SHEFKIJE ALASANI
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, edhe pse kandidate për t‘u bërë pjesë e familjes evropiane, lënë shumë për të dëshiruar kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes. Sipas metodologjisë së re të zgjerimit të BE-së, kapitulli për lirinë e shprehjes dhe mediat bën pjesë në grupin e parë, atë të të drejtave themelore. Liria e shprehjes dhe punonjësit mediatikë në RMV përballen edhe me një sërë problemesh, përfshirë këtu hendeqet në Ligjin për media, presione, sulme e kërcënime, mosrespektimi i punëtorit nga punëdhënësi dhe rrogat e ulëta. Situatë e ngjashme mbizotëron edhe në Shqipërinë fqinje, shkruan Portalb.mk.
Situata në Maqedoni
Në vitin 2019 Kuvendi i RMV-së votoi për reforma në media, kusht ky i kërkuar nga BE-ja, e megjithatë deri më sot nuk janë bërë hapa konkrete në zbatimin e tyre. Kriteri për reformimin e trupave rregullatorë të mediave në vend, si zgjedhja e anëtarëve të rinj të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale dhe anëtarëve të rinj të shërbimit publik, nuk u përmbush asnjëherë në praktikë. Procedura e filluar ka ngecur si pasojë e përplasjeve politike.
Por, në Maqedoninë e Veriut, përveç hendeqeve në Ligjin për media, liria e shprehjes dhe punonjësit mediatik cënohen edhe me një sërë problemesh të tjera. Sulmet dhe kërcënimet vazhdojnë të jenë sfidat më të mëdha me të cilat përballen punonjësit mediatikë, e në veçanti femrat. Që nga fillimi i këtij viti SHGM ka regjistruar 14 sulme dhe kërcënime të ashpra ndaj gazetarëve. Në raportin e vitit 2019 nga SHGM theksohet se liria e shprehjes në vendin tonë është cenuar publikisht edhe nga politikanë, në pushtet e opozitë.
“Sipas statistikave të SHGM, që nga fillimi i këtij viti, ka pasur gjithsej 14 sulme dhe kërcënime të ashpra kundër gazetarëve, nga të cilat më shumë se gjysma janë ndaj grave gazetare. Në krahasim, vitin e kaluar kishte katër incidente të tilla, që do të thotë se këtë vit sulmet dhe kërcënimet janë tre herë më shumë. Në periudhën nga 2017 deri në 2019, SHGM regjistroi gjithsej 27 sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, në 2017 gjithsej 20, në vitin 2018 u regjistruan 3 raste dhe në vitin 2019 gjithsej 4 sulme. Përveç katër sulmeve më serioze ndaj gazetarëve të regjistruar në vitin 2019, kemi vërejtur 24 kërcënime dhe incidente të tjera. Fatkeqësisht, kjo tendencë u përkeqësua në mënyrë dramatike në vitin 2020”, deklarojnë nga SHGM.
Aneta Dodevska, kryeredaktore e TV 24, gazetare me shumë vite përvojë pune, është një nga gazetaret femra e cila është përballur me kërcënime të drejtpërdrejta për sigurinë dhe jetën. Rastin konkret Aneta e ka paraqitur në MPB e megjithatë edhe pas shumë kohësh nuk ka asnjë epilog.
“Unë jam një nga gazetarët që përmenden në statistikat e SHGM. Por fatkeqësisht, kanë kaluar shumë muaj që kur e kam raportuar rastin në Ministrinë e Brendshme dhe deri më tani nuk kam asnjë informacion nëse prokuroria e ka shqyrtuar çështjen. Ndërkohë, “ai person” vazhdon të më dërgojë mesazhe. Por, në këto 25 vjet përvojë pune nuk është hera e parë që përballem me situata të tilla. Kam shkuar nëpër gjyqe – e paditur nga shteti dhe biznesmenë. Presionet, kërcënimet dhe shantazhet kanë qenë dhe do të jenë – por e rëndësishme është nëse shteti dëshiron ta mbështesë logjistikën e këtij profesioni, jo për të “përfituar” prej tij por për të krijuar kushte në të cilat gazetarët do të krijojnë opinion publik të shëndetshëm, për të kërkuar defektet e sistemit dhe të vërtetën”, deklaroi Aneta Dodevska.
Ajo vlerëson se viteve të fundit profesioni i gazetarit ka filluar të humbasë vlerën për shkak të disa faktorëve.
“Së pari, qasja joserioze ndaj këtij profesioni ka bërë që gazetaria të jetë thjeshtë një “hobi” për disa individë, standardi i ulët ose puna relativisht e paguar pak ka bërë që gazetarët të “nënshtrohen” ndaj presionit dhe “varësisë” nga disa qendra të caktuara të biznesit dhe politikës e pushtetit, dhe si përfundim gazetarët janë bërë “kategori e pambrojtur” punonjësish edhe pse ata janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj paragjykimeve publike, kritikave, presioneve, kërcënimeve. Në “tregun e punës” është gjithnjë edhe më e vështirë të gjesh gazetar cilësor të cilët e duan dhe e njohin profesionin e tyre. Shumë nga kolegët që i njoh janë larguar nga ky profesion pikërisht për shkak të faktorëve që i përmenda”, shton Dodevska.
Situata në Shqipëri
Kur është në fjalë liria e shprehjes, situatë e ngjashme vërehet edhe në Shqipërinë fqinje, e cila bashkë me vendin tonë ndjekin rrugën për aderim në familjen e madhe evropiane.
Aleksandra Bogdani, redaktore në BIRN Albania, vlerëson se në Shqipëri sfidat kryesore të medias “lidhen me mungesën e transparencës dhe vështirësitë në qasjen e dokumenteve publike, censurën dhe autocensurën si dhe presionin direkt ose indirekt ndaj atyre pak gazetarëve, që pavarësisht atmosferës mbytëse me lirinë e medias, vazhdojnë ta bëjnë me këmbëngulje punën e tyre në shërbim të interesit publik”. Në Shqipëri, sulmet fizike ndaj gazetarëve mbase nuk janë aq të shpeshta sa në RMV, por presioni që kufizon punën e medias shprehet në forma të ndryshme.
“Në përgjigje të kësaj pyetjeje m’u kujtua një pedagogu im, i cili thotë se “në Shqipëri është vrarë gazetaria, ndaj s’ka nevojë të kërcënohen gazetarët”. Por edhe pse në pamje të parë duket se numri i sulmeve dhe kërcënimeve fizike është i vogël, ka zhvillime shqetësuese sa i përket formave të tjera të intimidimit dhe presionit për t’u mbyllur gojën gazetarëve. Një nga këto forma janë paditë SLAPP, të shumëfishuara gjatë vitit të fundit, ku njerëz të bizneseve me lidhje politike padisin mediat ose gazetarët me qëllim intimidimin dhe censurën. Ne në BIRN po përballemi aktualisht me një padi të tillë pas një investigimi të kryer mbi koncesionet prej qindra-milionë eurosh të dhëna nga qeveria “Rama” për ndërtime inceneratorësh në Shqipëri. Ka gjithashtu një presion të shtuar për gazetarët që mbulojnë çështjet e krimit të organizuar dhe gjyqësorit, ndonjëherë brenda sallave të gjykatave, si dhe sulme verbale nga ana e kryeministrit apo e politikanëve të tjerë të rëndësishëm, veçanërisht ndaj gazetareve femra”, deklaroi për portalb.mk Aleksandra Bogdani, redaktore në BIRN Albania.
Sipas redaktores shqiptare në rrjetin e gazetarisë investigative në Ballkan, fuqizimi i gazetarëve të pavarur është mënyra e vetme që gazetaria cilësore të mos reshtë së ekzistuari.
“Fatkeqësisht, gazetaria cilësore nuk është ‘një ishull’, që të mund të funksionojë e pavarur nga niveli i përgjithshëm i demokracisë së një vendi. Për ta garantuar atë nevojiten institucione transparente dhe llogaridhënëse, institucione të forta mediatike dhe një nivel i kënaqshëm i lirisë së shprehjes –gjë që në Shqipëri mungojnë. Në këto kushte, unë e shoh thelbësore fuqizimin e gazetarëve të pavarur, në mënyrë që gazetaria cilësore të mbijetojë”, thekson mes tjerash Aleksandra Bogdani, redaktore në BIRN Albania.
Çfarë thuhet në raportin e KE-së në fushën e lirisë së shprehjes?
Në raportin e BE-së vitin e kaluar thuhet se RMV është mesatarisht e përgatitur në fushën e lirisë së shprehjes dhe ka bërë progres të kufizuar gjatë periudhës raportuese.
“Përpjekjet vetë-rregulluese duhet të intensifikohen për të siguruar përparimin në standardet profesionale dhe cilësinë e gazetarisë. Është e rëndësishme të sigurohet transparencë më e madhe e reklamimit mediatik nga institucionet shtetërore, partitë politike dhe ndërmarrjet publike. Nevojiten zgjidhje të qëndrueshme për të siguruar pavarësinë e transmetuesit të shërbimit publik, standardet profesionale dhe qëndrueshmërinë financiare. Qëndrueshmëria financiare e mediave të pavarura dhe kushtet e punës së gazetarëve mbeten një sfidë”, thuhet mes tjerash në raport.
Sa i përket Shqipërisë fqinje, kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes theksohet se vendi ka një farë niveli të përgatitjes, pra vlerësohet si vend mesatarisht i përgatitur.
“Në Dhjetor 2019, Parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh në ligjin e medias, që synojnë të rregullojnë mediat online dhe disa aspekte të shpifjes për të cilat, në qershor të vitit 2020, Komisioni i Venecias lëshoi një opinion. Ndryshimet nuk përmbajnë standardet dhe parimet ndërkombëtare të lirisë së medias dhe ngrenë shqetësime në lidhje me rritjen e censurës dhe vetëcensurës, dhe rreth pengesave të mundshme të lirisë së shprehjes në vend”, theksohet në raportin e KE-së për lirinë e shprehjes në Shqipëri.
Liria e shprehjes është një nga kriteret kyçe që një vend aspirues ndaj BE-së duhet të plotësojë. Sipas metodologjisë së re të zgjerimit, kapitulli për lirinë e shprehjes dhe mediat bën pjesë në grupin e parë, atë të të drejtave themelore. Pa shënuar përparimin e nevojshëm në këtë fushë, BE-ja nuk do të lëvizë negociatat në grupet dhe kapitujt e tjerë (kur negociatat të kenë filluar).
Rangimi në nivel global i RMV-së dhe Shqipërisë
“Freedom House” e vlerëson Maqedoninë e Veriut si vend pjesërisht të lirë, ku aktivistët dhe gazetarët përballen me frikë dhe kërcënime.
“Maqedonia vazhdon të luftojë me korrupsionin dhe ndërsa media dhe shoqëria civile marrin pjesë fuqishëm në diskursin publik, gazetarët dhe aktivistët përballen me presion dhe kërcënime”, thuhet në raportimet e Freedom House.
Në Listën e vendeve të lira në botë gjatë vitit 2020 Maqedonia e Veriut radhitet në vendin e 63-të. Peizazhin mediatik të Maqedonisë së Veriut “Freedom House” e vlerëson si “thellësisht të polarizuar përgjatë linjave politike dhe mediat private shpesh janë të lidhura me interesa politikë ose të biznesit që ndikojnë në përmbajtjen e tyre.”
Edhe pse me disa pikë më shumë se Maqedonia e Veriut edhe Shqipëria vlerësohet si vend pjesërisht i lirë. “Freedom House” Shqipërinë e vlerëson me 67 pikë nga 100 të mundshmet. Në raport thuhet se miratimi i dy ligjeve të cilat lejojnë agjensitë qeveritare të dëgjojnë ankesa për individë që pretendojnë shpifje nga stacionet televizive dhe portalet, kufizojnë lirinë e shprehjes.
“Ndërsa kushtetuta garanton lirinë e shprehjes, ndërthurja e interesave të fuqishme të biznesit, politik dhe medias pengon zhvillimin e mediave të pavarura; shumica shihen si të njëanshme ose ndaj PS ose PD. Gazetarët kanë pak siguri në punë dhe mbeten subjekt i proceseve gjyqësore, frikësimeve dhe sulmeve të herëpashershme fizike nga ata që përballen me vëzhgimin e mediave.”, theksohet në raportin e Fredom House.
Në renditjen botërore të vitit 2020, sa i përket Indeksit të shtypit të lirë, vendi jonë listohet në vendin e 92-të. Maqedonia e Veriut ka përparuar me vetëm tre vende nga viti 2019 kur radhitej në vendin e 95-të. Ndërsa Shqipëria fqinje, me 8 pikë më shumë, pozicionohet në vendin e 84. Edhe pse Shqipëria vlerësohet më mirë se Maqedonia e Veriut, vendi ka bërë hapa pas brenda 3 vitesh. Në vitin 2018, Shqipëria, në mesin e 180 shteteve, është pozicionuar në vendin e 75-të, ndërsa në vitin 2019 në vend të 82-të.
Vendet lider të cilat udhëheqin listën sa i përket lirisë së shtypit në nivel botëror janë shtetet skandinave.