Edhe pse një vend në paqe, shifrat e personave që ikin nga Shqipëria drejt Britnisë së Madhe janë baraz me ata që ikin nga një vend në luftë siç është Ukraina. Të rinjtë në veriun e Shqipërisë, kryesisht Hasi, Kukësi dhe Tropoja po sakrifikojnë rininë duke rrezikuar jetën në ndjekje të një ëndrre të stisur nga propagandimi illegal në rrjete sociale. Por kjo propagandë duket se po ndihmohet nga indiferenca qeveritare për të reaguar, përveçse në retorikë. Ndryshe nuk mund të shpjegohet përse kuksianët, burra e gra, e madje edhe fëmijë që presin të arrijnë 18-at kanë si synim të vetëm ikjen ‘nga sytë këmbët’, duke marrë të mirëqenë edhe rrezikimin e jetës.
Jona Plumbi
“Dallgët më godisnin drejt e në kurriz, në gomone ishin 80 frymë, ndaj dhe ajo zhytej nga pesha. Të gjithë ishim bërë ujë. Kur pamë bregun menduam se mbërritëm, por…”. Kjo ishte një nga copëzat e rrëfimit të 28 vjeçarit të cilin quajtëm Armando, ndërsa fliste për Faktoje. Arratisja për në ‘tokën e premtuar’, Britaninë e Madhe, është kthyer në ‘epideminë’ e rrjeteve sociale.
Statistika
Vitet 2021-2022 arritën shifra rekord të shqiptarëve që kërkojnë azil, emigrojnë në mënyrë ilegale apo refuzohen nga vendet pritëse, kryesisht nga Anglia. Shifrat e rendisin Shqipërinë mes vendeve që janë në luftë.
Instituti Europian i Statistikave, Eurostat, vlerëson se gjatë vitit 2021, shqiptarët janë populli i dytë jo anëtar i Bashkimit Europian, pas Ukrainës (50 200), me numrin më të lartë të individëve të cilëve u është refuzuar hyrja në BE, me rreth 18 600 të tillë.
Njëkohësisht, shqiptarët dhe ukrainasit (me rreth 9 400 individë secili) kryesuan listën e shtetasve që vijnë nga vende jo anëtare të BE-së, të cilët janë urdhëruar të largohen.
Ndërsa Franca është shteti që ka regjistruar rritje të ndjeshme të qytetarëve që vijnë nga vende jashtë BE-së, të cilët janë ndaluar pasi kanë qëndruar atje në shkelje të ligjit (215 200 qytetarë).
Në lidhje me Mbretërinë e Bashkuar, në raportin e Dhjetorit 2022 për azilkërkuesit, Shqipëria listohet mes vendeve me numrin më të lartë të qytetarëve që kërkuan azil në Angli gjatë vitit 2021.
Në 2022-shin, Shqipëria kryesoi edhe përpara vendeve që janë në luftë.
Në 2021, Shqiperia renditej e katërta për nga numri i azilkërkuesve në Britaninë e Madhe, krah vendeve në luftë si Iraku dhe Siria. Një vit më pas, në 2022-shin, Shqipëria kryesonte këtë listë.
Në vitin 2022, deri në muajin shtator, shqiptarët zunë vendin e parë për njerëzit që mbërrijnë në Britaninë e Madhe me varka të vogla dhe më pas aplikojnë për azil (24% e totalit). Nga 8,466 shqiptarë që mbërritën me varka të vogla gjatë 9 muajve të parë të 2022-shit, 85% e tyre aplikuan për azil.
Gjithashtu, sipas deklaratës së ambasadorit britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, “shqiptarët përbëjnë tani numrin më të madh të shtetasve të huaj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.”
Këto shifra, natyrisht tërhoqën vëmendjen e qeverisë britanike.
Politika e azilit
Në 9 Shtator 2015 Bashkimi Europian ndezi një debat për përcaktimin e një liste të përbashkët të “shteteve të sigurta” për zonën shengen. Në ligjin europian për azilin, ky nocion bazohet mbi supozimin se disa shtete mund të përcaktohen si përgjithësisht jo të sigurta për shtetasit e tyre apo personat pa shtetësi që ishin më parë qytetarë të atij shteti. Kjo gjë u mundëson lehtësi në marrjen e azilit në BE.
Një shtet konsiderohet i sigurt kur, bazuar mbi legjislacionin dhe zbatimin e ligjit në një sistem demokratik, mund të tregohet se në përgjithësi dhe në mënyrë të vazhdueshme nuk ka persekutim, torturë, trajtim apo dënim çnjerëzor e poshtërues, apo kërcënime që vijnë për shkak të dhunës pa dallim në situata të konfliktit të armatosur. Përcaktimi i një shteti si i sigurt apo jo është kompetencë e secilit shtet.
Shqipëria bën pjesë në listën e vendeve të sigurta, miratuar nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar. Kjo nënkupton se shteti anglez duhet ta refuzojë menjëherë kërkesën për azil nga shtetasit shqiptarë, përveç rastit kur kërkesa nuk është qartësisht e pabazë.
Pikërisht këtë tha edhe sekretarja e shtetit britanik, Suella Bravemen në parlament, kur theksoi se “nuk ka asnjë arsye pse shqiptarët të kërkojnë azil në Britaninë e Madhe, pasi Shqipëria listohet si një “vend i sigurt”.
Retorika Politike
“Rreth 40,000 individë vetëm këtë vit kanë kaluar kanalin ilegjalisht me varka të vogla. Ka pasur një shtim të lartë të atyre që mbërrijnë nga Shqipëria, shumë prej të cilëve abuzojnë me ligjin tonë të skllavërisë moderne. Individët që vijnë ilegalisht nga vende të sigurta nuk janë të mirëpritur dhe nuk duhet të presin që të qëndrojnë.” [Min: 1:49:00]
Kjo deklaratë e sekretares britanike të shtetit, Suella Baraveman, “ndezi” gjakun e shqiptarëve që janë në Angli, të cilët protestuan duke kërkuar dorëheqjen e saj.
Edhe politika shqiptare reagoi me të njëjtën dozë emocioni. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama akuzoi Britaninë e Madhe se po fajëson shtetin e tij për politikat e dështuara të kontrollit të kufijve të saj, duke injoruar faktet.
Një muaj më vonë, dy qeveritë u takuan për të dakordësuar një plan të përbashkët veprimi.
Komunikata e përbashkët Shqipëri – Mbretëri e Bashkuar
Kjo deklaratë ritheksoi se Mbretëria e Bashkuar e konsideron Shqipërinë vend të sigurt origjine. Dy qeveritë vendosën ngritjen e një Grupi të Përbashkët Pune për të ndaluar migracionin e paligjshëm dhe depërtimin e rrjeteve kriminale.
Njëkohësisht, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar ranë dakord të shtojnë numrin e personave të kthyer në Shqipëri, që janë identifikuar nga autoritetet angleze si viktima të skllavërisë moderne (sipas ligjit në Mbretërinë e Bashkuar) dhe si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore (sipas përcaktimit në legjislacionin shqiptar).
Pavarësisht kësaj, përshkallëzimi i mëtejshëm i retorikës politike vijoi në të dy krahët.
Përplasje verbale
Në Janar 2023, ministri i emigracionit në Britaninë e Madhe, Robert Jenrick publikoi në Tëitter një video ku theksonte “punën e vazhdueshme për largimin e emigrantëve shqiptarë dhe të huajve që shkelin ligjin, duke theksuar se nje pjesë e tyre janë kriminelë të rrezikshëm, të dënuar për trafikim droge”.
Autoritetet shqiptare e konsideruan deklaratën si “gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim ndaj emigrantëve shqiptarë” ndaj i dorëzoi një notë verbale Britanisë së Madhe përmes ambasadorit të saj në Tiranë.
Reagim përmes ligjit
E ndërsa Britania e Madhe ka vendosur të investojë rreth 8.4 milionë paund në veri të Shqipërisë përmes një projekti që synon krijimin e perspektivave të reja në rajon, ajo po shqyrton edhe një mundësi tjetër ligjore.
Kjo lidhet me nismën e prezantuar në Prill 2022, kur Boris Johnson, asokohe kryeministër i Britanisë së Madhe, prezantoi një projekt-pilot me qëllimin për të dërguar një pjesë të emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë me varka të vogla në Ruandë. Skema do të zgjaste 5 vjet dhe do fokusohej tek burrat e pamartuar që mbërrinin me gomone. Qëllimi ishte dekurajimi i personave që nisen përmes rrugëve ilegale për të kaluar kufirin anglez.
Plani u quajt si mizor nga organizatat që mbrojnë të drejtat e refugjatëve, duke ngritur pikëpyetje edhe mbi sigurinë që i ofron shteti i Ruandës emigrantëve të huaj. Ruanda nuk konsiderohet si vend i sigurt nga qeveria e Britanisë, ndaj u vu në dyshim nëse ky vendim thyen edhe ligjet për ruajtjen e të drejtave të njeriut.
Në dhjetor 2022, Gjykata e Lartë në Mbretërinë e Bashkuar mori vendim duke mos e konsideruar si shkelje të të drejtave të njeriut dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë. Pavarësisht kësaj, vendimi i Gjykatës argumentoi se disa grupe interesi kanë të drejtën të apelojnë pjesë të këtij vendimi.
Kjo nënkupton se deri në momentin që Gjykata e Lartë në Britani të marrë një vendim të formës së prerë, azilkërkuesit shqiptarë nuk mund të dërgohen në Ruandë.
Një plan apo strategji e qeverisë shqiptare, për t’u përballur me këtë problem, nuk ekziston ende.
Mbyllje
Për të rinjtë e qarkut të Kukësit me të cilët Faktoje bisedoi, ‘arratisja’ drejt Britanisë së Madhe, duket e vetmja rrugë. Kështu e mendon edhe nëna me vajzën 2 vjeçare e cila duhet të bëjë 3 punë për të mbijetuar, edhe djali që ka shpenzuar vitet më të bukura të rinisë duke eksperimentuar rrugët ilegale e të rrezikshme për të shkuar në Europë, apo për djemtë kuksianë që prein të mbushin moshën 18 vjeçare, për ta provuar edhe ata.
“Fatkeqësisht, trafikun e marijuhanës në angli e kontrollojnë shqiptarët. E duke qenë se ne jemi vend i vogël me gjithësecilin aty mund të dalësh i afërt. Besnikëria që na ka karakterizuar për mikpritjen deri më sot, tani shërben për mikpritjen e të tjerë bashkëpunëtorëve.” – tregon njëri prej tyre, i pyetur për arsyet e emigrimit drejt Anglisë.
Arsye është pamundësia për ta parë të ardhmen diku tjetër. Shtysë, është mungesa e ndryshimit.
“Çdo ditë që vjen, nuk do jetë më e mirë se ajo që ke lënë mbrapa. Do vijë edhe më e keqe. Une nuk kam mundësi të shkoj në Angli të marr një vizë pune. Këtë ma mundëson vetëm rruga e dytë, pa pas nevojë me pas shkollë, pa pas nevojë të dyshosh nëse të del viza. E provon prapë e prapë derisa të shkosh.”
E ndërsa kjo epidemi ka prekur Kukësin, qarkun më të varfër në Shqipëri që sipas INSTAT ka nivel varfërie në 22.5%, reklamimi i hapur dhe lehtësisht i arritshëm nga qytetarët e çdo moshe vijon lirisht, ndërsa politika shqiptare duket se mjaftohet me lëshimin e deklaratave të ashpra politike, pa një strategji kombëtare në horizont.