Udhëtimet jashtë vendit për vizita pune të ministreve të arsimit Lindita Nikolla e Besa Shahini ndryshojnë, si për nga destinacioni ashtu dhe për nga shpenzimet. “Faktoje” verifikoi faturat e siguruara nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë.
ANXHELA RUÇI & MERXHAN DACI
Në datën 8 korrik të këtij viti, “Faktoje” dërgoi një kërkesë për informacion tek Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ashtu si te të gjitha ministritë dhe Këshillin e Ministrave për t’u njohur me shpenzimet e udhëtimeve të titullarit jashtë vendit.
“Faktoje” ka shqyrtuar faturat e udhëtimeve të dikasterit të Arsimit për periudhën janar 2018-qershor 2019.
Gjatë periudhës janar-dhjetor 2018, MASR është drejtuar nga Lindita Nikolla, ndërsa nga janari i 2019-s këtë detyrë e kryen Besa Shahini.
Shpenizmet e Lindita Nikollës
Për periudhën janar-nëntor 2018, Nikolla ka udhëtuar drejt Anglisë, Turqisë, Belgjikës dhe dy herë drejt Italisë për vizita pune.
Udhëtimi më i shtrenjtë nga faturat që i janë vënë në dispozicion “Faktoje” është ai drejt Londrës në Angli, ku përfshihet udhëtimi me avion, akomodimi në hotel për pesë netë dhe transporti me taksi nga aeroporti në hotel dhe anasjelltas.
Nikolla ka marrë pjesë në Forumin Botëror të Arsimit që organizohet çdo vit në Londër nga data 21-24 janar.
I gjithë ky udhëtim, vetëm për ish-ministren Nikolla ka kushtuar 3079 euro.
Kostot e udhëtimit në Londër për ish-ministren Nikolla/ Infografik: Jurgen Bame
Bileta e avionit e klasit “Economy” (një detyrim ligjor për ministrat) është rezervuar fillimisht për datën 21 janar 2018 dhe ka kushtuar 502 euro për itinerarin Tiranë-Londër-Tiranë. Tre ditë përpara nisjes, ministria ka ndryshuar datën e udhëtimit duke e rezervuar me një ditë para (20 janar), veprim ky që ka sjellë një kosto ekstra prej 365 euro vetëm për biletën e ish-ministres.
“Faktoje” nuk ka informacion se pse erdhi ky ndryshim.
Biletat e udhëtimit
MASR ka zgjedhur hotelin me 4-yje Radisson Blu Sussex, i pozicionuar në qendër të Londrës. Një natë në këtë hotel për ministren ka kushtuar 380 euro.
Radisson Blu Hotel Sussex/ Foto: Booking.com
Sipas faturës së sjellë nga MASR, ministria e ka rezervuar hotelin në Londër për në datën 19 janar por kujtojmë se ish-ministrja Nikolla fluturimin e kishte ndryshuar për në datën 20 janar.
Fatura e hotelit
Megjithatë, nëse shohim faturën e taksisë, figuron (me shkrim dore) se ish-ministrja ka mbërritur në aeroport në datën 21 dhe është kthyer në aeroport për t’u nisur drejt Tiranës me datë 25 janar, siç konfirmohet edhe nga fatura tatimore për biletën e avionit.
Fatura e taksisë
Nga verifikimi i të gjitha faturave të vëna në dispozicion ka një mospërputhje mes datës së mbërritjes dhe akomodimit të ministres Nikolla, ku rezulton se një ose dy netë në hotel janë paguar, por kanë shkuar dëm sepse ministrja nuk është akomoduar.
Udhëtimi me taksi nga aeroporti deri në hotel dhe anasjelltas ka kushtuar 309 euro ose pothuajse sa çmimi i një nate në hotelin e sipërpërmendur.
Ish-ministrja Nikolla ka udhëtuar për në Londër me dy anëtarë të stafit të saj, kostoja totale e biletave të avionit të të cilëve është 1680 euro. Ndërsa për shpenzimet e akomodimit të tyre nuk disponojmë të dhëna.
Për destinacionet e tjera jashtë shtetit për periudhën janar-dhjetor 2018: Romë, Parma, Izmir akomodimi në hotel varion nga 93-194 euro nata. Ndërsa për një udhëtim në qershor në Bruksel, MASR nuk ka sjellë fatura.
Nga dokumentat që kemi marrë nga MASR rezulton vetëm një urdhër shërbimi për nëntë udhëtimet e Nikollës dhe Shahinit gjatë periudhës janar 2018- qershor 2019. Urdhri i shërbimit, ashtu siç ka qenë praktikë ndër vite, është një detyrim ligjor i firmosur nga ministri që tregon arsyet dhe jep leje për dërgimin me shërbim jashtë shtetit të punonjësve të ministrisë, përfshirë titullarin.
Shpenzimet e Besa Shahinit
Gjatë ushtrimit të detyrës që prej janarit 2019 deri në qershor, ministrja aktuale e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka udhëtime vetëm brenda rajonit të Ballkanit.
Gjatë kësaj periudhë 6 mujore, Shahini ka udhëtuar gjithsej katër herë, me destinacion Bujanovcin, Beogradin dhe dy herë në Prizren.
Tre prej udhëtimeve sipas tabelës përmbledhëse që ka sjelle MASR janë pa kosto akomodimi dhe transporti. Në një nga udhëtimet në Prizren, ministrja ka shpenzuar 60 euro për akomodimin në hotelin Tiffany, i vetmi udhëtim për të cilin ministria na ka vënë në dispozicion një faturë.
Fatura e hotelit
Hotel Tiffany/ Foto: Booking.com
Në këtë udhëtim, Shahini mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të programit të shkëmbimit të nxënësve mes Shqipërisë dhe Kosovës “Si N’Shtëpinë Tënde”.
Buxheti i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë
Buxheti në total i programuar i MASR për vitin 2019 është mbi 39 miliardë lekë.
Buxheti total i programuar vetëm për udhëtime e dieta në vitin 2018 ishte 16,3 milionë lekë, ndërsa për vitin 2019 ky buxhet është përgjysmuar në 8 milionë lekë.