AURORA SHPATAJ
Ministrja e Financave Anila Denaj, deklaroi se nga viti 2013 deri më sot, pagat e mjekëve dhe infermierëve janë rritur përkatësisht me 21 dhe 26 %. Kjo deklaratë u kundërshtua nga ish deputetja e PD Jorida Tabaku, e cila thotë se kjo rritje nuk i kalon 7%. Faktoje verifikoi argumentat e të dy palëve, duke iu referuar edhe ekspertëve të cilët, duke pranuar se partitë spekulojnë me shifrat në prag fushate, tregojnë edhe termat me të cilët ato ‘luajnë’ për të bindur publikun.
“Rritja e rrogave sot nuk është rritja e parë që ndodh në këto vite qeverisje. Për mjekët u bë rritja e rrogave prej 21% dhe për infermierët 26%, para disa viteve” -u shpreh ministrja e Financave Anila Denaj në 6 tetor, gjatë një konference, së bashku me kryeministrin Rama dhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj.
Po atë ditë, ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku e kundërshtoi këtë deklaratë përmes një postimi në rrjetin e saj facebook:
“Pagat e mjekëve janë rritur 7 përqind vetëm në vitin elektoral 2017. Sot mjekët kanë pagat më të ulta dhe taksat më të larta në rajon”-shprehet ndër të tjera Tabaku.
Foto e marrë nga rrjeti social Facebook i ish-deputetes Jorida Tabaku.
Ne komunikuam me ish-deputeten dhe e pyetëm se ku e bazon argumentin me të cilin kundërshton shifrat e ministres Denaj. Zonja Tabaku u përgjigj duke na treguar Vendimi i Këshillit të Ministrave të vitit 2017 dhe një tabelë të dhënash ku ilustrohet rritja me 7% e pagës, për mjekët specialistë në qendrat shëndetësore.
Edhe nga verifikimi i Faktoje, VKM e vitit 2017 rezulton e vetmja që normon rritje të pagave për këtë kategori.
Megjithatë Faktoje pyeti edhe përfaqësues të zyrës së shtypit të Ministrisë së Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale nëse ka ndonjë vendim tjetër për rritje të pagës së mjekëve, por nuk morëm përgjigje.
Cila rritje është reale sipas ekspertëve, 21-26% sic thotë PS apo 7% siç thotë PD
Eksperti i ekonomisë Pano Soko shprehet se që të dyja palët kanë të drejtë në këndvështrimin e tyre.
‘Ministria e Financave zakonisht iu referohet shifrave buxhetore, sepse detajimin e bën ministria e linjës. Por, parimisht rritja që i referohet Partia Socialiste është rritja e fondit të pagave dhe shpërblimeve, ndërsa ish-deputetja Tabaku ka folur për rritjen e pagës neto, pa marrë parasysh bonuset e distancës apo bonuse te tjera.’-sqaron eksperti.
“Fondi për paga dhe shpërblime, po, është rritur. Paga neto që merr mesatarisht një mjek (pa bonuse), jo. Përshembull një mjek nga Tirana që shkon në Pukë, merr 80 mijë lekë pagë + 150 mijë bonus distancë. Nëse rri në Tiranë merr vetëm pagën. Pa bonusin, paga është rritur me 6-7%. Pra, si fond është rritur më shumë, sesa paga neto. Nga 2013, në 2017 paga neto është rritur 6-7%”-sqaron Soko.
A e përfituan të gjithë mjekët dhe infermierët ‘rritjen’ 21% dhe 26%.
Në sistemin shëndetësor, sot operojnë18 415 mjekë dhe infermierë, (thuajse 1/3 janë mjekë dhe pjesa tjetër infermierë), sipas shifrave të fundit të artikuluara nga qeveria. Por a është rritur për të gjithë në masën 21 dhe 26 përqind paga?
Sipas shpjegimit të ekspertit Pano Soko, rritja e artikuluar nga qeveria përfitohet vetëm nga ata që plotësojnë disa kritere, që kryesisht kanë lidhje me mbingarkesën në orare dhe gjatë fundjavës, pra kush punon më shumë, paguhet më shumë.
“Fondi për paga dhe shpërblime, si total është rritur 21% për mjekët dhe 26% për infermierët, sepse janë rritur shpërblimet dhe bonuset. Janë bonuset shumë të mëdha, por bonuset janë për ata që plotësojnë kushtet për ta përfituar. Përshembull; kush shkon të dielën në punë, kush shkon në një vend të largët, kush ka shumë banorë në mbulim etj.’-shprehet Soko.
Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë për të mësuar sesa është numri i individëve (mjekë dhe infermierë) që pëfitojnë bonuset, por ende nuk ka marrë një përgjigje.
Ndërkohë sipas ekonomistit Zef Preçi, kur vjen fjala tek shifrat që kanë të bëjnë me masën e rritjes së pagave, veçanërisht në prag fushate, duhet ‘vigjilencë’.
“Zakonisht zyrtarët e qeverisë spekulojnë me mënyrën e llogaritjes.”-paralajmëron ai.
“Duhet të shohësh sa është rritur GDP-ja dhe a është rritur paga mesatare dhe numri i të punësuarve; ka nevojë që të shikohen të integruara. Janë 2 probleme të mëdha tek pagat në Shqipëri:
E para, qeveritë i rrisin pagat vetëm në prag të fushatës elektorale dhe e përdorin si karrem për të shtuar votat, në një kohë që rritja e pagave duhet të vijë nga rritja e produktivitetit të punës dhe shëndoshja e ekonomisë.
E dyta: Është e vërtetë që fondi i pagave është rritur në krahasim me 2013 por, po të shohësh numrin e personave të punësuar në sektorin publik është një rritje shumë më e shpejtë dhe paga mesatare vazhdon të mbetet në nivelet më të ulëta në rajon.”-i tha “Faktojes” eksperti i konomisë Zef Preçi, i cili sqaron se rritja e fondit të pagave nuk përkthehet drejtpërsëdrejti në më shumë para në xhepat e shqiptarëve.
Nga ana tjetër, ekspertja e ekonomisë Ornela Liperi, shprehet se për periudhën 2014-2019 rritja reale e pagave për mjekët dhe infermierët rezulton të jetë 5.3%, sepse sipas saj duhet llogaritur edhe efekti i inflacionit.
“Krahasimi i vetëm që mund të bëhet, është duke marrë për bazë pagën mesatare mujore bruto në sektorin e shëndetësisë dhe veprimtari të tjera sociale, për periudhën 2014-2019, kur të dhënat janë të disponueshme.
*Të dhëna nga Instituti i Statistikave
Në vitin 2014, paga mesatare mujore bruto në këtë sektor ishte 47.4 mijë lekë dhe në vitin 2019 arriti në 54.4 mijë lekë, sipas të dhënave nga INSTAT. Në terma nominale rritja është 14.7%. Por, duke pasur parasysh inflacionin gjatë së njëjtës periudhë (mesatarisht 1.3-2% në vit), rritja reale rezulton të jetë rreth 5.3% gjatë periudhës 2014-2019.’-përfundon ekspertja.