.

.

Rrenat e Ballkanit VII

1

Në Dhjetor 2024, kryeministri kosovar Albin Kurti u thirr si dëshmitar nga Prokuroria Speciale në Hagë.

Fakt shpjegues: Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, njoftoi se “ka ardhur një ftesë për [kryeministrin Kurti] nga Prokuroria Speciale.” Kontaktuar nga Faktoje, Kryeziu konfirmoi se “fjala është për Prokurorinë Speciale në Kosovë.”

2

Kjo foto tregon Bashar al-Assad në Moskë pasi mori azil nga Rusia në dhjetor 2024

Fakt shpjegues: Foto është shkëputur në fakt nga një video e botuar në Youtube më 10 shkurt 2023, e cila tregon diktatorin sirian së bashku me gruan e tij Asma al-Assad, në Alepo, duke vizituar personat e prekur nga tërmeti i fortë që goditi zonën mes Turqisë jugore dhe Sirisë veriore më 6 shkurt 2023 duke shkaktuar 57 mijë të vdekur.

3

Sulmi kibernetik ndaj Spitalit Rajonal Memorial të Fierit ndodhi pesë ditë pas inaugurimit të Namazgjasë në Tiranë nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan.

Fakt shpjegues: Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan mbërriti të enjten e 10 tetorit në Tiranë për një vizitë zyrtare, pjesë e së cilës ishte edhe inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë, një investim i Turqisë prej 30 milionë eurosh. Të martën e 15 Tetorit (ora 10.00 e paradites), në një tjetër investim prej 70 milion eurosh po nga shteti turk, në Spitalin Rajonal Memorial i Fierit, puna paralizohet.

4

Sipas censit të 2023 në Mal të Zi, popullsia e vetëdeklaruar shqiptare është ulur.

Fakt shpjegues: Krahasuar me regjistrimin e parafundit (2011) rezulton se numri i shqiptarëve nuk ka ndryshuar. Në 2011 ishin 4.91%, apo 30.439 shqiptarë të deklaruar, ndërsa tani janë 30.978 sërish më pak se 5%. Që do të thotë se raporti i të dhënave lidhur me numrin e deklaruar është i qendrueshëm.

5

Presidenti rus Vladimir Putin ka ekspozuar shpërblimin prej 45 miliardë dollarësh nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) për kokën e Donald Trump.

Fakt shpjegues: Më 28 nëntor Putin komentoi zgjedhjet e 2024 në SHBA, duke thënë se nuk mendonte se Trump ishte i sigurt nga atentate të ardhshme, për shkak të atentateve të fundit. Megjithatë, Putin asnjëherë nuk pretendoi apo aludoi se WEF do të ishte përgjegjëse për atentatet e ardhshme ndaj Trump, ose se do të jepte një shpërblim për kokën e tij.

6

Një në 50 shqiptarë në Britaninë e Madhe ndodhet në burg

Fakt shpjegues: Me datë 4 tetor, britanikja The Telegraph publikoi një artikull ku pretendon se 1 në 50 shqiptarë (pra 2% e popullsisë shqiptare) që ndodhen në Britaninë e Madhe është në burg. Problemi i metodologjisë qëndron tek numri i popullsisë shqiptare në Britani. Në fakt, numri total i shqiptarëve në Britani sipas censusit është diku tek 67,957 por vetëm rreth 53,000 kanë nënshtetësinë britanike dhe ky i fundit është numri që kanë përdorur zyra e Telegraph për të bërë llogarinë e saj. Për më tepër, censusi flet vetëm për shqiptarët që kanë lindur në Shqipëri, por nuk merr parasysh gjeneratat e dyta (si fëmijët që kanë lindur në Britani të Madhe).

7

Policia rrethoi ambasadën serbe në Tiranë pas alarmit për bombë më 14 tetor

Fakt shpjegues: Autoritetet policore konfirmuan se alarmi ishte drejtuar ndaj ambasadës ukrainase, e cila ndodhet në të njëjtën rrugë me atë serbe.

8

Burgu i Hapur “Ali Demi” po ndërtohet për 200 të burgosur të rrezikshëm shqiptarë që do të trasferohen nga Britania e Madhe

Fakt shpjegues: Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Burgu i Hapur “Ali Demi” e ka kapacitetin për 70 të burgosur dhe është i dedikuar për ata të dënuar që kanë më pak se 6 muaj dënim të mbetur dhe kanë treguar përparim në programet e rehabilitimit dhe riintegrimit.