Vota e parë e tij, pas kthimit në Shqipëri, ishte për Edi Ramën, si kryebashkiak në vitin 2003.
Ka rrëfyer se e ka takuar rastësisht “si artist” në vitin 2004, një vit pasi kishte themeluar Lëvizjen “Mjaft”.
Asokohe një kundërshtar i ashpër i qeverisë “Nano”, Erion Veliaj, kinse ka kujtuar se atëbotë Rama konsiderohej “oazi i suksesit” për të rinjtë, përfshi atë vetë.
Veliaj ndryshoi shpejt mendim për të majtën kur ajo u drejtua nga Edi Rama. Drejtimin nga ai në PS e ka cilësuar si histori suksesi.
Në fillimet e tij politike, Veliaj hezitoi. Fillimisht, ai krijoi partinë G99 (2008) si parti që dilte nga shoqëria civile. Dështoi në zjedhjet e 2009-ës me partinë, por i besoi Ramës të ardhmen e tij politike.
Dy vite më pas katapultohet në PS si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ai u zgjodh deputet i qarkut Gjirokastër dhe më pas ministër.
Në 2015 Erion Veliaj zgjidhet kryebashkiak i Tiranës
Që nga ajo kohë, Erion Veliaj i dha “Edit”, (kështu e ka quajtur ndër vite Ramën) besnikërinë, lavdat dhe lojalitetin e tij.
Akuzat
Sot në një situatë të përmbysur, jo vetëm politike, i dyshuar nga SPAK me akuzat e korrupsionit, fshehje të të ardhurave, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, në të paktën 13 episode, Erion Veliaj ndodhet në arrest me burg qysh prej 10 shkurtit.
Nga sot edhe i shkarkuar zyrtarisht nga ofiqi i lartë i Tiranës me firmën e mentorit të tij në politikë, Edi Rama, në mbledhjen e parë të qeverisë së riformatuar.

Rama nuk ka folur për raportet e tij me Veliajn. Dhe as nuk e ka lidhur vendimin për shkarkim me pranimin e akuzave penale, që rëndojnë ndaj bashkëpunëtorit të tij të ngushtë ndër vite.
Për Edi Ramëm shkarkimi shihet si detyrim formal politik për të mos e lënë Tiranën “pa kokë”.
Rama nuk ndoqi rrugën e kryebashkiakëve të tjerë të shkarkuar prej tij si Fatos Tushe, Lefter Alla apo Safet Gjici, por u mbështet në një klauzolë tjetër të ligjit për vetëqeverisjen vendore, duke përfshirë në proces Këshillin Bashkiak të Tiranës, një procedurë e cila mbetet e diskutueshme sa i përket legjitimitetit.
Vërejtjet për Tiranën
Vetëm një ditë më parë Rama nisi zyrtarisht fushatën për Tiranën.
Në takimin me kandidaten e PS-së për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, kryeministri Edi Rama tha se zgjedhja e kryetarit të ri ishte domosdoshmëri. Sipas tij, “kryeqyteti i mbetur pa një kryetar të zgjedhur me votë, po përballej me mungesë legjitimiteti dhe rënie të ndjeshme të prokurimeve publike e investimeve”.
Rama theksoi gjithashtu se Tirana po shoqërohej me disa problematika, që kërkonin zgjidhje të shpejtë si uji i pijshëm, menaxhimi i mbetjeve, hapësirat publike, shpesh të zëna, sipas tij, në mënyrë të paligjshme.
Rama foli gjithashtu për “katarsis” institucional në bashki, “në funksion të qytetarëve dhe jo interesave të ngushta”.
Kushtetuesja
Nisur nga “emergjenca” e shprehur për Tiranën, kryeministri Rama mund ta dërgojë menjëherë në Presidencë vakancën e krijuar në Bashkinë e Tiranës, ku Kreu i Shtetit, Bajram Begaj, ka 48 orë kohë për të dekretuar datën e zgjedhjeve.
Brenda afatit 15 ditor, Erion Veliaj ka të drejtë të ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese.
Deri tani, ai ka heshtur.