.

.

BallinaPertejQeveria ‘prek’ Fondin Rezervë për blerjen e vaksinës kundër Covid-19

Qeveria ‘prek’ Fondin Rezervë për blerjen e vaksinës kundër Covid-19

ELISA GJERANI

Qeveria shqiptare ka vendosur të përdorë fondin rezervë për blerjen e vaksinës kundër Covid-19, ndërkohë që vlera e kontratës ende mbahet sekret. Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit për vitin 2021 ishte 4 miliardë lekë në total. Por vetëm 35 ditë nga hyrja në fuqi e buxhetit të miratuar për vitin 2021, qeveria vendosi ndryshimin e tij me Aktin Normativ të datës 5.02.2021. Pas kësaj ndërhyrjeje ‘blitz’, Fondi Rezervë u shtua me 1 miliardë lekë.


Përballja me pandeminë Covid-19 ishte një sfidë nga pikëpamja financiare për qeverinë. Sipas të dhënave zyrtare të zbardhura në relacionin e buxhetit të vitit 2021,

në Buxhetin e Shtetit janë parashikuar rreth 6 miliardë lekë për përballimin e situatës. Kjo shumë do të shpërndahet në disa zëra, përjashto blerjen e vaksinës dhe rritjen e pagave të personelit shëndetësor.

Por në një deklaratë zyrtare të ministres Anila Denaj, më 5 nëntor 2020, ku shpjegon buxhetin e vitit 2021, thuhet:

“Përballimi i situatës së shkaktuar nga COVID-19, për vitin 2021, kostoja totale e prioriteteve për përballimin e pandemisë COVID-19 që do të financohet nga buxheti është rreth 6 miliardë lekë, ku përfshihet dhe kosto e parashikuar për vaksinën anti-COVID (COVAX)”.

Ajo që vihet re është fakti se deri tani, paratë e përdorura për të blerë vaksinën janë marrë nga fondi rezervë.

Sipas të dhënave, Aleanca Globale për Sigurimin e Vaksinës Anti-Covid ka marrë parapagesë 3.9 milionë dollarë (siç është raportuar më herët nga Faktoje). Qeveria shqiptare priste që prej COVAX të siguronte vaksina për të paktën 20% të popullsisë dhe grupet e rrezikuara. Ndaj vetëm pak javë më parë, qeveria shqiptare miratoi një kontratë sekrete me kompaninë Pfizer, për të siguruar 500 mijë doza vaksinash.

Për këtë kontratë qeveria shqiptare ka zgjedhur të shpenzojë nga fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit, duke anashkaluar fondin prej 6 miliardë lekësh në dispozicion të përballimit të situatës nga Covid.

Efektet financiare që rrjedhin nga marrëveshja bashkëlidhur këtij akti normativ, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2021”- thuhet në aktin normativ që mban datën 10 janar të këtij viti, i botuar në Fletoren Zyrtare.

Vihet re se që në fillim të vitit buxhetor, qeveria ka harxhuar Fondin Rezervë për blerjen e vaksinës, duke mos përdorur fondet e planifikuara që në muajin nëntor.

Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit për vitin 2021 ishte 4 miliardë lekë në total. Vetëm 10 ditë nga hyrja në fuqi e buxhetit, qeveria vendosi të prekw këtë Fond Rezervë, për shpenzime për vaksinën që normalisht duhet të ishte e parashikuar.

Vlerat në mld. lekë Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Problemi në parashikimin e shpenzimeve për vaksinën dhe përdorimi që në muajin e parë të vitit të Fondit Rezervë, solli rishikimin e Buxhetit 2021 nga qeveria, në vetëm 35 ditë nga hyrja e tij në fuqi. Buxheti i vitit 2021 u ndryshua me Aktin Normativ të datës 5.02.2021, ku Fondi Rezervë u shtua me 1 miliardë lekë.

Edhe pse qeveria refuzoi të tregojë koston e kontratës me Pfizer me argumentin e sekretit tregtar, ndjekja e ecurisë dhe përdorimit të fondit rezervë mund të hedhë pak dritë në lidhje me të.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img