Nga Nevila Gjata
Ditën që kryetari i PD-së, Sali Berisha, ngjiti shkallët e selisë blu pas thuajse një viti arresti shtëpiak, ai u tha mbështetësve se rasti i tij i ndalimit krahasohej me praktikat autokratike të Vladimit Putinit në Rusi apo Aleksandër Lukashenkos në Bjellorusi.
Një njeri i regjur me politikën, por edhe me diskurin e tij, Berisha kësaj here synoi të përdorë simbolikën e regjimeve autoritare të mbështetura nga Rusia për të denoncuar të ngjashmen, sipas tij, tek qeveria Rama.
Jo vetëm për ata që jetojnë në Shqipëri, por edhe jashtë saj, Berisha ka ngritur narrativën se Shqipëria është kthyer në një vend autokratik në ndikim të praktikave lindore.
Më herët, kryeministri Edi Rama dhe eksponentë të PS-së kanë aluduar se opozita shqiptare, veçanërisht PD-ja, është ndikuar nga qarqe ruse për të destabilizuar Shqipërinë dhe kundërshtuar integrimin evropian.
Në një hark kohor tre vjeçar, Partia Socialiste ka akuzuar dyshen Berisha-Meta për financime nga Rusia për qëllime personale politike.
Akuzat në politikë për financime të paligjshme nga kompani ruse janë ngritur në mënyrë të përsëritur, sidomos pas raportimeve ndërkombëtare mbi ndërhyrjet ruse në politikën e Ballkanit.
Mund të risjellim deklaratën e Pandeli Majkos në një nga seancat e ndezura të Kuvendit ku shprehej se, duhej marrë seriozisht fakti se, “Shqipërisë nëpërmjet një partie (PD) i është prekur siguria kombëtare”
Majko i referohej dosjes së njohur “Nick Muzin” për të cilën Sali Berisha i shkëputur politikisht nga Lulzim Basha akuzoi këtë të fundit si të përfshirë duke ngritur edhe një komision auditi rezultatet e të cilës mbetën në eter.
“PD s’ka marrë asnjë qindarkë nga një vend që e ka pozicionuar si armik të çështjes kombëtare shqiptare… Dosjen e mbylli Edi Rama… E bëri për të marrë peng Bashën”, shprehej ndër radhë Berisha
Erion Brace e risolli narrativën në një nga seancat e fundit të Kuvendit, ku në një debat publik, (në rastin më të mirë) përdori një metaforë politike ndaj deputetes së PD-së, Ina Zhupa, se ajo ka “fytyrë ruse”.
Akuzat për ndikim rus janë përdorur edhe si luftë së brendshmi.
Berisha dhe eksponentë të PD-së e kanë akuzuar ish-kryetarin e tyre Lulzim Basha për lidhje me Rusinë nëpërmjet dosjes “Nick Muzin”.
Dosja lidhet me pagesa të dyshimta për lobim nga një kompani ruse, ndërsa ai ishte kryetar i PD-së. Basha është portretizuar nga ish-kolegët e tij të PD-së si një figurë, që mund të ketë marrë mbështetje indirekte nga qarqe ruse për të dobësuar partinë për interesa personale. Sali Berisha është shprehur më herët se, “nga fondet që Biniatta ka dorëzuar te Nick Muzin, nuk kanë kaluar asnjë prej tyre nga arka e PD-së dhe fondet e PD-së. Për këtë arsye, përgjegjësia nuk është e PD, por është individuale e Lulzim Bashës dhe atyre që janë përfshirë në këto sanksione”.
Por, një tjetër ish- eksponent në PD, Azgan Haklaj, ka akuzuar publikisht jo Bashën por Berishën për bashkëpunim të heshtur me Rusinë
RETORIKA
“Ka raste të ndërhyrjes ruse, por kakofonia politike dhe përdorimi i vazhdueshëm i gjysëm të vërtetave në përballjen politike në vendin tonë, pengon fokusimin dhe identifikimin e tyre” Roland Bimo
A ka hetime të pavarura për të vërtetuar akuzat apo ato mbeten në nivel retorik? Diplomat karriere, ish-ambasadori Roland Bimo thotë për Faktoje.al se, nga hetimet e kryera në SHBA (lidhur me përdorimin e parave ruse për lobim), ka indicie indirekte, që nuk janë konsideruar si të tilla nga gjyqësori në vendin tonë për të zhvilluar hetime të mëtejshme.
Sipas tij, modeli shqiptar i të bërit politikë nuk pret për prova, thjesht formulon akuzat dhe sillet si prokuror. Bimo thotë se ka raste të ndërhyrjes ruse, por kakofonia politike dhe përdorimi i vazhdueshëm i gjysëm të vërtetave në përballjen politike në vendin tonë, pengon fokusimin dhe identifikimin e tyre.
Studiuesi për çështjet e demokracisë, qeverisjes dhe partive politike, Arjan Dyrmishi i sheh akuzat si “aludime” por “jo të vërtetuara përmes hetimeve të pavaruara dhe provave të pakundërshtueshme”.
Edhe Drejtori i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë, diplomati Arben Çejku thotë se, ka patur disa tentativa, por kanë mbetur si të tilla, falë barrierave që ka vënë NATO dhe agjencitë e tjera të sigurisë të SHBA dhe BE-së.
HETIMET
Monika Kryemadhi ndërkohë është akuzuar nga PS për transferta parash të dyshimta me kompani ruse dhe për lidhje financiare të paligjshme. “…A është prekur siguria kombëtare në këtë rast? Unë mendoj që po. Kur je në shoqëri tregtare ku marrin pjesë politikanë të lidhur me Putin, kjo është e rëndë”, shprehej Taulant Balla në kohën kur drejtonte edhe grupin parlamentar të PS-së.
Në mars 2023, në TCH u publikuan raporte ku pretendohej për pagesa nga kompani ruse drejt llogarive të familjes Meta-Kryemadhi. ” … Verifikimi ligjor i atyre letrave të pista dalë në mexhelis në ekranet e mëdha kombëtare është domosdoshmëri dhe drejtësia duhet të provojë se nuk punon me dy standarde, siç punojnë altoparlantët e llojllojshëm të lukunisë kinse opozitare. që për këto tmerre as nuk bëzajnë fare!”, komentonte Rama në Twitter. Vetë Kryemadhi i ka mohuar akuzat. Kësaj çështje vitet e fundit iu bashkëngjit edhe debati i hershëm politik që lidh dosjen “Nick Muzin” me Lulzim Bashën për pagesa të dyshimta për lobim nga një kompani po ruse, ndërsa ai ishte kryetar i PD-së.
KALLËZIMET
Sa u reflektuan akuzat publike për bashkëpunim të dyshimtë rus me politikanë shqiptarë në kallëzime penale?
“Dosja më e njohur është ajo që u njoh si ‘lobimi rus’ hapur në Shqipëri në aspektin penal gjatë vitit 2017 ku dhe kryen kërkime hetimore mbi kontratat e PD për kompani konsulente në SHBA dhe pagesat përmes kompanisë ‘Biniatta Trade’. Kjo kompani në prapaskenë kishte si pronare reale dy ruset Viktoria Valkovska dhe Natasha Radisheva.
Hetimet u finalizuan në atë kohë me përpilim akuzash ndaj Lulzim Bashës dhe ndaj ish -Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani, dhe financierit të partisë, Ilir Dervishi, një çështje e cila u pushua në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe që siç duket nga aktet mbasi u apelua u la në fuqi. Për shkaqe të pabazuara ligjore teksa prokurori i çështjes së Apelit që përfaqësoi akuzën kishte dhënë dorëheqjen nga sistemi, askush nuk u kujtua ta bëjë rekurs dosjen në Gjykatën e Lartë, duke mbyllur kështu një nga çështjet më të bujshme dhe po ashtu më të diskutuara…”, thotë për Faktoje.al, gazetarja e kronikës, Anila Hoxha.
Paralelisht, vitet e fundit, Kryeministri Edi Rama dhe eksponentë të PS-së janë akuzuar nga Berisha se, përmes veprimeve të tyre kanë krijuar hapësira për influenca ruse në Shqipëri.
”…A e dini ju se Deripaska (oligark trus) i ka tentakulat e tij në të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare. A e dini ju se Damiani (Gjiknuri) juaj është zëdhënës kryesor i interesave ruse në Shqipëri”, është shprehur më herët Berisha.
Përpos akuzave që lidhin aktorë të caktuar të politikës me influenca të dyshimta ruse apo publikimeve të veçanta në media si dosja “Kryemadhi”, aktualisht në dyert e drejtësisë kemi vetëm dy çështje penale të hapura, që kanë lidhje me Rusinë, por jo me reflektimin e akuzave sa më sipër.
“E para është në Elbasan dhe gjendet prej muajsh në seancë paraprake. Ka si të akuzuar tre të rinj konkretisht dy rusë dhe një ukrainas të zbuluar në Uzinën e Cekinit, Gramsh dhe janë nën akuzë për sigurim të informacioneve sekrete ndryshe spiunazh. Çështja tjetër, ende nën hetim për vrasje, është ajo e vdekjes së katër turistëve rusë në zonën e Qerretit, ngjarje që vazhdon të mbetet e pazbardhur pavarësisht dhjetëra ekspertizave si në vendin e ngjarjes ku u krye eksperimenti ndaj ujit me klor të pishinës ashtu edhe tek pyetjet e një liste të gjatë personash”, thotë gazetarja Hoxha
ANA TJETËR E MEDALJES
Ndërkohë, ata që janë jashtë politikës, por edhe hetimeve e kanë më të qartë panoramën. Diplomati Arben Çejku thotë për Faktoje.al se, produktet ruse si nafta, drithërat etj, gjithnjë janë përpjekur të gjejnë rrugën e tyre për tek konsumatori europian dhe shqiptar.
“Nëse rusët kanë përdorur miq të tyre europianë edhe në rajonin tonë për të ndikuar tek politikanë të caktuar në Shqipëri, atëherë kjo do të shihet në të ardhmen” Arben Çejku
Sipas tij, flitet shumë që qytetarë jo-rusë, por me lidhje me paranë ruse, që kanë blerë prona në bregdet me një lehtësi të dyshimtë. Çejku vëren se sa më e kriminalizuar dhe informale të jetë ekonomia e vendit tonë, aq më e madhe është porta e depërtimit të interesave të vendeve jomiqësore, siç është Rusia. Ai thekson se, nëse SPAK dhe organet e tjera të drejtësisë kanë të dhëna, qoftë edhe nëpërmjet zbërthimit të aplikacioneve të kriptuara telefonike si SkyEncc, Matrix etj, për lidhje të politikanëve të ndryshëm me botën e krimit, atëherë, nuk do të përbënte habi lidhja e figurave të caktuara me oligarkë rusë.
Hetime konkrete për lidhje të politikës deri më tani nuk ka, por Çejku vëren se, “nëse rusët kanë përdorur miq të tyre europianë edhe në rajonin tonë për të ndikuar tek politikanë të caktuar në Shqipëri, atëherë kjo do të shihet në të ardhmen”.
LUFTA POLITIKE
Si ka ndikuar kjo narrativë tek përceptimi publik?
”…Shumica e votuesve e kuptojnë që është pjesë e luftës politike”, përgjigjet diplomati Roland Bimo
Studiuesi Arjan Dyrmishi vëren se narrativa ka disi ndikim në vlerësimin e publikut ndaj partive politike por “nuk mendoj aq shumë sa të ndryshojë qendrimet e mbështetësve të secilës parti”.
Ai e sheh më shumë si konsum politik sipas zhvillimeve të aktualitetit. Dyrmishi vëren se, vetë publiku shqiptar nuk ka një ndërgjegjësim të qartë për përfshirjen e Rusisë në politikën e brendshme. “Publiku reflekton narrativat politike në mënyrë ciklike”
“Kjo narrative, por dhe narrativa të tjera ndërkombëtare që shpesh nuk janë aq relevante për Shqipërinë merren dhe përdoren si taktikë për të shmangur vëmendjen nga çëshje më konkrete për vendin” Arjan Dyrmishi
“Kjo narrative, sipas tij, por dhe narrativa të tjera ndërkombëtare që shpesh nuk janë aq relevante për Shqipërinë merren dhe përdoren si taktikë për të shmangur vëmendjen nga çëshje më konkrete për vendin”
Diplomati Arben Çejku nënvizon se, publiku shqiptar ka nevojë të dëgjojë më shumë nga institucionet shtetërore rreth akteve konkrete të Rusisë kundër interesave shqiptare. Sipas tij, nuk mjafton të përdoret retorika e “rrezikut rus”, kur ajo nuk shoqërohet me informacione konkrete. “Arrestimi dhe më pas lirimi i disa të dyshuarve që fotografonin repartet ushtarake etj, nuk u sqarua siç duhet për publikun. Po ashtu, në rrethana të dyshimta u deportua një shtetas rus, që akuzohej nga Putin për krime ekonomike. Akte të tilla kanë nevojë për më shumë transparencë dhe duhet shtuar vigjilenca nga ana e shërbimeve të sigurisë ndaj depërtimeve të shërbimit sekret rus në Shqipëri nëpërmjet shtetasve ukrainas dhe të vendeve të tjera, që hyjnë lirisht këtu”, thotë Çejku
Kush është më pro perëndimor?
Në shtator të vitit të 2002 në luftën e ethshme se kush po i shërbente Rusisë, Flamur Noka u përpoq ta servirte debatin për dosjen “Nick Muzin” si një rast të veçuar nga PD-ja edhe pse Basha kishte vënë firmën si kryetar i PD-së.
“Çdo xhest apo hap personal nuk do të përfshijë PD në këtë tumnajë dhe baltosje. Demokratët janë njerëz të lirë dhe me orientim pro-perëndimor. Asgjë nuk e lidh PD me boshtin serbo-rus. PD është e para që u krijua me orientim euro-atlantik…”. Një tezë kjo që na lidh me një probagandë të shumëfishtë nga PD e cila e ka relativizuar veten gjithnjë në krah të Perëndimit
“Pjesë e rëndësishme e narrativit të “Qendrës së Djathtë” shqiptare qysh me krijimin e saj ka qenë identifikimi me Perëndimin dhe kundërshtarët i ka portretizuar të lidhur me Lindjen. Është evident synimi, objektivi, për të siguruar mbështetje perëndimore duke paraqitur rrezikun Rus”, thotë diplomati Bimo. Edhe Dyrmishi i qëndron tezës se, “është përpjekja për të treguar se kush është më ‘pro-perëndimor”
Po vetë aleatët perëndimorë si i shohin akuzat për ndikimin rus në politikën shqiptare?
“Jam i prirur të besoj se Perëndimi është i interesuar për neutralizimin e ndikimit rus në Shqipëri dhe në rajon. Por nuk besoj se akuzat reciproke në Shqipëri merren seriozisht nga opinioni politik në Europë”, përgjigjet Bimo.
Çejku gjithashtu thotë se, “vetë partnerët tanë e dinë më mirë se ne se sa të rrezikuar jemi”. “Ata dinë ta dallojnë propagandën nga shqetësimet konkrete dhe është mirë që nga cdo pozicion që flasim, të jemi serioz dhe as të mos e nënvlerësojmë kërcënimin rus, por as të mos e hiperbolizojmë për përfitime politike të momentit. Në përballje me kërcënimin gjeostrategjik rus, duhet të kemi kontinuitet dhe gjithpërfshirje. Kjo do të thotë, që qeveria dhe opozita të koordinojnë dhe të mos përbaltin njëra-tjetrën me akuza pa bazë dhe të ketë më shumë llogaridhënie. Presidenti duhet gjithashtu ta vërë në lëvizje herë pas here Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të bërë analizat e nevojshme në përputhje me rrethanat”, nënvizon Çejku.
Por diplomati Roland Bimo thotë se bashkëpunimi politik i domosdoshëm për të neutralizuar këtë lloj ndërhyrje, nuk ekziston.
Sipas tij, edhe vetë përçarja ekstreme politike në Shqipëri mund të jetë indirekt ndikim Rus. “Rusia si të gjithë vendet e mëdhenj, dyshoj/besoj se përdor metoda të sofistikuara ndërhyrjeje. Për shëmbull, më duket se lajmi i parë për bisedimet midis ShBA dhe Shqipërisë në vitin 2013, për neutralizimin në vendin tonë të armëve kimike të Sirisë, është dhënë nga një portal rus. Publikimi i parakohshëm i lajmit dyshoj se ishte një ndër shkaqet përse ato bisedime dështuan”, vëren Bimo
Rusia dhe rajoni
Së fundmi, dy deputetë, respektivisht nga PD dhe PS, Kreshnik Çollaku dhe Pandeli Majko e panë sulmin në ambasadën shqiptare në Ukrainë si akt të qëllimshëm të Rusisë për të dërguar mesazhe politike.
Ndërkohë Sali Berisha dënoi pak kohë më parë aktet terroriste në veri të Kosovës, duke akuzuar Beogradin për nxitjen e konflikteve me një “skenar tipik të Rusisë së vogël”.
Ai e konsideroi destabilizimin e rajonit si interes të drejtpërdrejt të Kremlinit.
Arben Çejku vëren se, kërcënimi rus është më evident në vendet balltike dhe përpjekjet për destabilizim vihen re shpesh në kufirin Kosovë – Serbi.
Shqipëria, sipas tij, nuk duket se është në hartën e operacioneve ruse për shkak se ne jemi pjesë e NATO-s dhe shërbimet e vendeve partnere kanë prezencë më të madhe. “Në anën tjetër, proamerikanizmi i shqiptarëve e mban larg ariun rus. Në tërësi, diskutimet për ekonominë e zezë shqiptare dhe lidhjet e saj me klanet mafioze të drogës në rajon e më gjerë, nuk janë prezente dhe janë një temë e munguar. Mendoj se në shumicën e rasteve, kjo formë narrative për ‘kërcënimin rus’, përdorur kryesisht nga qeveria, ka sfumuar tema të tilla të nxehta siç është rritja e ndikimit të grupeve kriminale shqiptare në ekonomi dhe politikë”, thotë Çejku
Ndërkohë, Berisha dhe aleatët e tij kanë akuzuar shpesh Ramën për lidhje indirekte me qarqe që favorizojnë interesat ruse në rajon, përmes marrëdhënieve që kryeministri shqiptar ka krijuar me Presidentin serb Vuçiç.
Berisha e quajtur Ramën “kukull” të Vuçiçit dhe ka akuzuar qeverinë e tij për bashkëpunim me Serbinë në destabilizimin e Kosovës. Për të mbështetur këtë tezë, ai ka hequr paralele historike për qëndrimet që janë mbajtur në kohë të ndryshme kundër Kosovës.
Diplomati Roland Bimo thotë se, Serbia dhe politikat e saj, në mënyrë të veçantë ndaj Kosovës, dhe mbështetja e Rusisë ndaj tyre janë arsyeja kryesore e marrëdhënieve të këqija apo mungesës së marrëdhënieve të Shqipërisë me Rusinë. “Karakteristikë e qëndrimeve shqiptare është ekspozimi maksimal i lidhjeve Serbi-Rusi, rrezikun që kjo lidhje paraqet për interesat perëndimore në rajon me qëllim tërheqjen e Perëndimit në anën tonë në përplasjen me Serbinë”, thotë ai. Bimo nënvizon se narrativa ruse në këtë rast e pengon integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. “Integrimi në BE i rajonit do të godiste rëndë endrrën ruse për influencë në Ballkan dhe portet e Mesdheut. Përderisa bashkëpunimi rajonal është kusht i rëndësishëm për integrimin në BE, Rusia përpiqet të përçajë rajonin”, thotë Bimo
Rusia më shumë se për Shqipërinë, sipas diplomatit Çejku, vazhdon të mbetet një kërcënim real për rajonin tonë. Sipas tij, ndikimet e saj më të mëdha janë në Bosnjë e Hercegovinë, në Serbi dhe Maqedoninë Veriore. “Në të gjitha këto vende ka provuar të ketë aksione konkrete dhe ka personazhe si Dodik apo Vuçiç me të cilët koordinon influencën e saj në rajonin tonë. Destabilizimi dhe konfliktet në rajonin tonë, në vendet që ende janë në tranzicion përsa u përket euro-integrimeve (Serbia, BeH, Kosova, Maqedonia e Veriut), duket se janë ende pjesë e agjendës ruse. Shqipëria duhet të flasë më qartë për interesat e shqiptarëve në rajonin tonë dhe të mos kompleksohet përballë propagandës albanofobe që na akuzon për ‘Shqipërinë e Madhe’. Ne kemi detyrë t’ja bëjmë të qartë gjithë botës se në cdo rast do të reagojmë si komb i vetëm, pavarësisht se në cilat shtete paguajmë taksat dhe detyrimet shtetërore”, nënvizon Çejku
Këtu pastaj kalojmë tek një tjetër debat se si politika duhet të jetë e angazhuar në parandalimin dhe ekspozimin e propagandës, në vend që ta shfrytëzojë atë për përfitime politike.
“Etika është një element komunikimi qytetar i cili ka emigruar prej shumë vitesh dhe nuk duket në asnjë përballje politike dhe debat publik. Gjithnjë e më shumë, mungesa e etikës prevalon forcën e argumentit, provat dhe faktet, qytetarinë dhe kulturën e sjelljes demokratike”, vëren Çejku.
Përpjekjet globale
“Në kohën e luftës së ftohtë, avantazhi i rëndësishëm i Perëndimit ka qenë lejimi/tolerimi/kultivimi i debatit të hapur dhe pluralist, bazuar në thënien që i atribuohet Voltairit, ‘unë nuk jam dakord me ju por do të mbroj të drejtën tënde për të folur”, nënvizon Bimo. Por vitet e fundit, sipas tij, “hapësira për diversitet mendimesh është zvogëluar dhe kushdo që nuk përsërit fjalë për fjalë narrativën që del nga qendrat politike në Perëndim është të paktën ‘mirëkuptues i Putinit’ për të mos thënë më shumë”.
“Mungesa e diversitetit të mendimeve në debat e dobëson pozitën e kampit perëndimor. Praktikisht tashmë që Presidenti i zgjedhur Trump njeh dhe shpreh publikisht efektin e zgjerimit të NATO- s si një nga shkaqet e luftës në Ukrainë, ka krijuar konfuzion për pozicionimin e mëtejshëm të Evropës ndaj kësaj lufte. Partitë në pushtet në Evropë kanë humbur dhe janë drejt humbjes se zgjedhjeve”, vëren ai.
Përmbledhje
Në themel të gjithë sa thuhet, sipas ambasadorit Bimo, qëndron përceptimi negativ i Rusisë në opinionin shqiptar.
“Ky përceptim është një aset me vlerë për këdo që arrin ta përdorë me aftësi në arritjen e fitores në ndeshjen politike brenda vendit. Jo më pak e rëndësishme është edhe për të treguar besnikëri pa kufi ndaj partnerëve perëndimore, ndonëse kësaj besnikerie unike nuk i kushton njeri në Perëndim ndonjë vlerësim të vecantë. Bërthama e qenësishme e këtij përceptimi qëndron në rolin e Rusisë si aleate e fqinjëve grabitqare të Shqipërisë”, thotë Bimo.
Sipas tij, e vërteta duhet të jetë shumë më komplekse, por mitet janë më të lehta për tu komunikuar…