Rrëzohet nisma e opozitës, Peleshi mbetet kryeparlamentar

50

Nga Sebi Alla

Në seancën e sotme, me 79 vota kundër të PS-së, u rrëzua kërkesa e opozitës për shkarkimin e kreut të kuvendit, Niko Peleshi.

Parlamenti votoi me 79 kundër nismës së Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Parlamentin Niko Peleshi.  Vetëm një muaj pas zgjedhjes në krye të Parlamentit, Peleshi u përball me kërkesën e opozitës për shkarkimin e tij, ku u mblodhën 36 firma. Fillimisht ishte komisioni i këshillit dhe mendateve me shumicë socialiste që doli me raport kundër shkarkimit të Peleshit dhe më pas zgjithçka u zyrtarizua në Parlamnt ditën e sotme ku të 79 deputetët e mazhorancës votuan në bllok kundër. Vetëm 10 vota ishin kundër pasi një pjesë e deputetëve të opzitës shmangën votimin dhe nisën replikat në distancë duke kërkuar që në kuvend të votoheshin dy raportet, ai i PD-së që kërkonte shkarkimin dhe ai i PS-së që rrëzonte këto pretendime.

Reagimi

Kreu i Parlamentit Niko Peleshi para se të niste procesi i votimit për shkarkimin ose jo të tij mbajti fjalim, ku tha se i është përmbajtur rregullores dhe kushtetutës. “Shkaku që na sjell në këtë procedurë është sjellja antagoniste, jo shkelja e Rregullores apo Kushtetutës. Kushtetuta po përdoret si gurë mbi kokën e kundërshtarit. Problemi nuk jam unë. Por mungesa e vullnetit për t’u angazhuar në një sjellje politike”-tha ai. Në kundërpërgjigje, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi. “U zgjodh me 85 vota e u mbajtë në detyrë me 79 vota një muaj më vonë. Këtë arritje historike në vetëm 1 muaj mund ta ketë vetëm një funksionar kushtetues i paaftë dhe i padenjë për një detyrë të lartë shtetërore”, tha Bardhi.

Nisma

Që në seancat e para Partia Demokratike akuzoi Peleshin për abuzim me detyrën, pasi sipas saj kishte shkelur rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën. Në dokumentin e depozituar në Kuvend, nënshkruar nga 36 deputetë të opozitës, thuhet se Kryetari i Kuvendit ka vepruar në kundërshtim me nenin 75 të Kushtetutës dhe nenin 114 të Rregullores së Kuvendit, duke mos respektuar procedurat ligjore gjatë thirrjes dhe zhvillimit të seancave parlamentare. Debatet nisën që në seancën e parë ku si rend dite ishte prezantimi i programit qeveritar dhe votimi i kabinetit të qeverisë. Kjo seancë zgjati vetëm 20 minuta pas përplasjeve mes palëve. Më tej çdo seancë ka qenë mjaft e tensionuar dhe opozita akuzoi kreun e Parlamentit për njëanshmëri dhe shkelje të rregullores.