Autore: Erda Kaba, Rajana Shehi, Rejana Selmani
Në ditët e sotme, interneti është bërë pjesë e pandashme e jetës së fëmijëve, duke ofruar një botë të pafund mundësish për argëtim dhe edukim. Megjithatë, me rritjen e përdorimit të teknologjisë, prindërit po shprehin shqetësime serioze për sigurinë e fëmijëve të tyre online.
Alesia është 7 vjeçe e gjysmë dhe kalon së paku 2 orë çdo ditë në rrjetet sociale. Në një pyetësor të zhvilluar online nga një grup nxënësish të gjimnazit profesional “Nazmi Rushiti”, e mitura shkruan se kalon kohë duke parë TikTok apo edhe Snapchat.
“Telefonin e përdor për Instagram, për Snapchat, për foto. Telefonin e përdor 2 orë. Telefonin e marr pasi kam mbaruar detyrat e shkollës, pastaj rri në celular”, tregon Alesia.
Por, Alesia nuk është e vetmja që shpenzon 2 orë në rrjetet sociale. Në pyetësorin online, ku u përgjigjën prindër dhe nxënës, 24% e tyre raportuan se shpenzojnë mbi 2 orë në telefon gjatë ditës. Madje, një pjesë e të rinjve shpenzojnë edhe deri në 6 orë në rrjetet sociale.
Një tjetër shqetësim i ngritur në pyetësorin online ishte se 17.6% e të rinjve janë kërcënuar në rrjetet sociale.

Ndërsa, 41,2% e atyre që plotësuan këtë pyetësor raportuan se kanë rënë pre e provokimeve online, një shifër shqetësuese kjo për të rinjtë.

Prindërit shprehen të shqetësuar se kjo situatë nuk do të përmirësohet, pasi fëmijët që në moshë të vogël, duke nisur që 5 vjeç zotërojnë një telefon. Në këtë mënyrë është e pashmangshme që ata të mos përdorin edhe rrjetet sociale. Një tjetër shqetësim për prindërit janë edhe sherret dhe zënkat online apo rreziqet e tjera që vijnë nga interneti.
Në bazë të rezultateve që u morën nga pyetësori online, prindërit dhe të rinj bien dakord që duhet shmangur qëndrimi me orë të zgjatura në rrjetet sociale.
*Artikulli është realizuar nga nxënës të shkollës së mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri.
Mentore: Ilda Hoxha