreth 600 votues, ndërsa sot numri është ndalur në vetëm 205.

Përballë kësaj situate, subjektet politike kanë intensifikuar thirrjet dhe ftesat publike për të nxitur pjesëmarrjen, por deri në orën 16:00, pjesëmarrja në qarkun e Shkodrës regjistrohej në vetëm 31.4%.

Së bashku me Vlorën, Shkodra mbetet një nga qarqet me pjesëmarrjen më të ulët në rang kombëtar.

PS, PD dhe PSD

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit 2025, Shkodra, bastioni historik i së djathtës, u kthye në një arenë elektorale ku tensioni, akuzat dhe aleancat e fshehta përcaktuan ritmin e fushatës. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë gara ishte më e hapur dhe më e paparashikueshme, me një terren politik të fragmentuar dhe me një elektorat të ndarë mes tre poleve kryesore: Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.

PS, fushatë me investime

Partia Socialiste, nën drejtimin lokal të kryebashkiakut Benet Beci, investoi dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës, duke u përpjekur të sillte një narrativë të re zhvillimi në një qytet tradicionalisht skeptik ndaj saj. Projekte të tilla si rikonstruksioni i rrugëve, investimet në shkolla dhe promovimi i Shkodrës u përdorën si prova konkrete të angazhimit qeveritar.

Në të njëjtën kohë, opozita akuzoi PS-në për presion mbi administratën publike dhe përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të fushatës. Megjithatë, socialistët u shfaqën të bindur se përmes kombinimit të investimeve reale dhe një fushate shumë aktive në terren dhe rrjete sociale, do të arrinin të thyenin tabunë historike të Shkodrës.

PD dhe ringritja e vështirë


Nga ana tjetër, Partia Demokratike u mbështet te ndjenja e traditës dhe tek zhgënjimi i qytetarëve ndaj qeverisjes së majtë. Megjithatë, PD u përball me sfida të mëdha: mungesën e organizimit të brendshëm, efektet e përçarjes mes fraksioneve dhe një fushatë më të vakët krahasuar me kundërshtarët.

Akuzat për manipulim, korrupsion dhe keqmenaxhim përbënin boshtin e fjalimeve të demokratëve, ndërsa thirrjet për “rikthimin e Shkodrës te dinjiteti dhe liria” synuan të zgjonin një elektorat ende skeptik dhe të papërcaktuar.

Faktori PSD

Tom Doshi, përmes Partisë Socialdemokrate, ndërtoi një rrjet të fortë ndikimi sidomos në zonat rurale të Shkodrës dhe në shtresat e pakënaqura sociale. Edhe pse formalisht nën radar, Doshi mbeti një faktor real që mund të vendoste fatin e mandateve të fundit në Shkodër.

PSD synoi të tërhiqte votuesit e zhgënjyer nga të dy kampet kryesore, duke ofruar një alternativë pragmatike për ata që kërkonin ndikim të drejtpërdrejtë dhe mbështetje konkrete, në vend të premtimeve ideologjike.

Në sfond, përplasja mes PS-së dhe PSD-së mori formë të hapur. Lëvizja e fundit, braktisja demonstrative e mbledhjes së Këshillit Bashkiak nga anëtarët e PSD-së, ishte një sinjal publik se marrëdhëniet mes aleatëve të dikurshëm ishin tensionuar.

Konflikti u ashpërsua më tej pas akuzave të drejtpërdrejta që Tom Doshi artikuloi ndaj Benet Becit. Në dalje publike, Doshi akuzoi kryetarin aktual të Bashkisë Shkodër si një person të “proceduar penalisht nga SPAK” dhe deklaroi se “qytetarët e Shkodrës nuk mund të votojnë ata që kanë vjedhur qytetarët”. Këto deklarata, edhe pse nuk u shoqëruan me dokumente konkrete, shtuan tensionin elektoral

Aksioni i SPAK

Vetëm katër ditë para zgjedhjeve, situata politike në Shkodër u trondit edhe më tej nga një aksion i SPAK, i cili çoi në shoqërimin dhe ndalimin e disa personave të dyshuar për korrupsion dhe abuzim me fondet publike. Megjithëse zyrtarisht nuk pati deklarata të qarta mbi lidhjet politike të të ndaluarve, në opinionin publik dhe në analizat mediatike ky aksion u përfol gjerësisht si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj strukturave të PSD-së dhe njerëzve të afërt me Tom Doshin.

Ky zhvillim i papritur rriti ndjeshëm tensionin elektoral, duke shtuar pasigurinë mes votuesve dhe duke ndikuar perceptimet e atyre që ndodheshin në mëdyshje. Opozita e interpretoi si provë të kapjes së shtetit dhe përdorimit selektiv të drejtësisë, ndërsa socialistët tentuan të mbajnë distancën, duke e konsideruar një proces të pavarur ligjor.

Partitë e vogla

Në këtë fushatë, partitë e vogla luajtën rolin e “prishësit” të skemave klasike elektorale.
Votat e shpërndara drejt këtyre partive dobësuan opozitën dhe lehtësuan përpjekjet e PS për të konsoliduar një mandat tjetër ose, në rast të një lëvizjeje të zgjuar, shërbyen si faktor negocimi në ndarjen e mandateve pas zgjedhjeve.

Një fund i hapur


Në këtë klimë të polarizuar dhe të paqartë, ishte e vështirë të parashikohej një fitues i sigurt. Shkodra u përball me një moment delikat: një PS që kërkoi të shfrytëzonte investimet dhe terrenin e krijuar nga qeverisja lokale, një PD që u përpoq të rikthente entuziazmin e dikurshëm dhe një PSD që synoi të mbante një rol vendimtar.

Në një qytet ku tradita, krenaria dhe ndjeshmëria politike u përzien fort me realitetin ekonomik dhe social, gjithçka mbeti në dorën e forcave kryesore për të bindur votuesit e pavendosur dhe nga fuqia e heshtur e votës së fshatit.