Foto nga LSA gjate procesit te rinumerimit te kutive

Rinumërimi i 586 kutive të votimit në qarkun e Fierit, i kërkuar nga dy anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), u fokusua në përplasjen mes dy kandidateve të Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi dhe Maldrita Bardho, të cilave përkohësisht u ndryshoi e ardhmja e tyre në Kuvend për vetëm 10 vota.

Përtej këtij debati të fokusuar në rrjetet sociale dhe në media (disa nxitur nga klikimet, disa të tjerë nga qëllime të pastra politike), rinumërimi nxori në pah një problematikë më të thellë: zhvendosje votash në favor të kandidatëve të caktuar, praktikë kjo që ngre dyshime për shkelje të standardeve zgjedhore

Gjatë rinumërimit për qarkun Fier, u konstatua se zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ceno Klosi, kandidat i PS-së në Fier, kishte përfituar padrejtësisht 831 vota.

Screenshot e rezultatit per kandidatte pas rinumerimit te kutive ne Fier

Në mënyrë të ngjashme, kandidati tjetër, Klevis Jahaj, drejtor i Ujësjellësit (në varësi të së njëjtës ministri) rezultoi se i ishin hequr 497 vota nga numërimi i parë. Një kandidateje të PD-së, Silva Hasajt, i ishin shtuar në mënyrë fiktive 671 vota gjate numërimit të parë.

screenshot e rezultatit per kandidatet e PD pas rinumerimit te kutive ne Fier

Çfarë ka ndodhur?

Në disa kuti votimi, rezulati i rinumërimit sjell diskutim nëse kemi të bëjmë thjesht për gabime njerëzore apo zhvendosje votash në mënyrë të qëllimshme.

Psh, vetëm në katër kuti të rinumëruara, kandidatit të PS-së, Ceno Klosit i rezultojnë 85, 32, 29 dhe 22 vota të tepërta për secilën prej tyre. Ndryshe nga Tirana, ku anëtarë të KAS-it justifikuan lëvizjet e votave si pasojë e gabimeve njerëzore, në Fier situata paraqitet ndryshe.

KAS

Anëtari i KAS-it, Ledion Braho, një nga dy iniciatorët e kërkesës për rinumërim në Fier, deklaroi publikisht se pavarësisht vendimit që do të marrë KAS, ai do t’i përcjellë personalisht Prokurorisë së Fierit të gjithë tabelat dhe procesverbalet me rezultatet e ndryshuara. “Besoj se kjo është indicie e mjaftueshme që Prokuroria të nisë hetimin për trafikimin e votave”, theksoi ai.

Faktoje.al ndërkohë është në pritje të një kërkese për informacion drejtuar SPAK rreth pyetjes se, a është bërë ndonjë denoncim për qarkun Fier dhe nëse jo, a ka nisur ky institucion hetime kryesisht?

Ekspertët

Drejtori i ISP, Afrim Krasniqi, tha në një koment të shkurtër për Faktoje se qarku Fier konfirmoi paralajmërimin e hartës së riskut elektoral (përgatitur nga ISP) lidhur me shqetësimin për parregullsi dhe cenim të standardeve zgjedhore.

“Lëvizjet e mëdha të votave, shumëfish më të larta edhe sesa qarku Tiranë, duke favorizuar kandidatë me pozita të larta ekzekutive dhe lidhje të forta informale, janë tregues të cenimit të votës dhe bazë e mjaftueshme për hetime administrative nga KQZ dhe hetime penale nga organet ligjzbatuese”Afrim Krasniqi

“Lëvizjet e mëdha të votave, shumëfish më të larta edhe sesa qarku Tiranë, duke favorizuar kandidatë me pozita të larta ekzekutive dhe lidhje të forta informale, janë tregues të cenimit të votës dhe bazë e mjaftueshme për hetime administrative nga KQZ dhe hetime penale nga organet ligjzbatuese. Gjithashtu paralelisht do të duhej që vetë subjektet politike përgjegjëse të kryenin hetime dhe të deklaronin qëndrimin e tyre, pasi këto akte janë të kundërshtim edhe me betimin dhe deklaratën solemne të depozituar në KQZ nga kryetarët e partive politike respektive dhe me retorikën mbi integritetin e votës të përdorur nga liderit politikë në fushatë”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, “tendenca për të justifikuar numëruesit dhe për të kthyer në normë trafikimin e votës gjatë numërimit është zhvillim shqetësues, praktikë e ndaluar shprehimisht nga legjislacioni zgjedhor, si dhe një akt minues për konceptin e zgjedhjeve, të demokracisë dhe legjitimitetit në përfaqësim”

Artikulli paraprakAsnjë bazë për operacionin e lirimit të 2100 fëmijëve në ShBA
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.