Ina Allkanjari
Procesi i shembjes së banesave në zonën e “5 Majit”, vijoi pa u ndalur edhe pasi banorët e prekur kërkuan që ato të ndërpriten deri në një marrëveshje të dytë me bashkinë. Pezullimi u propozua edhe nga opozita, por bashkia e Tiranës, e cila u kërkon banorëve të firmosin një aktmarrëveshje që konsiderohet jo transparente, nuk reagoi. Juristë që njohin çështjen, i konfirmuan Faktojes se aktmarrëveshja ka shkelje ligjore, ndërkohë që ndalja e përkohshme e shembjeve, do të ishte në interes të të gjitha palëve.
————
“Ne vërtetë nuk jemi gjykatë, por këtu secili nga ne ka një mjet, mund të ndërmarrim iniciativë ligjore ndërprerje të projektit derisa të plotësohen kërkesat e tyre sipas ligjit. Të marrim iniciativë ligjore për të vendosur një memorandum që të mos ketë asnjë prishje pa u plotësuar kërkesat ligjore të tyre”- tha nënkryetari i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve lidhur me shembjen e banesave te lagjja “5 Maji” në Tiranë.
Nisur nga propozimi i deputetit të PD, Faktoje vendosi t’i dërgojë një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë, ku e pyetëm nëse do merrej në konsideratë pezullimi i procesit të shembjeve në këtë zonë. Deri në publikimin e këtij artikulli ende nuk kemi marrë përgjigje nga Bashkia Tiranë.
Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar bashkisë Tiranë datë 02.02.2022
Nga një vëzhgim i kryer më herët në terren dhe nga komunikimi me banorë të lagjes “5 Maji”, banesat e të cilëve janë përcaktuar për shembje, mësuam se procesi i shembjeve ka vijuar pa ndërprerje
“Komisioni i ligjeve nuk të jep zgjidhje, aty folën të gjithë, thanë mendimet e veta dhe kaq. Do të shohim thanë dokumentacionet e banorëve, ankesat, letrat dhe kërkesat që kanë. Por deri sa të shikohen letrat, sa të bëhet ky proces, banesa ime është shembur. Pasi të shembet banesa ime, çkuptim ka përgjigjja e komisionit të ligjeve.” – regon i shqetësuar për Faktoje Bekimi, i cili disponon një banesë 50 metra katrorë në zonën e ‘5 Majit’.
Foto 1 shkurt 2022, banesë duke u shembur në zonën e “5 Majit”
“Deri më sot nuk kemi pasur asnjë përgjigje të kërkesave tona. Nuk ka ndodhur të vijë as edhe një person i njësisë që të bëjë sikur edhe një dëgjese publike, që të pyesë çfarë po ndodh, pse nuk e firmosni akt-marrëveshjen, cilat janë kërkesat tuaja, askush!”- u shpreh më tej Bekimi.
Screenshot, kërkesa drejtuar Komisionit të Ligjeve datë 31.01.2022 nga banorë të njësisë nr.4 dhe nr.8 për pezullullimin e prishjeve
Një tjetër banor i kësaj zone, Gjin Nikolli tregoi për Faktoje se kanë kërkuar takim me bashkinë, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Prezenca e banorëve në Komisionin e Ligjeve ishte pasi nuk kishin një ide të qartë se çfarë po ndodh, pavarësisht se ka kaluar çështja në parlament. Kemi kërkuar takim me bashkinë, dhe nuk ka pasur asnjë interes dhe asnjë komunikim me ne, ndonëse shpesh kemi deklaruar që kjo akt-marrëveshje nuk vlen”- argumenton Gjin Nikolli, pronar i një banese të planifikuara për shembje në zonën e 5 Majit.
Foto 1 shkurt 2022, banesë e shembur në zonën e 5 Majit
Sipas tij një ndër shqetësimet kryesore që lidhet me akt-marrveshjen e ofruar nga Bashkia Tiranë është dhurimi i pronës dhe fakti që nuk është përcaktuar se kur do të përfitojnë apartamentin e premtuar
“Nëse nuk e firmos akt-marrëveshjen thotë nuk do të marrësh shtëpi, nëse e firmos thotë ti pranon dhurimin e pronës dhe nuk kam asnjë të drejtë ligjore në të ardhmen ta dërgoj çështjen në gjykatë, nëse prona nuk më jepet mbrapsht. Nesër një kryetar tjetër mund të thotë që s’kemi fonde, nuk ju japim dot banesë”- shprehet Nikolli
Liza Marku, e cila u përplas fizikisht me policinë pranë banesës së saj që ishte planifikuar të shembej, tregon për Faktoje se do të vijojë të protestojë që të realizohet një akt-marrëveshje me kriteret që ka propozuar komuniteti i banorëve që preket nga procesi I shembjeve
“Unë po flej te kjo dhoma që ka ngelur ende pa shembur nga shtëpia ime. Ndonëse kemi bërë protesta, deri më sot nuk kemi marrë asnjë reagim. Ata thonë në kontratë më dhuro pronën, pastaj do flasim ku do e përfitosh dhe kur. Me gojë na kanë thënë shumë gjera, por me të shkruar jo”- tregon e moshuara për Faktoje.
Foto Liza Marku, banore lagjes “5 Maji”
Foto 1 shkurt 2022, banesa e Liza Markut e shembur nga IKMT, në zonën e “5 Majit”
Më datë 3 shkurt, gjatë seancës plenare në Kuvend zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, deklaroi se deri në fund të këtij viti do të sistemohen në shtëpi të gjitha familjet dhe se banorët, përfshirë edhe ata me banesa të palegalizuara do të trajtohen me 100% të metrave katrorë.
“Janë 136 familje që përfitojnë nga procesi i rindërtimit atje. Rreth 60 janë ndërtime të palegalizuara. Qeveria ka vendosur që ata që janë të palegalizuar dhe ata që janë të legalizuar do trajtohen njëlloj. Nëse dikush ka te 5 Maji shtëpi apo dyqan 200 metra katrorë, do të marrë shpërblim 200 metra katrorë. Do trajtohen me 100% të metrave katrorë. Janë njoftuar në tetor, janë bërë 27 kontrata të atyre që janë me ndërtesa të legalizuara dhe 24 me familje që kanë ndërtime të palegalizuara. Deri në fund të këtij viti do hyjnë në shtëpi të gjitha familjet”-premtoi Ahmetaj.
Foto ilustruese, Arben Ahmetaj në Kuvend
E pyetur nga Faktoje për një opinion mbi mundësitë se si mund të zgjidhet problematika me banorët e 5 Majit, avokate Dr. Irena Dule tha:
“Nëse pyetja do të ishte se sa e drejtë është akt marrëveshja e propozuar nga Bashkia me të cilën jam njohur në media, këtu mund të them se kjo marrëveshje ka disa shkelje të natyrës ligjore. E thënë thjesht, është jo proporcionale zgjidhja ku prona shkëmbehet me një pronë të ardhshme të papërcaktuar, mungesa e një afati për shkëmbimin e pronës e vendos njërën nga palët në pasiguri dhe dukshëm në pozita vulnerabël, gjë që e bën aktmarrëveshjen në dëm të dukshëm të njërës nga palët. Gjithashtu heqja e të drejtës së ankimit, lidhur me parashikimet e kontratës, është jo kushtetuese, edhe pse ky kusht kontraktual është i pavlefshëm.”
E pyetur se si e sheh mundësinë e pezullimit të shembjeve deri sa të arrihet një marrveshje mes bashkisë dhe banorëve të zonës, Dule tregon:
“Për pyetjen nëse duhet bërë një pezullim i shembjeve deri sa të arrihet një marrëveshje, do thoja që kjo do të ishte e nevojshme dhe me avantazhe për të dyja palët, ku nga njëra anë qytetarët mund të arrijnë në rezultate më të kënaqshme për ta dhe nga ana tjetër fondet publike të destinuara për rindërtim do të administroheshin më mirë. Në situatën siç është, sot këto fonde janë në potencial të rrezikohen nga proceset gjyqësore që mund të iniciojnë banorët.”
Ndërkohë pak minuta përpara publikimit të këtij artikulli u raportua se një përfaqësi nga banorët e ‘5 Majit’ shkuan sërish para kuvendit, ku zhvilluan një takim me kryeministrin Edi Rama. Në një deklaratë për mediat, kryeministri Rama garantoi se të gjithë banorët do të dëmshpërblehen sipas ligjit.
“Kam sqaruar atë që ka qenë e vërteta që ditën e parë. Kemi bërë një bisedë të gjatë. Të gjithë banorët, qoftë të zonës ‘5 Maji’, qoftë të Unazës, do të ketë një trajtim solidar, njësoj siç u bë me ata që humbën shtëpitë nga tërmeti. Ata me dokumente të rregullta, ose dëmshpërblim financiar ose kompesim me banesa më të mëdha. Për ata që janë pa letra, shtëpia do të prishet dhe familja merr kompensimin me shtëpi. Deri në ditët e marrjes së shtëpisë, paguhet nga shteti, bonusi i qirasë”, deklaroi Rama.