Një vit pas raportit tronditës që nxori në pah mangësitë në trajtimin e pacientëve me kancer, Kontrolli i Lartë i Shtetit rikthehet me një auditim po aq shqetësues. Shumica e rekomandimeve të dhëna nga KLSH vijojnë të jenë të pazbatuara plotësisht ose të mbetura përgjysmë. Kjo situatë, sipas audituesve shtetërorë, sjell pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e pacientëve me kancer dhe minon besueshmërinë e institucioneve.
Esmeralda Topi
Në Shqipëri, protokollet klinike të kujdesit paliativ për pacientët me kancer janë të vitit 2014. Trajtimi i të prekurve nga tumoret në fazën më të vështirë të sëmundjes është i njëjtë me atë të një dekade më parë. Kohë kur lista e barnave ishte shumë më e kufizuar, kur mjekësia onkologjike nuk kishte hyrë në fazën e imunoterapive dhe trajtimeve të kombinuara.
Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë nuk ka miratuar ende një rregullore bazike, që përcakton kriteret dhe normat shëndetësore për pacientët onkologjikë në burgje.
Këto janë dy nga rekomandimet që Kontrolli i Lartë i Shtetit i kishte adresuar autoriteteve përgjegjëse si masa urgjente për tu zbatuar një vit më parë, por që sot e kësaj dite rezultojnë të pazbatuara.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut nga raporti i ri tronditës që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar mbi situatën e trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale në Shqipëri. Shumica e rekomandimeve të dhëna një vit më parë janë vonuar.
Raporti verën se në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë mungojnë raportet e monitorimit. Drejtoria e Përgjithshme e spitalit nuk ka prodhuar asnjë dokument që të masë cilësinë e shërbimit, asnjë analizë mbi efektivitetin e trajtimit, asnjë tregues që të ndihmojë mjekët dhe pacientët të kuptojnë ku janë dhe ku duhet të shkojnë.
Programi i patronazhit ndërspitalor, i menduar për të përhapur njohuri nga Tirana drejt spitaleve rajonale, nuk ka funksionuar. Raportimi i detyrueshëm dy herë në vit pranë Ministrisë nuk është bërë.
19 poltrona për 80 pacientë në ditë
Referuar raportit, spitali Onkologjik nuk ka rritur buxhetin përballë një fluksi të pandalshëm pacientësh. Shpenzimet kanë mbetur të njëjtat, ndërsa numri i të diagnostikuarve dhe të trajtuarve është rritur. Ka mungesa të stafit me burime njerëzore, për rrjedhojë shtohen ditët e gjata të pritjes për pacientët, duke ulur efektivitetin e shërbimit të trajtimit si dhe duke shtuar kostot financiare të pacientëve dhe familjarëve.

Vetëm 19 poltrona përballë 80 pacientëve që bëjnë kimioterapi në ditë. Një llogari e thjeshtë që tregon ngarkesën e rëndë mbi çdo pacient dhe çdo familje që udhëton nga rrethet për të marrë kimioterapi.
Shumica e pacientëve nuk kanë as mundësinë e shtrimit, sepse spitali nuk i ka shtretërit. KLSH nxjerr në pah se spitali Onkologjik e ka të pamundur të krijojë kushte shtrimi për të gjithë pacientët të cilët kanë nevojë, pasi shërbimi me radioterapi është i centralizuar. Vetëm 9% e të sëmurëve me tumor përfitojnë hospitalizim. 91% të tjerët detyrohen të shkojnë e të vijnë, çdo ditë, me kosto financiare dhe fizike.
Po kështu, pranë Spitalit Onkologjik, mungon njësia palliative një strukturë që duhet të ofronte kujdes të specializuar për pacientët në fazat terminale. Sot, pacientët në fund të jetës vazhdojnë të vuajnë në shtëpitë e tyre, pa mbështetje mjekësore të specializuar dhe pa infrastrukturë që të lehtësojë dhimbjen, duke u lënë ata dhe familjarët e tyre të përballojnë një vuajtje fizike dhe emocionale të paimagjinueshme.
Në pavijone mungon ajri i kondicionuar, lagështira gërryen muret e disa dhomave dhe bodrumi është kthyer në një depo të pistë pajisjesh të amortizuara.

Dezinfektimi e pastrimi i këtyre ambienteve ishte një tjetër rekomandim i “menjëhershëm”, por që rezulton vetëm pjesërisht i zbatuar.
Spitalet rajonale me mungesa
Edhe në spitalet rajonale situata mbetet problematike. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se në Lezhë, njësia e kimioterapisë nuk funksionon fare, ndërsa në Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Berat, njësitë ekzistojnë, por nuk ofrojnë shërbimin e plotë që kërkon një trajtim cilësor. Detyrat funksionale të këtyre njësive nuk pasqyrohen në rregulloret e brendshme të spitaleve, stafi është i pamjaftueshëm, mungojnë mjekët onkologë, pajisjet dhe materialet mjekësore, dhe nuk ka shtretër të dedikuar për të përballuar skemat e trajtimit të kimioterapisë.
Mungojnë sistemet e informatizuara, regjistrat mbahen manualisht dhe nuk rakordohen me të dhënat e Spitalit Onkologjik në Tiranë. Në Shkodër, Elbasan dhe Berat, stafi nuk harton plane kujdesi për pacientët paliativë, ndërsa spitalet nuk mund të planifikojnë numrin e pacientëve të rinj apo skemat e trajtimit të deleguara nga Tirana.
Audituesit e KLSH-së rekomandojnë që spitalet rajonale të pasqyrojnë detyrat funksionale të njësive të kimioterapisë në rregulloret e brendshme dhe të përgatisin plane të kujdesit paliativ për pacientët. Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë duhet të bashkëpunojë me spitalet rajonale për plotësimin e vendeve të punës me mjekë dhe infermierë, shtretërve të dedikuar dhe të krijojë një sistem informatizimi online për të monitoruar në kohë reale ecurinë e pacientëve me sëmundje tumorale.
Përfundim
Nga 12 rekomandime të dhëna një vit më parë, KLSH thotë se janë zbatuar plotësisht vetëm 4. Të tjerat janë të zvarritura ose të lëna pas dore. Disa nuk kanë nisur fare. Kontrolli i lrtë i Shtetit i ka dhënë afat institucioneve deri në fund të këtij viti për t’i përmbushur rekomandimet. Por koha nuk është një luks që e kanë pacientët me tumor, pasi ata jetojnë me diagnozën e një sëmundjeje që përparon çdo ditë.
