Në janar 2024 u depozitua në Kuvend nisma ligjore për ashpërsimin e Kodit Penal për marrëdhëniet seksuale me të mitur. Shkak u bë publikimi i dy rasteve të bashkëjetesës me vajza 14 vjeçare. Ashpërsimi i ligjit konsiston në rritjen e dënimit të parashikuar nga neni 100 i Kodit Penal dhe rritjen e moshës nga 14 në 16 vjeç, për të miturit. Mirëpo juristë të fushës argumentojnë për Faktoje se ndërhyrja në ligj nuk është ‘çelësi magjik’ për uljen e fenomenit, duke sjellë shembullin e veprës së dhunës në familje që rezulton në rritje pavarësisht ashpërsimit ligjor.
Ermal Vija
Më 18 janar 2024, mediat gëluan nga historia e mjekut kirurg Dervish Hasi 42 vjeç, që bashkëjeton me një 14 vjeçare. Më herët, 34 vjeçari nga Divjaka Aranit Arapi u arrestua në banesën e tij pasi ishte martuar me një të mitur 14 vjeçare nga Roskoveci i Fierit. Të dy personazhet e historive skandaloze, Hasi e Arapi u vunë në pranga nga policia, respektivisht me akuzën e trafikimit të të miturve dhe pornografisë, ndërsa tjetri për marrëdhënie seksuale me të mitur.
Të dyja ngjarjet shkaktuan tronditje në opinionin publik, edhe pse nuk munguan individë që i konsideruan normale këto histori.
Rrjetet sociale, shpërthyen nga revolta dhe dënimi i këtyre sjelljeve, teksa debatet e mbrëmjes në studiot televizive reflektuan të njëjtin qendrim.
Komente në rrjet për raportimin e martësës me të mitura
Mes diskursit publik dalloi një nismë e Partisë së Lirisë për ashpërsimin dhe amendimin e Kodit Penal në përpjekje për të ulur këtë fenomen.
Deputetja Erisa Xhixho, njëkohësisht nënkryetare e Partisë së Lirisë, iu drejtua Kuvendit me projektligjin ku sugjerohet konkretisht:
“-Dënimin nga 10-15 vjet burg për cilindo të rritur që kryen veprime apo marrëdhënie seksuale me fëmijë nën moshën 16 vjeç.
-Dënimin me tridhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm në rastet kur vepra sjell si pasojë zhdukjen, vetëvrasjen ose vdekjen e fëmijës.
-Dënimin me 7-10 vjet të akteve si nxitja, shtytja apo manipulimi i fëmijës për ta shtyrë drejt marrëdhënieve seksuale etj.”
Ne bëmë një verifikim mbi masat e parashikuara në Kodin Penal ekzistues, për të kuptuar ku konsiston ashpërsimi i tyre, nga pikpamja ligjore.
Neni 100 i Kodit Penal (linku), “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitur”, parashikon dënimin me 7 deri në 15 vite burg. Kodi aktual ndëshkon këto marrëdhnëie kur fëmija nuk ka arritur moshën 14-vjeçare, ose pjekurinë seksuale. Me projekt-propozimin e PL synohet rritja e moshës me dy vjet nga 14-16 (për viktimën) dhe rritja me tre vjet e dënimit minimal për këtë vepër, nga 7 në 10 vjet.
Kur abuzimi ndodh në grup dhe më shumë se njëherë, apo kur ka shkaktuar dëme te fëmija, ligjvënësi ka parashikuar një dënim jo më pak se 25 vjet. Kur kryerja e marrëdhënieve seksuale ka sjellë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës, ligji parashikon një dënim nga 30 vite deri në burgim të përjetshëm.
Parashikimi aktual, Neni 100 i Kodit Penal -Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur Dënimi 7 deri në 15 vite burg Propozimi i Partisë së Lirisë për ta ndryshuar -Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur Dënimin nga 10 deri në 15 vite burg |
Sa efekt jep ashpërsimi i ligjit në parandalimin e këtyre veprave penale?
Për juristin Elton Domi, rritja e dënimit për veprën penale nuk e parandalon një fenomen të tillë, por kujdes të shtuar duhet të ketë familja dhe shoqëria për uljen e tij.
“Rritja e marzhit të dënimit të propozuar, në kuadër të ndëshkimit të politikës penale, ka dëshmuar nga pikpamja e histories Juridiko-penale që nuk është zgjidhje e çështjeve që synohen të trajtohen”, deklaron Domi për Faktoje.
Në argumentimin që mbështet tezën e tij, juristi Domi e krahason këtë vepër parashikuar nga neni 100 i Kodit Penal me atë të dhunës në familje, parashikuar nga neni 130 i Kodit Penal, i cili edhe pse u ashpërsua dha efekt të kundërt.
“Vepra penale e dhunës në familje, pavarësisht rritjes së marzhit të dënimit, nuk është rralluar, por përkundrazi është shtuar. Këto janë vepra penale që në bazë të tyre ka probleme të natyrës sociale. E thënë ndryshe, përsa kohë që nuk i japim rëndësi të posaçme familjes, shkollës apo edukimit në tërësi, sado të rriten marzhet e dënimit në fushën penale, vlerësoj se nuk do të kemi zgjidhje të këtyre çështjeve. Duhet punuar më shumë në parandalimin e këtyre eventeve sesa në zgjidhjen e pasojave post faktum, pra pas kryejes së veprës penale”, përfundon Juristi Domi.
Kontekst
Vepra penale e dhunës në familje, parashikuar nga Neni 130 i Kodit Penal u ashpërsua në vitin 2017, ndërsa vitin e kaluar u propozua një tjetër ndryshim: refuzimi i gjykimit të shkurtuar për personat që akuzohen për dhunë në familje. Megjithatë, fenomeni i dhunës në familje rezulton në rritje.
Sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, për veprat penale “Dhuna në familje” gjatë vitit 2021 janë rregjistruar 1406 procedime penale, me 1234 të pandehur, duke shënuar rritje me 12,39 % të procedimeve për këtë vepër, krahasuar me vitin 2020.
Edhe për vitin 2022 vihet re tendenca në rritje prej 3,34 % e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 130 i Kodit Penal “Dhuna në familje”, në krahasim me vitin 2021.
Juristi Dritan Jahaj, ndan të njëtin qëndrim se ashpërismi i dënimit të veprës penale nuk i jep zgjidhje problemit.
“Në opinionin tim, të ndërhysh në Kod kërkohet së pari një studim i gjerë i faktorit dhe një analizë e hollësishme, duke u paraprirë nga vlerësimi dhe vërtetimi i arsyeve, pse ligji nevojitet të ndryshohet. Në lidhje me marzhin e dënimit vlerësoj se gjithë dizpozitat e Seksionit VI ku parashikohen “Krimet Seksuale”, kanë marzhe dënimi të ashpra dhe pothuajse të njëjtat që praktikojnë edhe vendet si Italia, Franca dhe Gjermania”, argumenton Jahaj.
Propozimi i deputetes Erisa Xhixho, bërë në bashkëpunim me CRCA, organizatën për mbrojtjen e fëmijëve, përveç rritjes së marzhit të dënimit me 3 vite në pikën 1 të nenit 100, sjell dy risi.
E para rritja e moshës së të dëmtuarit, kur marrëdhëniet seksuale dënohen, nga “nën 14 vjeç” në “nën 16 vjeç”.
E dyta, amendimin e Kodit Penal, me parashikimin për ‘rastet e shtytjes dhe nxitjes për kryerje të marrëdhënieve seksuale dhe dënimin e këtyre rasteve nga 7 vite në 10 vite”.
Juristi Domi e sheh me vend rritjen e kufirit të moshës për të mitur.
“Rritjen e moshës, si parakusht për të patur përgjegjësi penale në lidhje me marëdhëniet seksuale me të mitur nga 14 në 16 vjeç, e shoh si ndryshim pozitiv dhe të nevojshëm në normën penale që rregullon marëdhëniet seksuale me të mitur. Kjo për shkak se, rritja e moshës, garanton një vetëdije të shtuar për të kuptuar veprimet apo mosveprimet e personit që kryen marëdhënie seksuale në moshë të mitur si dhe personi gëzon një pjekuri seksuale të shtuar“, shprehet Domi.
Ja çfarë i mungon Kodit Penal në vlerësimin e juristit.
“Unë vlerësoj një mungesë në ligj dhe konkretisht po marrim si shembull nenin 101 të Kodit Penal që parashikon ’Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç’. Ligjvënësi nuk ka parashikuar edhe forma të tjera përveç dhunës në konsumimin e kësaj vepre penale (edhe për shkak të moshës) siç mund të jetë, joshja ekonomike apo kryerja e aktit seksual në gjendje të dehur pavvarësisht faktit të njohjes midis viktimës dhe palës abuzuese”, thekson juristi Jahaj për Faktoje.
Për Altin Hazizajn që drejton organizatën për mbrojtjen e fëmijëve, njëkohësisht edhe palë propozuese për ndryshimin e Kodit Penal, rritja e dënimit për krimet sekusuale ndaj të miturve është e domosdoshme pasi mund të frenojë abuzuesit.
“Ashpërsimi i dënimit për krimet seksuale ka si qëllim kryesor të dekurajojë dhe të dënojë këdo që mendon se është e pranueshme të kryesh marrëdhënie seksuale me fëmijë. Të dhënat na tregojnë se mbi 80% e krimeve seksuale në Shqipëri kryhen ndaj fëmijëve nën 14 vjeç, ndaj çdo rritje e dënimit ndaj pedofilëve i mban ata sa më gjatë e sa më larg ndaj fëmijëve! Çdo pedofil duhet të paguajë për dëmin e tmerrshëm që i ka shkaktuar fëmijës”, shprehet Hazizaj.
Përfundim
Nisma ligjore për ashpësimin e ndëshkimit në Kodin Penal, për abuzimin ndaj të miturve konsiderohet jo produktive nga juristët. Ata e shohin më komplekse dhe gjithëpërfshirëse ndërhyrjen dhe këtu sugjerojnë kryerjen e studimeve për fenomenin, bashkëpunimin me institucionet e edukimit, para se të kryejnë ndryshimet në ligj. Nga ana tjetër jurisitët e konsiderojnë të cunguar Kodin Penal kur vjen fjala tek parashikimet e formave të tjera që çojnë në abuzimin seksual me të mitur, çka e bën të nevojshëm amendimin e ligjit.