Ngs Sebi Alla G.T, qëndroi për dy javë në Spitalin Psikiatrik në Tiranë me diagnozën “Tik kronik”, e diagnostikuar që në fëmijëri me kodin DSM-IV-TR (probleme të shëndetit mendor, kryesisht e lindur). Trajtimi me medikamente, disa spitalore dhe të tjera të blera në farmaci, ia përmirësuan ndjeshëm shëndetin. Familjarëve iu sugjerua nga mjeku psikiatër që të merrnin ilaçet katër lloje. Ashtu u bë dhe tre prej tyre ishin në listën e barnave të rimbursueshme. Gjashtë muaj më vonë, pacienti G.T shfaqi sinptoma të ngjashme si para shtrimit në spital. Zgjidhja relative për ta mbajtur disi të stabilizuar ishte që ilaçet e rekomanduara të bliheshin në farmaci, me një kosto që varionte deri në 8 mijë lekë të reja në muaj. Ky ishte vetëm një rast nga mijëra pacientë që vuajnë nga mungesa e cilësisë së ilaçeve dhe si “zgjidhje nga halli” është blerja e barnave në farmaci, jo për një periudhë kohe, por të përhershme.

Lista e gjatë
Me një tufë ilaçesh në duar, një mjek psikiatër i tha Faktoje.al se pjesa më e madhe e tyre kishin cilësi të ulët dhe kur përdoreshin për një kohë të gjatë (nga të sëmurët kronikë), efektshmëria ulej. Këtë rrëfim mjeku psikiatër që punon në një nga qendrat shëndetësore të shëndetit mendor, e bëri në kushtet e anonimatit, ndërsa përsëriti vazhdimisht se veçanërisht ilaçet e rimbursueshme (13 lloje, dy prodhim serb dhe tjera vendas), janë jo cilësore dhe shpesh ndodh që pacientët të diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor të pësojnë kriza të theksuara, e madje deri në stadin e ndryshimit të diagnozës. Ngjashëm edhe me medikamentet spitalore, ç’ka çon në shtimin e ditëve të qëndrimeve në hospitalizim të pacientëve, por edhe një kurim më të ngadaltë në protokollet mjekësore.
Rimbursim, pa cilësi?!
Janë 1366 lloje barnash të përfshira në listën e rimbursimit dhe një pjesë e tyre shkon për kategorinë e sëmundjeve të shëndetit mendor, rimbursim i plotë, ose deri në masën 50 për qind. Megjithë gamën e gjerë të listës së barnave të rimbursueshme që ka ardhur në rritje nga viti në vit, cilësia e medikamenteve mbetet në dyshim, një shqetësim që ngrihet kryesisht nga mjekë dhe të afërm të pacientëve të diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor.
Nga analizimi i listës së barnave të rimbursueshme konstatohet se emërtimet e medikamenteve janë cilësore, por emri tregtar (kompanitë prodhuese) nuk janë prodhues me markën e vendeve të BE-së, SHBA-ve, apo Kanadasë. Pjesa më e madhe e tyre janë prodhim vendas, më pas nga Turqia dhe Serbia.
“Nga viti 2013 me uljen e çmimit të medikamenteve në gati 50 %, detyrimisht u ul dhe cilësia e tyre, pasi kompani të mëdha farmaceutike nuk mund të suportonin dot një ulje të tillë. Medikamentet psikiatrike që ofrohen nga shteti nëpërmjet skemës së rimbursimit, fatkeqësisht kanë rezultuar jo efektive”, thotë për Faktoje.al, Dr. Taulant Pengili, Mjek psikiatër – Përgjegjës i Departamentit të Adiktologjisë pranë Spitalit Italian Salus, në Tiranë. Mjeku psikiatër dhe psikoterapist, Neli Demi, në një koment për Faktoje.al thotë gjithashtu se: “Fusha e farmaceutikës, por edhe marrëdhënia shtet-prodhues apo shtet-importues të medikamenteve ka nevojë për një reformë cilësore e cila vë në qendër interesin më të mirë të qytetarëve dhe jo të prodhuesve apo grosistëve monopol të medikamenteve”.
Faktoje.al i drejtoi pyetje konkrete edhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me efektshmërinë e ilaçeve të rimbursueshme për shëndetin mendor, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk morëm përgjigje.
Problematika
Ndërkohë, çështja e shëndetit mendor në Shqipëri mbetet problem serioz, sidomos në shtimin e pacientëve. “Dhe pse nuk ka një studim të mirëfilltë në lidhje me numrin e saktë të personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, mendohet që 1 në 5 persona kanë manifestuar të paktën një herë simptoma psikiatrike”, thotë për Faktoje.al, Dr. Taulant Pengili.

Ankthi, problem tek moshat e reja
Qëndra Together for Life ka kryer disa studime në lidhje me ankthin dhe depresionin si dy nga çrregullimet mendore më të zakonshme në komunitet dhe shpesh përdoren si tregues për të matur trendin dhe shpërndarjen e shëndetit mendor. “Në Shqipëri ka pasur disa përpjekje për të monitoruar prevalencën e depresionit në grupe të ndryshme të popullsisë. Megjithatë, rezultatet e sondazheve apo anketave të ndryshme nuk janë të standardizuara apo të krahasueshme, duke e bërë të vështirë matjen e trendeve në kohë apo të dallimeve ndërmjet grupmoshave të ndryshme”, thotë raporti. Ndërsa mjeku psikiatër, Taulant Pengili, çrregullimet e ankthit i rendit si patologjitë më të shpeshta që trajtojnë mjekët psikiatër dhe psikologët. “Grupmosha më e prekur është ajo 15-30 vjeç por studimet e fundit tregojnë për një fillim më të hershëm, nga paraadoleshenca dhe deri në moshën e tretë”, thotë Pengili. Sipas tij, për shumë vite këto çrregullime trajtoheshin shpesh nga mjekët e familjes, por së fundmi është evidentuar që ankthi në pjesën më të madhe të rasteve nuk manifestohet në formën e tij klasike dhe trajtimi mbetet tagër i profesionistëve të shëndetit mendor.
Edhe OBSH në alarm
Në një raport të fundit të OBSH që merr në studim rajonin (Europën), theksohet se rreth 17 % e popullsisë jetojnë me një gjendje të shëndetit mendor. Edhe pse vendi ynë nuk përfshihet specifikisht në këtë studim, theksohet se në tërësi 1 në 6 persona në rajon jeton me një gjendje të shëndetit mendor; 1 në 3 persona me një gjendje të shëndetit mendor nuk merr trajtimin që u nevojitet dhe; 1 në 4 persona me psikozë nuk merr asnjë trajtim ose kujdes formal. Po sipas këtij raporti, mbi 150 000 njerëz vdesin nga vetëvrasja dhe vetëvrasja është shkaku kryesor i vdekjes tek të rinjtë e moshës 15-29 vjeç.
Shqipëria pa psikiatri rezidenciale
Në formën e evidentimit, diagnostikimit dhe trajtimit të të sëmurëve të shëndetit mendor Shqipëria mbetet pas. Fillimisht pacientët diagnostikohen dhe në raste agresiviteti, sjellje problematike me familjarë apo komunitet, mjekët përcaktojnë se një pacient e ka të nevojshëm shtrimin në një spital psikiatrik. Po si trajtohet më pas ky pacient me probleme të theksuara të shëndetit mendor? “Mendoj që monitorimi i gjendjes së pacientëve që lenë spitalet psikiatrike duhet të realizohet nga Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor, ndryshe të njohura si QKSHM. Shpeshherë, kjo bëhet e vështirë pasi pacientët nuk shkojnë rregullisht në këto qendra pas daljes nga spitali”, konstaton mjeku psikiatër Dr Taulant Pengili. “Si zgjidhje e këtij problemi është rritja e kapaciteteve të spitaleve psikiatrike dhe gjithashtu ngritja e disa strukturave psikiatrike rezidenciale për trajtimin e pacientëve pas daljes nga spitali, pasi një pjesë e mirë e tyre nuk qëndrojnë mjaftueshëm në spitale për shkak të mungesës së kapaciteteve”, konstaton Pengili. Sistemi shëndetësor në Shqipëri ka katër spitale psikiatrike, në Elbasan, Vlorë, QSUNT, Tiranë, dhe Shkodër me 600-650 shtretër në total.
Raporti
Në një raport të Avokatit të Popullit për vitin 2024 konstatohen problematika serioze në të katër spitalet psikiatrike në vend. “Kushte të papërshtatshme infrastrukturore: Spitalet psikiatrike në Vlorë, Elbasan, Shkodër dhe Tiranë vazhdojnë të përballen me mungesa të theksuara në kushtet strukturore për trajtimin dhe rikuperimin e pacientëve. Mungesa e aktiviteteve rikuperuese: Në disa institucione, si spitali “Xhavit Gjata” në Tiranë dhe “Sadik Dinçi” në Elbasan, mungojnë ambientet për zhvillimin e aftësive okupacionale dhe aktivitetet e rikuperimit”, thekson raporti, i cili vë në dukej gjithashtu edhe mungesën e stafit të kualifikuar mjekë-infermierë dhe personelit ndihmës.
Të jetosh me sëmundjen
Në kategorinë e diagnostikimit të pacientëve të shëndetit mendor, ndarja bëhet në dy grupe; të lindurit me probleme të tilla dhe pacientë të tjerë që kanë pësuar trauma të ndryshme psiko-fizike. Stigmatizimi, druajtja për të deklaruar problemet e shëndetit mendor që në shfaqjet e para cilësohen nga specialistët si një nga problemet që duhet të adresohet jo vetëm nga institucionet, por edhe vetë shoqëria. “Duhet të implementohen disa politika ndërgjegjësimi publik në lidhje me shëndetin mendor duke filluar nga Institucionet Arsimore dhe duke vazhduar në të gjitha ambientet e punës ku shpesh nuk ka prezencë të një specialisti të shëndetit mendor, gjë e cila e bën mjaft të vështirë adresimin dhe zgjidhjen e problemit”, thekson dr Taulant Pengili.
Diagnostikim dhe kemp, asgjë më shumë

Protokolli shtetëror për pacientë të shëndetit mendor mbetet i pandryshuar për të paktën 40 vite. Çdo pacient me probleme të shëndetit mendor i kapur në fazën e parë të jetës apo me kalimin e pak viteve, fillimisht kalon nga mjeku i familjes dhe nëse sheh anomali rekomandon një vizitë tek specialisti, mjeku psikiatër. Pas përcaktimit të diagnozës sugjerohet që për sëmundje të ndryshme personat të kalojnë në proces kempi, ku është komisioni që përcakton nëse individi duhet të përfitojë kemp dhe nëse po ka ose jo nevojë që sëmundshmëria dhe grada e saj nevojitet të ketë ose jo kujdestar.
Mesatarisht personat në kemp për shëndetin mendor trajtohen me 10500 lekë në muaj dhe po aq edhe kujdestarët e tyre, që në këto raste janë familjarë. Trajtimi shendetësor i mëpasëm shfaq probleme për pacientët që kalojnë një kohë të caktuar të shtruar në Spitalet Psikiatrike, zakonisht deri në tre javë dhe pasi konsiderohet nga mjekët pacient i kuruar për diagnozën e shtrimit dërgohen në familje dhe u sugjerohet që të mbajnë kontakte me qendrat shtetërore të shëndetit mendor. Kjo është hallka e fundit e cila nuk duhet të ishte e tillë, pasi nëse një pacient që është shtruar në spital shfaq sërish probleme agresiviteti, ose manifestim të theksuar çrregullimesh nuk pranohet për të shtruar, kjo edhe për shkak të mungesës së kapaciteve hospitalore.
Përgjigja
“Përgjigja më e mirë ndaj një problematike të tillë do të ishte plotësimi i një rrjeti shërbimesh parandaluese, trajtuese (ambulatore apo spitalore), rehabilituese dhe integruese si dhe rezidenciale. Zhvillimi i një anshëm i cilitdo nga këto shërbime, qofshin këto spitalore apo komunitare nuk do të ishte i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat dhe problematikat e ndryshme të personave me probleme kronike të shëndetit mendor dhe familjarëve të tyre. Ky rrjet shërbimesh gjithashtu duhet të jetë i përhapur në mënyrë të përshtatshme në raport me popullsinë për të bërë të mundur akses të barabartë të popullatës në shërbime cilësore”, thotë mjeku psikiatër dhe psikoterapist, Neli Demi.
Shko në privat…!
Në raste të përparimit të sëmundjes dhe veçanërisht shtimit të agresivitetit bëhet edhe shtrimi për një kohë të caktuar në spitalet psikiatrike. Po më pas ku shkojnë pacientët? Spitalet zakonisht i mbajnë të sëmurët në një trajtim që shkon deri në tre javë dhe në raste më të rralla edhe më gjatë. Pas trajtimit spitalor dërgohen pranë familjes, por në periudha të ndryshme pavarësisht marrjes së ilaçeve pacientët kalojnë në agresivitet ndaj të tjerëve, apo edhe në vetëlëndim serioz. Spitalet psikiatrike i refuzojnë rastet e shtrimit për shkak të mungesës së kapaciteteve, por edhe faktit që një pacient që e kanë kuruar pak muaj më parë nuk mund ta rimarrin në trajtim. “Duhen qendra të mirëfillta rezidenciale shtetërore për trajtimin e pacientëve me probleme të theksuara të shëndetit mendor. Në shtet kjo nuk ofrohet”, thotë një tjetër psikiatër në kushte anonimati për Faktoje.al. Sipas tij, janë 4-5 qendra private që ofrojnë këtë shërbim, por me një kosto të lartë dhe e papërballueshme për shumë familje shqiptare pasi një trajtim i tillë në qendër varion në kosto nga 800-1300 euro në muaj.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë
