Afatet për përfundimin e projektit madhor të rrugës së Arbrit me vlerë rreth 40 miliardë lekë, po dështojnë njëri pas tjetrit. Njëri prej tyre është ai për segmentin Qafa e Buallit-fillimi i rrugës së Arbrit, që sipas kontratës duhej të ishte gati brenda muajit prill. Kështu kishte premtuar edhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku në nëntor 2021. Faktoje konstatoi në terren se punimet ishin ende larg përfundimit, ndërkohë që në mesin e marsit 2022, ka pasur një shtyrje të kontratës së punimeve me dy muaj. Ndërkohë kostot vijojnë të rriten bashkë me numrin e premtimeve të pambajtura.
E përuruar nxitimthi nga Kryeministri Rama, rruga e Arbrit nuk do të shohë përfundimin as këtë pranverë të vitit 2022. Në datën 28 nëntor 2021 gjatë ceremonisë së hapjes së rrugës, Ministrja e Transportit Belinda Balluku u shpreh se kontrata ka afat dorëzimi fundin e prillit 2022.
Pjesë nga njoftimi në faqen zyrtare të Kryeministrisë
Pavarësisht kësaj deklarate, një tender i hapur nga ARRSH në datën 17/03/2022 tregon se punimet do të shkojnë përtej prillit të këtij viti.
*Të dhënat e datës së mbajtjes së tenderit nga ARRSH, të dhënat nga OpenData
Sipas të dhënave nga njoftimi i kontratës, rehabilitimi në aksin rrugor Qafa e Buallit – fillimi i rrugës së Arbërit do të kushtojë 12 milionë lekë të reja (ose 120 milionë lekë të vjetra) ndërsa afati i punimeve do të jetë dy muaj nga lidhja e kontratës, pra në muajin maj.
Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të mësuar se kur parashikohen të përfundojnë punimet për Rrugën e Arbrit, kërkesë për të cilën presim ende përgjigje.
Sa u ka kushtuar xhepave të shqiptarëve “Rruga e Arbrit”?
Në komunikimin e fundit që Faktoje ka pasur me Ministrinë e Infrsatrukturës dhe Energjisë në datën 19 prill 2021 jemi informuar se vlera e kontratës është 33.6 miliardë lekë, sipas kontratës së miratuar me VKM.
*Përgjigje e Minisrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, 19 prill 2021
Një vit më vonë ARRSH, në një raport publik njofton se vlera aktuale për këtë rrugë është 37.7 miliardë lekë.
Raporti i ARRSH për vitin 2022
*Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë
Vëzhgimi në terren
Në datën 13 prill 2022 Faktoje shkoi në terren për të parë ecurinë e punimeve në këtë rrugë. Në“Qafën e Buallit” rruga vazhdonte të ishte e papërfunduar.
*Pjesë nga segmenti “Qafa e Buallit”
Ndërkohë punime kryheshin edhe në akse të tjera “Qafa e Murrizit” vazhdonte të ishte kantier punimesh, ndërsa rruga në afërsi të Bulqizës ende nuk kishte nisur.
Tabela orientuese përgjatë rrugës së Abrit, segmenti “Qafa e Murrizit” 13/04/2022
Makineri që punojnë përgjatë segmenit13/04/2022
Pjesë nga segmenti “Qafa e Murrizit” 13/04/2022
Pjesë nga segmenti “Qafa e Murrizit” 13/04/2022
Historia e premtimeve për “Rrugën e Arbrit”
Rruga e Arbrit, një nga akset më të rëndësishme të vendit dhe po aq e premtuar dhe ripremtuar nga qeveritë në ikje dhe ardhje. Faktoje numëron të paktën 13 premtime për përfundimin e saj:
8 qershor 2015, Shkëlqim Cani: Nga vjeshta fillon Rruga e Arbrit me tunelin e dytë (Murrizi), ky është premtimi kryesor që kemi dhënë për Qarkun e Dibrës.
30 dhjetor 2016, Rama: Do ta mbaroj unë si kryeministër, Rruga e Arbrit është në proces.
12 prill 2017, Rama në Facebook: Projekti i parë i Programit Kombëtar 1 Miliardë për Rindërtim hyri sot në fazën finale: RRUGA E ARBERIT. Pas 25 vjetësh premtime boshe e zhgënjime pas çdo votimi, viti 2017 është viti i nisjes së punës për këtë aks, që e bën Dibrën fqinje të afërt të Tiranës dhe do t’i japë hov zhvillimit ekonomik, social e turistik të një zone të tërë bukurish e burimesh të jashtëzakonshme natyrore, që për çerekshekulli u la në rrënimin e harresës.
30 maj 2017, Rama: Në gusht mbyllim kontratën, në shtator fillon puna
14 qershor 2017, Rama në Peshkopi: Rruga e Arbrit që është një zotim solemn i yni do të nisë nga puna me të përfunduar kontrata, procedura është drejt përfundimit dhe brenda shtatorit ne do të fillojmë punën.
30 tetor 2017, Rama: Ministria ka nisur negociatat për termat e kontratës me kompaninë që rezultoi fituese në garë dhe ne jemi shpresplotë që në harkun e 30-45 ditëve maksimumi kontrata do të finalizohet dhe puna për rrugën e Arbërit do të fillojë për të mos u ndalur më deri në përfundimin e këtij aksi të rëndësishëm.
11 nëntor 2017, Gjiknuri në Bulqizë: Vitin tjetër fillojnë punimet dhe në krye të 3 vjetëve maksimumi Dibra do të jetë e lidhur me Tiranën.
7 maj 2018, Rama në Lezhë: Them se brenda majit ne do të çelim më në fund kantierin e Rrugës së Arbrit që do të fillojë dhe nuk do të ndalet më puna deri kur të ketë mbaruar përfundimisht.
15 maj 2018, Xhaçka: Më në fund kanë ardhur mjetet, për dy javë fillon puna për rrugën e Arbrit, dhe ambicja jonë është që brenda tre viteve Tiranë-Bulqizë që do të lidhet për vetëm 30 minuta të ketë përfunduar.
9 qershor 2018, Rama: Së shpejti nis puna për një sërë veprash të reja infrastrukturore, Rruga e Arbrit shkurton distancën mes Tiranës dhe Bllatës në vetëm 74 km.
12 qershor 2018, Rama në Durrës: Më në fund do ti japim fund 100 viteve ëndrra, heshtje, pritje, premtime, zotime, betime për rrugën e Arbrit .
30 qershor 2020 Belinda Balluku: Rruga e Arbrit gati në pranverë të 2021, projekti nuk ka pengesa
19 Shtator 2020 Elisa Spiropali: Të jesh i sigurtë se para zgjedhjeve do të përfundojë rruga e Arbërit”.
Ndryshe nga ajo çfarë është premtuar 13 herë nga viti 2015, Rruga e Arbërit ende nuk ka mbaruar, ndërsa kostot shtohen për çdo vit që kalon.