.

.

BallinaPertejPublikimeRegjisorët e rinj përballë buxhetit të varfër

Regjisorët e rinj përballë buxhetit të varfër

Nga Anila Balla

Ky shkrim synon të pasqyrojë ecurinë e Fondit Teatror për të rinj, një program që ka tre vite që funksionon.

“Fondi i Teatrit për të Rinj” u krijua me qëllim nxitjen dhe aktivizimin e krijuesve dhe interpretuesve të rinj, duke risjellë në një formë të re traditën e festivalit të të rinjve. Ky fond ka si synim gjallërimin dhe fuqizimin e mobilitetit teatrore në rang kombëtar, duke e organizuar dhe strukturuar atë në bazë rajonale, për të krijuar një skenë më të pasur dhe gjithëpërfshirëse teatrale në Shqipëri.

Në dy vitet e para të funksionimit, “Fondi i Teatrit për të Rinj” kishte një total prej 10 milion lekësh, ndërsa për vitin 2024 u rrit lehtë në 12 milion lekë. Në vitin e parë të tij u shpallën fitues 16 projekte, ndërsa për vitin 2023 u mbështetën vetëm 10 projekte dhe për vitin 2024, numri u rrit në 11. Këto shfaqje teatrale janë menduar të shpërndahen në teatro të ndryshme të vendit, për të krijuar një prani më të gjerë, dhe më pas të performohen edhe në Tiranë në kuadër të festivalit. 

Megjithatë, ky fond mbetet i kufizuar në raport me nevojat e regjisorëve të rinj, duke e vështirësuar eksplorimin e plotë të potencialit të tyre artistik. Për të vënë në skenë një vizion autentik dhe dinjitoz, një regjisor i ri ka nevojë për mbështetje të plotë financiare kur të parashikohen të gjithë elementët që e bëjnë vizionin e tij regjisorial të marrë jetë.

Një fond i tillë i kufizuar i shtyn regjisorët e rinj të pranojnë kufizime të konsiderueshme në aspektet e rëndësishme të një produksioni, si cilësia e skenografisë, kostumografisë apo zgjedhja e një trupe të plotë aktorësh. Për më tepër, këto fonde të vogla nuk i japin regjisorëve hapësirën për të eksperimentuar dhe për të matur suksesin e tyre përmes reagimit të publikut. Kështu, të gjitha shfaqjet që dalin nga ky fond kanë një kast deri në tre-katër aktorë. Shumë pak regjisorë kanë mundur të aktivizojnë kompozitorë në projektet e tyre.

Ndarja buxhetore ndër tre vite

Gjatë vitit të parë të zbatimit, buxhetet e shpërndara për projektet fituese ishin modeste, duke reflektuar një qasje fillestare të kujdesshme dhe të kufizuar financiarisht. Vlera minimale prej 430,000 lekësh dhe ajo maksimale prej 795,000 lekësh tregon se këto vlera nuk arrijnë të mbështesin plotësisht nevojat e projekteve artistike. Këto kufizime buxhetore detyrojnë regjisorët të bëjnë kompromis me cilësinë e produksionit, veçanërisht në aspekte si skenografia dhe kostumografia, të mos flasim për efekte speciale.

Në vitin e dytë, reduktimi i numrit të projekteve fituese i hapi rrugë një rritjeje të ndjeshme të fondeve për shfaqje individuale. Me një buxhet maksimal prej 950,000 lekësh dhe një minimal prej 400,000 lekësh, regjisorët patën mundësi të guxonin më shumë me vizionet e tyre regjisoriale. Megjithatë, kjo ka një kosto: duke mbështetur më pak projekte, zvogëlohen mundësitë për regjisorët e rinj që të marrin pjesë dhe për të krijuar një larmi më të madhe shfaqjesh.

Për vitin 2024, edhe pse fondi i përgjithshëm është rritur, mbështetja për regjisorët e rinj mbetet e pandryshuar në shumën prej 10 milionë lekësh. Ndërkohë, shtesa prej 2 milionë lekësh, e alokuar për organizimin e festivalit, ngre pyetje mbi mënyrën e përdorimit të saj, pasi TKEKS nuk ka dhënë detaje mbi shpenzimet e planifikuara për këtë event.

Për projektet fituese, buxheti i miratuar ka pësuar një rritje të vogël, duke variuar nga 700,000 deri në 1,000,000 lekë. Megjithëse rritja e buxhetit për shfaqjet mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së prodhimeve artistike, ajo nuk është mjaftueshëm e lartë për të mbuluar të gjitha kërkesat dhe shpenzimet që kërkon një proces krijues i plotë. Elementë si skenografia, kostumografia, ndriçimi, teknologjia e avancuar, dhe pagesat e stafit kërkojnë një mbështetje financiare më të madhe sesa ajo që ofrohet. Për këtë arsye, edhe pse ka një hap drejt përmirësimit, kufizimet financiare mbeten një pengesë për të realizuar vizionet më të plota dhe ambicioze të artistëve.

Sfidat e regjisorëve të rinj

Buxheti i kufizuar reflektohet në pagesat për regjisorët, të cilat variojnë nga 150,000 deri në 200,000 lekë për një projekt, i cili zgjat gjashtë muaj, ku regjisori i ri firmos një kontratë me TKEKS me këtë afat. Edhe pse paga minimale është rritur në 40,000, shumë familje ende përballen me vështirësi për të mbuluar shpenzimet mujore. Një regjisor i ri me pagesën e siguruar nëpërmjet fondit teatror për të rinj mund të mbulojë dy deri në tre muaj. Kjo pagesë për regjisorin e ri është minimale dhe jo e mjaftueshme për të përballuar shpenzimet e tjera si ushqimi, transporti, energjia, dhe nevojat e përditshme. Për më tepër, krahasuar me pagën minimale prej 40,000 lekësh në Shqipëri, e cila gjithashtu është e pamjaftueshme për të përballuar një nivel bazik jetese, pagesat për regjisorët nuk reflektojnë vlerën e punës së tyre krijuese dhe angazhimit profesional. Kjo situatë krijon presion financiar dhe kufizon aftësinë e artistëve të rinj për t’u fokusuar plotësisht te zhvillimi i projekteve të tyre artistike.

Një regjisore e re teatri, e cila preferon të mbetet anonim, shpreh zhgënjimin që ndjen për fondin teatror duke thënë: Tek fondi i regjisorëve të rinj shtrihen dhe zgjaten shumë duar që nuk janë “të reja”. Regjisorja e re ka aplikuar vetëm një herë në fondin e regjisorëve të rinj dhe nuk ka fituar. Ajo ndiehet e papërfaqësuar jo vetëm nga fondi i të rinjve, por dhe politikat teatrore: Ndihem e përfaqësuar fare! Politikat e heshtura teatrore për momentin janë në funksion të idesë se “si të largojmë sa më shumë publik dhe artistë nga skenat e teatrit. Në Shqipëri, komuniteti artistik është një fjalë në hapësirë, sepse askush nuk mblidhet me të tjerë të diskutojë, analizojë apo ndryshojë situatën aktuale. Të rinjtë kanë vetëm universitetin për të punuar dhe për t’u përfaqësuar. Në momentin që del nga dyert e universitetit, asgjë nuk është më e sigurt për ty.

Dhe vërtetë, pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Arteve, situata e artistëve karakterizohet nga pasiguri profesionale. Fondi i dedikuar regjisorëve të rinj siguron mbështetje deri sa regjisori të arrijë moshën 35 vjeçare, ndërsa më pas, vazhdimësia dhe zhvillimi i tyre mbetet sfidë dhe varet kryesisht nga mundësitë individuale apo rastësore që mund të paraqiten në sektorin artistik.

Buxhetet e pamjaftueshme cungojnë shfaqjen dhe vizionin. Ajo vijon duke thënë se: është për të ardhur keq që regjisorëve të rinj po u injektohen ide se si të ndërtojnë shfaqje për “një teatër të varfër”. Të njëjtë qasje ndien dhe Marsel Rupi, i cili ka vendosur një shfaqje të mbështetur nga ky fond. Ai thotë se me atë fond nuk mund të bëje gjëra të mëdha. Na u tha që shfrytëzoni skenografinë e teatrove që janë në bashkëpunim. Skenografia ka kosto më të mëdha në krahasim me buxhetin që kishim dhe nuk doli vizioni që kisha menduar unë.

Fondi teatror i të rinjve është menduar në bashkëpunim me teatrot e tjera të vendit, si mundësi për të decentralizuar skenën teatrore, por Marseli hasi në një ngërç në këtë lloj bashkëpunimi. Struktura e teatrit nuk ishte bashkëpunuese. Ai shpjegon se na duhej të merrnim në telefon rojen që të hapte derën e teatrit. Rrjedhimisht u ndamë keq.

Sfida të mëdha hasën kur shpallesh fitues në këtë fond. Pagesat e vogla të stafit të çojnë në kompromise të ndryshme. Aktorët, për shkak të këtyre pagesave, marrin shumë punë në ngarkim. Marseli pati një sfidë të tillë dhe përgatitja e shfaqjes së tij zgjati katër-pesë muaj. Nëse fondi do ishte më i madh, atëherë aktorët do pranonin të punonin me dedikim në një shfaqje.

Një tjetër problem, që vjen nga fondi i pakët është marketingu. Shfaqje e të rinjëve nuk po sjellin publik të ri. Sipas Marsel Rupit, regjisorët e rinj janë anonim për tregun. Në shfaqjet e festivalit më shumë shkojmë ne, për të mbështetur njëri-tjetrin, se nuk u bë nami me publik të jashtëm. Promovimi i artistëve të përfshirë në fondin e regjisorëve të rinj nuk e ka arritur qëllimin. Marseli shton se kjo është një formë për të thënë që ne i hedhim sytë nga të rinjtë, si për të larë gojën. Festivali duhet të bëjë bujë në Shqipëri se është i përhapur dhe nëpër rrethe. Po kjo do të thotë që një muaj i dedikohet të rinjve. Por as e mori vesh njëri fare.

Por çfarë ndodh me regjisorin kur i shteron mundësitë për të aplikuar në këtë fond? Marsel Rupi, me shaka shprehet se kthehet në shtëpi, me dosjen në krah. Regjisorët që shpallen fitues u jepet si çmim një vlerë monetare, por nuk pashikohet një angazhim për të ardhmen e tyre. Rupi sugjeron që ata të nënshkruajnë një kontratë me një teatër që të ketë një vazhdimësi karriera e tyre. Ndërkohë, regjisorja e re shprehet se në këto momente është një periudhë kritike të jetës, ku po analizon tregun, për të gjetur një profesion ku të sigurojë jetesën se të bësh teatër është shumë e vështirë.

Gjithashtu, thirrja për aplikim në fondin e të rinjve përmban një limit moshe që shpesh perceptohet si i padrejtë dhe kufizues për shumë artistë të rinj. Sipas Rupit, kriteri i përcaktimit të përfituesve nuk duhet të jetë mosha biologjike, pasi kjo mund të mos përkojë gjithmonë me fazën reale të zhvillimit profesional të një regjisori. Një alternativë më e drejtë mund të ishte vendosja e një limiti profesional, që të bazohej në numrin e shfaqjeve të realizuara apo përvojën konkrete skenike të aplikantëve. Kjo qasje do të ofronte më shumë mundësi për ata që kanë filluar karrierën e tyre në regjisurë me vonesë, duke iu dhënë një shans të barabartë për të marrë mbështetje.

Një tjetër aspekt problematik lidhet me faktin që ky limit moshe nuk merr parasysh realitetin e studentëve që diplomohen më vonë nga Universiteti i Arteve për arsye të ndryshme, si ndryshimi i drejtimit profesional, vështirësitë ekonomike, apo ndërprerjet për shkak të angazhimeve të tjera jetësore. Këta individë, ndonëse të rinj në karrierën e tyre, mbeten jashtë mundësisë për të përfituar nga ky fond vetëm për shkak të moshës së tyre. Kjo kriter që jo vetëm pengon diversitetin e përfituesve, por gjithashtu kufizon potencialin për të mbështetur artistë me prirje dhe vizion unik që mund të pasurojnë artin skenik.

Politikat teatrore për të rinjtë

Pakti për Universitetin erdhi si një nismë qeveritare pas protestave masive studentore të 2018-ës. Këtu më poshtë, synohet analizmi së bashku me strategjinë kombëtare të kulturës si dy dokumente strategjike që ndihmojnë në orientimin dhe mbështetjen e të rinjve drejt ndërtimit të një karriere të sigurt dhe të qëndrueshme në disiplinat kulturore.

Pakti për universitetin u ofrua si një zgjidhje nga qeveria për problematikat e studentëve. Pakti për Universitetin do të duhej të sillte përfitime për studentët në përgjithësi, por edhe për studentët e universitetit të arteve. Ky pakt duhej të ulte tarifat e shkollimit, duke përjashtuar nga pagesa studentët ekselentë dhe ata me të ardhura të ulëta, duhej të përmirësonte infrastrukturën e universiteteve përmes rinovimit të hapësirave mësimore dhe pajisjeve moderne. Gjithashtu, synonte përfshirjen e studentëve në vendim marrje dhe integrimin profesional, pëmes partneriteteve me institucione artistike, konkurseve dhe festivaleve. Gjithashtu, pakti mbështet pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare dhe krijon bursa për talentet e veçanta.

Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, janë ndërmarrë disa hapa që synojnë të mbështesin studentët e arteve, megjithëse rezultatet mbeten të kufizuara. Një arritje ka qenë investimi në infrastrukturë, ku Universiteti i Arteve ka përfituar rinovimin e sallës së madhe, duke ofruar një hapësirë më të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve artistike dhe mësimore. Një tjetër nismë ka qenë mundësia për studentët që të zhvillojnë praktika mësimore pranë institucioneve si Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

Një nga të mirat konkrete që ka ardhur nga ky pakt është bashkëpunimi me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK), e cila ka mbështetur realizimin e diplomave të studentëve që përfundojnë tre-vjeçarin në Universitetin e Arteve. Ky fond ka ndihmuar shumë studentë të materializojnë idetë e tyre në projekte filmike, duke i ofruar një trampolinë drejt karrierës së tyre. Megjithatë, ky bashkëpunim ka ndalur prej afro dy vitesh, duke lënë një boshllëk në mbështetjen që dikur ekzistonte për talentet e reja dhe nuk është dhënë asnjë shpjegim për ndalimin e e këtij fondi.

Nga ana tjetër, për disiplinat e tjera artistike, përfshirë teatrin, nxitja dhe angazhimi i studentëve mbetet minimal. Praktikat mësimore në teatrot e vendit janë inekzistente ose shumë të kufizuara, duke humbur mundësinë për të integruar studentët në botën profesionale dhe për t’i inkurajuar ata të fitojnë përvojë të drejtpërdrejtë skenike. Kjo qasje e fragmentarizuar ndaj mbështetjes së studentëve të arteve, lë jashtë shumë prej tyre pa një rrugë të qartë drejt zhvillimi të karrierës.

Ministria e Kulturës, tani MEKI, ka bërë një Strategji pesë vjeçare Kombëtare për Kulturën 2019-2025. Ky dokument përfaqëson një përpjekje të parë për të hartuar një strategji të mirëfilltë, që synon krijimin e një udhërrëfyesi për zhvillimin e sektorit të kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Aty paraqitet një vizion i  përgjithshëm mbi zhvillimin kulturor të Shqipërisë, duke vënë theksin kryesor te fuqizimi i institucioneve shtetërore të kulturës. Dokumenti përmend prioritetet dhe arritjet e Ministrisë së Kulturës, por nuk përmban një plan të detajuar për mbështetjen e skenës së pavarur kulturore. Në këtë kontekst, artistët e sapodiplomuar, përfshirë regjisorët e rinj, nuk gjejnë udhëzime të qarta për rrugët e mundshme të zhvillimit profesional apo mbështetje specifike për të ndërtuar karrierën e tyre në mënyrë të qëndrueshme.

Kjo strategji  e përmend rëndësinë e të rinjve në zhvillimin kulturor, por fokusi kryesor mbetet mbi përfshirjen e tyre si konsumatorë të kulturës dhe jo si krijues aktivë. Ajo përpiqet të promovojë edukimin përmes artit dhe krijimin e një publiku të ri kulturor, por mungesa e masave konkrete për të nxitur përfshirjen profesionale të të rinjve, sidomos në artet skenike dhe sektorin e pavarur kulturor është e qartë. Pjesëmarrja e të rinjve si aktorë aktivë mbetet ende e kufizuar.

Ç’mund të bëhet?

Fondi i Regjisorëve të Rinj është një nismë e rëndësishme për zhvillimin e karrierave të artistëve të rinj në fushën e arteve skenike, duke ofruar mundësi për të ekspozuar punën e tyre dhe për të kontribuar në pasurimin e skenës kulturore. Ky fond ka një rëndësi të madhe për promovimin e regjisorëve të rinj, por për të arritur më shumë efikasitet dhe përfshirje, ka ende nevojë për përmirësime dhe rritje. Një nga aspektet që mund të përmirësohet është transparenca në procesin e aplikimit dhe përzgjedhjes, për të siguruar që të rinjtë të kenë mundësinë të kontribuojnë dhe të kenë akses të barabartë në mundësitë që ofrohen.

Për të siguruar një rritje të mëtejshme të cilësisë së shfaqjeve dhe për të mbështetur më shumë regjisorë, është e nevojshme të rritet buxheti i këtij fondi. Kjo mund të mundësojë realizimin e projekteve më të mëdha dhe më ambicioze, duke përfshirë më shumë regjisorë dhe duke siguruar një gamë të gjerë shfaqjesh që mund të prezantohen në skenat teatrale. Po ashtu, është e rëndësishme të krijohen mundësi më të mira komunikimi midis teatrove të qyteteve dhe regjisorëve të rinj, në mënyrë që të sigurohet që çdo regjisor të ketë mundësinë të implementojë idetë dhe vizionet e tij falë mbështetjes së këtyre teatrove. Një aspekt tjetër që mund të përmirësohet është marketingu i shfaqjeve dhe i regjisorëve, duke përdorur mundësitë që ofrohen nga bashkëpunimi me studentë të sapodiplomuar nga Fakulteti i Marketing-Turizmit në Universitetin e Tiranës.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm mund të jetë rishikimi i kritereve të moshës për t’u siguruar që regjisorët që ndodhen në fillimet e karrierës, por që mund të jenë më të moshuar, të kenë mundësi të aplikojnë dhe të përfitojnë nga ky fond.

Një mundësi e mirë për të forcuar këtë program do të ishte mbështetja e regjisorëve fitues me kontrata pune pranë teatrove të qyteteve. Ky hapi do të mundësojë që regjisorët të zbatojnë dhe realizojnë vizionet e tyre në teatrot e qyteteve të tjera, duke përhapur artin e tyre dhe duke sjellë një zhvillim më të gjerë të skenës teatrale në Shqipëri. Kjo do të ndikonte në rritjen e mundësive për zhvillimin e karrierave dhe për mbështetje të vazhdueshme për regjisorët e rinj, duke i ofruar mundësi të qëndrueshme dhe profesionale për të kontribuar në zhvillimin e artit në vend.

Ky artikull u mundësua me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img