Vetëm pak metra larg shtëpive në Sharrë është hapur një gropë e re për mbetjet urbane. Banorët jetojnë mes erës së rëndë, rrugës së dëmtuar dhe premtimeve të pambajtura. Inceneratori që duhet të zgjidhte krizën? Një premtim fantazmë, që ka “djegur” miliarda lekë pa dhënë asgjë në këmbim. Tonelata mbetjesh vijojnë të grumbullohen në një zonë që prej kohësh ka kaluar kufirin e kapacitetit.
Esmeralda Topi
“Gropa më ka ardhur në derë, nuk kam vajtur unë te gropa”, thotë me zemërim Durim Zeneli, banor i lagjes “Zenelaj” në Sharrë, ndërsa tregon nga dritarja e shtëpisë së tij trekatëshe.
Vetëm pak metra më tej, një gropë e re është hapur për të zgjeruar kapacitetin e landfillit të mbetjeve urbane, në një zonë që prej vitesh është kthyer në pikën më të nxehtë të krizës mjedisore të kryeqytetit.


Durimi u kthye nga emigracioni në vitet 2007–2008. Me paratë e fituara në Greqi ndërtoi shtëpinë në një zonë që atëherë ishte larg nga mbetjet. “Shihja malin e Prushit nga këtu”, tregon ai.
Sot, ndodhet vetëm pak metra nga “qeliza e re” që do të depozitojë tonelata mbetjesh në Sharrë. “Mbajmë dritaret mbyllur. Nuk duam asgjë tjetër, vetëm të largohemi. Por kush do vijë të jetojë tek plehrat?!”, thotë ai i dëshpëruar.

Landfilli i Sharrës ka një kapacitet total prej 420 mijë metër kub mbetjesh. Në kontratë ishte parashikuar që landfilli do të përballonte kërkesën deri në ndërtimin e inceneratorit, që më pas do të bëntë djegien e plehrave për të prodhuar energji elektrike. Por inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë. Për këtë arsye, zona e trajtimit të mbetjeve ndodhet në emergjencë. Plehrat e pesë bashkive të qarkut Tiranë janë bërë kapicë në landfillin që s’ka më vend.
Zgjerimi i kapacitetit për depozitimin e mbetjeve të ngurta u vonua për vite me radhë nga autoritetet përgjegjëse. Pas dy vitesh zvarritje, në fund të vitit të kaluar, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi më në fund lejen për ndërtimin e qelizës së re. Tani, kompania “Integrated Energy” (e administruar nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara) kërkon rishikimin e lejes mjedisore për landfillin, një procedurë që kushtëzon organizimin e një seance dëgjimore me banorët e zonës.
Dëgjesa shurdhe
Pas shumë vitesh të mbuluar nga era e plehrave dhe premtime të papërmbushura, banorët e Sharrës u ftuan në një dëgjesë publike që rezultoi më shumë një monolog se sa një përpjekje për të dëgjuar e adresuar shqetësimet e tyre.
Më 23 maj, kompania “Integrated Energy” organizoi dëgjesën publike me banorët e Sharrës në një hotel pranë rrugës kryesore në Vaqarr. Takimi zgjati vetëm 20 minuta dhe u ndoq nga rreth 50 banorë. Përfaqësuesit shtetërorë shpjeguan se situata në landfill është drejt kufirit të kapacitetit dhe se një “qelizë e re” është domosdoshmëri.
“Çdo ditë depozitohen rreth 1000 ton mbetje nga pesë bashki. Jemi drejt ezaurimit të aftësisë pritëse. Qeliza e re do të jetë gati brenda tre muajve”, u shpreh Indrit Karaj, administratori shtetëror i “Integrated Energy”.
Sipas Karajt, mbetjet do të kapsulohen, zona do të mbulohet me gjelbërim dhe nuk do të ketë “asnjë ndikim në mjedis”.


Por banorët e Sharrës, që prej vitesh jetojnë me erën e plehrave dhe zhurmat e kamionëve, kanë një tjetër realitet për të treguar. Shqetësimi kryesor i tyre ishte gjendja e rënduar e infrastrukturës rrugore, një problem i përsëritur për të cilin ata thanë se kanë marrë vetëm premtime boshe.
“Prezantimi është për qelizën e re. Mos e kanalizojmë takimin mbi rrugën, çështje lokale,” ndërhyri Genc Kojdheli, drejtor në Bashkinë e Tiranës, sapo një banor kërkoi llogari për rrugën e premtuar.
Banorët e tjerë ngritën gjithashtu shqetësime për dherat që, sipas tyre, po hidhen në mënyrë të pakontrolluar pranë zonës së pyllëzuar.
“I hedhin ku të munden, madje edhe në pjesët me gjelbërim që kanë mbetur. Kemi bërë ankesa, por askush nuk reagon,” tha një tjetër banor.
Edhe ky shqetësim mori të njëjtën përgjigje të thatë: “Takimi është për qelizën e re.”
Sipas ligjit shqiptar për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe pjesëmarrjen publike, dëgjesat duhet të jenë të hapura, gjithëpërfshirëse dhe të garantojnë barazi në zë. Por në Sharrë, dëgjimi rezultoi një formalitet 20 minutësh.
“Këta thonë që takimi është për gropën e re… po hallet tona, kur do dëgjohen?”, tha një banor nën zë në fund të takimit.
Kapica me plehra në Sharrë
Pamjet nga Sharra vërtetojnë emergjencën. Ndotja është larg shtëpive të pushtetarëvë që premtonin zhdukjen e plehrave, por vijon të jetë e njëjtë për banorët e fshatit.


“Janë vendgrumbullime as në kushtet e landfillit, sepse thjesht janë mbledhur aty për tu djegur. Por nuk digjen dhe ato krijojnë një bombë ekologjike që rri pret aty. ”, thotë Olsi Nika nga ECO Albania.
Qeliza e re, që tashmë është ndërtuar, ka një kapacitet depozitimi vetëm për një vit. Ekspertët nuk e shohin këtë si zgjidhje afatgjatë, por si një shtyrje të përkohshme të problemit.
“Do të buxhetojnë sërish për asgjesimin e tyre. Sepse zinxhiri i menaxhimit të mbetjeve fillon tek shtepia jote dhe e imja, dhe ky zinxhir nuk është marrë kurrë seriozisht në Shqipëri. Janë bërë programe pilot, shoë, strategjira dhe nuk ka vullnet sepse mbetjet janë lekë.”, argumenton Nika.
Pavarësisht kësaj situate, inceneratori që duhet të digjte plehrat, prej vitesh po “djeg” vetëm paratë publike.
“Nga viti 2018, me nisjen e kontratës për Inceneratorin e Sharrës e deri në Maj 2025 qytetarët shqiptarë kanë paguar 9.18 miliardë lekë kompanisë “Integrated Energy BV SPV”. Pjesa më e madhe e këtyre pagesave është kryer nga bashkia Tiranë dhe Bashkia Durrës”, përllogarit eksperti për ekonominë Ilir Brasha.
Të gjitha këto para janë shpenzuar ndërkohë që kontrata nuk ka filluar akoma punën me incenerimin e mbetjeve, si një nga funksionet kryesore të saj.
“Taksapaguesit veç ndotjes mjedisore, ndikohen edhe nga grabitja po aq e madhe sa ndotja”, thotë eksperti për çështjet e mjedisit, Ahmet Mehmeti.
Lexo edhe: