Reforma Territoriale miratohet me 85 vota, edhe Braçe voton pro

Qeveria siguroi shumicën e cilësuar me mbështetjen e PSD-së për votimin e territoriales, ndërsa Braçe dhe Spiropali votuan pro pavarësisht kritikave të shprehura më herët për draftin.

16

Kuvendi miratoi pas mesnate Reformën Territoriale me 85 vota pro, duke siguruar shumicën e cilësuar të nevojshme për riorganizimin e pushtetit vendor.

Projektligji parashikon reduktimin e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, përmes bashkimit ose riorganizimit të 15 njësive vendore.

Partia Socialiste, e cila disponon 82 mandate, siguroi mbështetjen e tri votave të Partisë Socialdemokrate për të kaluar pragun prej 84 votash.

Në favor të reformës votuan edhe deputetët socialistë Erion Braçe dhe Elisa Spiropali, pavarësisht rezervave që kishin shprehur më herët për draftin.

Pas seancës, Braçe i cili për rreth 20 minuta kishte folur me tone kritike për reformën në kuvend gjatë seancës maratonë, u tha gazetarëve se arsyet e ndryshimit të qëndrimit do t’i shpjegonte gjatë ditës së premte.

“Jam kundër, do e sqaroj nesër”, tha ai teksa po largohej nga Kuvendi.

Pak sekonda para votimit, në sallë u shfaq edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila nxiti më shumë tensionet me opozitën.

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi hodhi ujë në drejtim të saj, ndërsa deputetë të tjerë të opozitës qëlluan me shishe në drejtim të kryeministrit Rama. Nuk munguan as vezët nga deputetët e opozitës të cilët bënë thirrje që Balluku të largohej nga salla.

Ndryshimet territoriale kanë nxitur debate për mënyrën e organizimit të pushtetit vendor, përfaqësimin e komuniteteve dhe ndikimin e bashkimeve në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Zbatimi i reformës dhe efektet e saj në administratat vendore dhe zonat e prekura pritet të mbeten në qendër të diskutimeve.

Rama pas votimit: Nuk duhet të bëjnë “hesape pa hanxhinë” me PS-në

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot më 9 tetor, pas miratimit në parlament të reformës territoriale.

Sipas tij, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese.

Në një postim në rrjetin social X, Rama iu referua debateve të brendshme dhe zhvillimeve të fundit politike, duke i cilësuar ato si pjesë të një kohe të ndërlikuar.

“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese”, shkruan kryeministri.

Në vijim, Rama thekson se rezultati i votimit shërbeu edhe si një mesazh për ata që, sipas tij, kishin nevojë të kuptonin forcën politike të PS-së.

“Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë ‘hesape pa hanxhinë’ me Partinë Socialiste”, përfundon reagimi i kreut të qeverisë.

Bashkitë reduktohen nga 61 në 46

Drafti i Reformës Territoriale parashikon bashkimin ose riorganizimin e 15 bashkive, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 46.

Bashkitë që shkrihen janë: Maliq, Dimal, Cërrik, Divjakë, Përrenjas, Patos, Belsh, Rrogozhinë, Klos, Selenicë, Poliçan, Memaliaj, Fushë-Arrëz, Këlcyrë dhe Libohovë.

Nisma synon riorganizimin e pushtetit vendor, por ka hasur kundërshtime nga banorë të zonave që preken nga ndryshimet, të cilët kanë ngritur shqetësime për përfaqësimin e komuniteteve dhe funksionimin e shërbimeve vendore.

Miratimi i reformës pritet të vijojë të jetë në qendër të debatit politik, veçanërisht për mënyrën se si do të zbatohen bashkimet e propozuara dhe për ndikimin që ato do të kenë te qytetarët dhe administratat vendore.