Rrjeti Kundër Dezinformimit për Ballkanin (ADN-Balkans) dënon sulmin fizik ndaj gazetares serbe pjesë e media të verifikimit të fakteve Istinomer, që ndodhi më 15 prill, ndërsa ajo po raportonte nga kampi i kundër-protestuesve pro-qeveritarë përpara Parlamentit, në Beograd.

Pamjet filmike të publikuara nga Istinomer tregojnë një person mashkull që e sulmon gazetaren duke e goditur në dorë, edhe pse ajo kishte kartën e identifikimit dhe u prezantua si gazetare. Istinomer raportoi gjithashtu se pas sulmit, gazetarja iu drejtua një polici aty pranë, i cili iu përgjigj vetëm me fjalët: “Kujdes, edhe ndaj nesh sillen kështu.”

ADN-Balkans dënon sulmin ndaj gazetares dhe shpreh mbështetje për ekipin e Istinomer dhe botuesin e tyre CRTA, të cilët prej vitesh janë nën presion të vazhdueshëm nga qeveria serbe dhe strukturat pro-qeveritare. Istinomer është anëtar i certifikuar i Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN) dhe Rrjetit Evropian të Standardeve për Verifikimin e Fakteve (EFCSN), duke ndjekur standardet më të larta profesionale dhe etike të gazetarisë.

Sulmi ndaj gazetares së Istinomer ngjalli reagime nga shoqatat e gazetarëve në Serbi, përfshirë Shoqatën e Pavarur të Gazetarëve të Serbisë – NUNS dhe Shoqatën e Gazetarëve të Serbisë – UNS.

Ky rast pasqyron realitetin e përditshëm të organizatave të pavarura dhe profesionale të gazetarisë në rajonin e Ballkanit, të cilat janë objekt i sulmeve fizike dhe verbale, sulmeve kibernetike, fushatave denigruese dhe frikësuese për shkak të punës së tyre – veçanërisht ato që merren me verifikimin e dezinformatave dhe nxisin debat publik mbi burimet dhe kanalet e përhapjes së tyre.

ADN-Balkans (antidisinfo.net) është një rrjet i përbërë nga 18 organizata kryesore mediatike dhe institute studimore nga Shqipëria, Bullgaria, Qiproja, Greqia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia, që synon të promovojë bashkëpunimin ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, mediave, institucioneve arsimore dhe aktorëve të tjerë relevantë, me qëllim ndërtimin e një fronti të gjerë kundër dezinformimit përmes afirmimit të standardeve më të larta të verifikimit të fakteve dhe parimeve etike të gazetarisë profesionale, si dhe promovimit të edukimit mediatik dhe mendimit kritik.