Autorë: Kejsi Hasi, Eva Hasi, gjimnazi “Gjergj Kastrioti”

Në ditët e sotme, rrjetet sociale kanë një ndikim të madh në jetën tonë të përditshme, veçanërisht tek të rinjtë. Platforma si TikTok, Snapchat, Instagram dhe Facebook janë bërë pjesë e pandashme e tyre. Shumë prej adoleshentëve kalojnë orë të tëra duke shfletuar përmbajtje të ndryshme, duke komunikuar me miq ose duke ndjekur trendet e fundit.

Rrjetet sociale zënë një pjesë të rëndësishme të kohës te të rinjtë dhe po ndikojnë gjithnjë e më shumë në jetën e tyre. Ata thonë se në shumicën e rasteve, rrjetet sociale përdoren për të parë video argëtuese, meme dhe për të kontaktuar me miqtë.

Unë përdor më shumë TikTok, Snapchat, Instagram si dhe Facebook. Varet, ka raste që rri 3 orë, por në fundjavë rri edhe më shumë. I përdor rrjetet sociale për të parë video, meme, të flas me shoqërinë”, thotë Ami, gjimnaziste në Dibër.

Për nxënës të tjerë, rrjetet sociale janë edhe një burim për t’u informuar, ku TikTok mbetet rrjeti kryesor.

“Shoh shumë informacione në TikTok për të marrë lajme dhe informacione të ndryshme, flas me shokë, shoh video të ndryshme. Kaloj 3-4 orë, varet nga ditët dhe angazhimet që kam”, tregon Era, një tjetër gjimnaziste.

“TikTok dhe Instagram, rrjetet sociale ku dominojnë incidentet online”

Në shkurt të vitit 2024, Platforma Kombëtare për Sigurinë në Internet iSigurt.al bëri publike gjetjet nga raporti i përvitshëm i incidenteve të fëmijëve në Internet. Sipas të dhënave, dy platformat ku janë raportuar më shumë incidente janë TikTok dhe Instagram.

“TikTok dhe Instagram janë dy platformat, të cilat fëmijët i kanë raportuar më shpesh për incidente online, me 47 dhe 27 përqind të rasteve, krahasuar me platformat e tjera”, thuhet në raport.

Më tej, në këtë raport theksohet se bullizmi online është incidenti më i raportuar nga fëmijët dhe adoleshentët, në rreth 35 përqind të rasteve, të ndjekur në 21 përqind të rasteve nga gjuha e urrejtjes dhe 15 përqind shantazhe dhe kërcënime online. 

“Dhuna, ngacmimet dhe shfrytëzimi seksual online ka kaluar në vend të katërt të incidenteve të raportuara, ndërkohë që deri në vitin e kaluar përbënte incidentin kryesor të raportuar nga fëmijët dhe adoleshentët”, theksohet më tej në këtë raport.

Ekspertët apelojnë që të kufizohet koha e qëndrimit të të rinjve në rrjetet sociale, pasi në shumë raste ato nxisin gjuhën e urrejtjes dhe bullizmin.

*Artikulli është realizuar nga nxënës të gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri. 

Mentore: Ilda Hoxha