Autore: Shkurte Qoka, Anjeza Bardhi, Meglisa Mikli
“Rruga e Rinisë” në Dibër, është lënë në një gjendje të mjeruar prej dekadash. Pavarësisht premtimeve të përsëritura nga politikanët, mungesa e investimeve ka lënë rreth 2800 banorët e zonës të përballen me kushte të vështira, sidomos gjatë dimrit. Banorët e zonës apelojnë për veprim konkret dhe jo vetëm fjalë boshe.
“Rruga e Rinisë” që lidh fshatin Muhurr me pjesën tjetër të Dibrës është lënë në gjendje të mjeruar. Sipas banorëve të zonës, që nga ndryshimi i sistemit, rruga ka degraduar vazhdimisht dhe askush nuk ka ndërhyrë për ta rikonstruktuar. Madje banorët thonë se rruga është ngushtuar nga 7 metër në vetëm 2 metër, duke bërë të pamundur qarkullimin normal të mjeteve dhe këmbësorëve.
“Rruga, që në kohën që u ndryshua sistemi erdhi duke u shkatërruar nga fillimi dhe deri në fund dhe vazhdon duke u shkatërruar. Nuk është punuar fare në këtë rrugë. Mirë që është e shkatërruar, por edhe e kanë ngushtuar, ka qenë 7 metër rrugë, tani ka ngel 2 metër, nuk kanë ku lëvizin as njerëzit e makinat”, ngre shqetësimin Rexhep Qoka, banor i zonës.
Në dimër, situata përkeqësohet edhe më shumë, pasi rruga bëhet e pakalueshme për shkak të reshjeve të shiut, por edhe ngricave. Gjithashtu shtojnë se mungesa e trotuareve në këtë rrugë rrit edhe rrezikun për këmbësorët.
“Rruga në dimër shkatërrohet totalisht dhe nuk lëvizin mjetet, lëvizin me vështirësi, nuk kanë as ku shkëmbehen makinat. Nuk ka as trotuare”, shton i moshuari.
Banorët shprehin shqetësimin e tyre për situatën, duke theksuar se premtimet për rikonstruksionin e rrugës janë bërë në mënyrë të përsëritur nga politikanët gjatë fushatave zgjedhore. Megjithatë, këto premtime kanë rezultuar vetëm në fjalë boshe, pasi nuk ka pasur asnjë veprim konkret nga drejtuesit, pavarësisht nëse kanë qenë të majtë apo të djathtë.
“Rruga është premtuar dsa herë dhe vetëm janë gënjeshtra dhe vazhdojnë gënjeshtrat nga partitë politike se asnjë lloj veprimi nuk është ndërmarrë”, thotë Mirushja.
Sipas banorëve mendohet se aktualisht në këtë zonë jetojnë rreth 2800 banorë, pasi në vitet e fundit ka pasur edhe largime masive nga fshati, por mungojnë të dhënat e sakta nga institucionet.
“Sot fshati është bosh, nuk ka të rinj. Jeni ne mosha e tretë dhe fëmijë. Sa mbarojnë gjimnazin ikin të rinjtë dhe nuk kthehen më”, rrëfen e moshuara.
Më 27 nëntor 1946 u përurua “Rruga e Rinisë” dhe ishte aksioni i parë i madh kombëtar i rinisë për rindërtimin e vendit pas Çlirimit.
*Artikulli është realizuar nga nxënës të gjimnazit “Dine Hoxha” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri.
Mentore: Ilda Hoxha