.

.

BallinaPremtimeRikonstruksioni i dy shkollave të mesme në Elbasan nuk ka nisur edhe pse ka 2 vite që është premtuar

Rikonstruksioni i dy shkollave të mesme në Elbasan nuk ka nisur edhe pse ka 2 vite që është premtuar

BARDHA NERGJONI

Dy shkolla të mesme në Elbasan, njëra prej të cilave shërben si lice, nuk po rikonstruktohen, edhe pse janë planifikuar në buxhet. Shkollat “Onufri” dhe sidmos “Kostandin Kristoforidhi” vahdojnë procesin mësimor në prani të lagëshitrës në klasa, mungesës së ngrohjes dhe masave bazë higjienike në tualete. ZVA la pa përgjigje kërkesën për informacion se kur do të nisë rikonstruksioni i shkollave, për të cilat është premtuar ndërhyrje që para dy vitesh.

Dy prej shkollave më të mëdha në Bashkinë Elbasan, nuk po rikonstruktohen edhe pse prej 2 vitesh premtohet nisja e këtij procesi. Gjatë një inspektimi të kryer në investimin e rrugës pranë Shkollës Onufri në shtator 2020 kryetari i bashkisë Gledian Llatja së bashku me deputetin Taulant Balla, deklaroi se shkolla kishte nevojë për rikonstruksion, duke kërkuar mbështetjen e qeverisë.

Postimi në faqen online të Shkollës Kostandin Kristoforidhi, 9 dhjetor 2021

Dy vjet pas këtij premtimi, ne vendosëm të bëjmë një verifikim në terren. Fillimisht shkuam në shkollën Onufri, ku konstatuam se deri në atë moment nuk kishte nisur puna për rikonstruksionin.

 

Shkolla “Onufri”, dhjetor 2021

 

Shkolla “Onufri” për vetë specifikat e saj, pasi shërben si lice, është futur në listën e shkollave për investim të bashkisë Elbasan.

Mësohet se kjo shkollë kërkon përshtatje të ambjenteve dhe ndërhyrje në pjesën e funksionit të instrumenteve si dhe sisteme mbrojtëse. Ajo ka gjithashtu një infrastrukturë të dëmtuar. Siç tregojnë mësues dhe nxënës, muret e katit të parë janë me lagështirë dhe në tualete nuk ka pasur riparime prej vitesh.

Sipas një prej mësuesve të kësaj shkolle, që preferon të mos identifikohet, ndërhyrja e fundit që është bërë në objekt, i përket viteve 2000.

“Vërtet është një shkollë shumë e mirëmbajtur dhe i gjithë stafi e nxënësit janë kujdesur që të duket gjithmonë e rregullt, por sërish në kushtet ku punojmë e mësojmë, kanë nevojë të përmirësohet. Shkolla “Onufri” e Elbasanit ka vlerën e një liceu artistik dhe si e tillë duhet të trajtohet duke bërë ndërhyrjet e nevojshme që të përshtatet me kohën dhe të ofrohen kushtet e nevojshme për zhvillimin e artit.”-thotë mësuesi për Faktoje.

 

Nga verifikimi në terren rezulton se edhe në gjimnazin “Konstandin Kristoforidhi”, nuk kanë nisur punimet për rikonstruksionin, edhe pse objekti përfshihet në listën e investimeve të parashikuara për vitin 2021, nga bashkia.

Foto e shkollës “Kostandin Kristoforidhi

 

Ndryshe nga shkolla artistike, kushtet në këtë objekt janë më problematike.

*Tualetet e shkollës

 

Ne kërkuam te hynim në mjediset brenda shkollës, por nuk na u lejua, me argumentin se duhet të kërkonim leje pranë ZVA.

Kërkesës për të fotografuar në brendësi të ambjenteve të shkollës, ZVA Elbasan iu përgjigj se për shkak të masave antikovid nuk lejohet prania e personave të tjerë në shkollë.

Sipas dëshmive të mësuesve dhe nxënësve të shkollës Kostandin Kristoforidhi, në katin e tretë ka lagështirë, dritaret janë vjetëruar, tualetet janë jashtë kushteve higjienike, pasi mungon uji i rrjedhshëm.

Një mësuese e kësaj shkolle thotë për Faktoje:

“Kemi vite që e kërkojmë dhe na është thënë se do ndërhyhet, por vitet kalojnë dhe shkolla mbetet e njëjtë. Është një shkolle me mbi 600 nxënës. Ambientet janë të pamjaftueshme dhe klasat janë shumë të vogla për numrin e nxënësve që mbajnë.”

“Klasat janë të ftohta dhe tualetet janë në gjendje të mjerueshme. Tualetet janë të pista dhe ujin e mbajnë në bidona, kova dhe fuçi. Aty mungojnë sapunët për të larë duart. Klasat nuk kanë ngrohëse dhe dritaret janë të vjetra.”

ZVA Elbasan, ka lënë pa përgjigje kërkesën zyrtare në emër të Faktojes mbi kushtet në të dyja shkollat që morëm në verifikim. Kërkesa ndaj ZVA ishte mbi gjendjen e shkollave, dhe se kur planifikohet të nisin investimet.

 

*Një ditë pas publikimit të lajmit mbi mungesën e rikonstruksionit të premtuar për dy shkollat e mesme, “Onufri” dhe “Kostandin Kristoforidhi”, bashkia Elbasan, për të cilën kishim dërguar ankimim te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, ktheu këtë përgjigje:

 

Në përgjigje të kërkesës së ardhurdhur pranë institucionit Bashkia Elbasan me Nr.2027/1  datë 14.12.2021 ku ju kërkoni informacion për ecurinë për projektet rikonstriksion i plotë dhe shtesë ambientesh për shkollën 9-vjeçare dhe të mesme artistike “ONUFRI” si dhe shkollën mesme “Kostandin Kristoforidhi”, ju informojmë se projektet për këto objekte kanë kohë që kanë përfunduar dhe ne si institucion jemi në pritje për fitimin e finanicimit në aplikimet  në grande të Ministrisë Arsimit dhe Sportit.

Përmes këtij njoftimi, konfirmohet se ende nuk ka një afat kur do të nisin punimet, sa kohë nuk janë gjetur fondet për zbatimin e projekteve.

 

*Përgjigjja e mbërritur nga bashkia Elbasan

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img