.

.

BallinaFaktometerQendra e Monitorimit të Trafikut – 3 vjet dhe 4.5 mln euro më vonë, projekti nuk është dorëzuar ende

Qendra e Monitorimit të Trafikut – 3 vjet dhe 4.5 mln euro më vonë, projekti nuk është dorëzuar ende

Sezoni veror ka nisur dhe bashkë me të edhe trafiku në akset kryesore rrugore në vend. Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama premtuan gjatë fushatës zgjedhore parlamentare të 11 majit se brenda vitit do të vihet në funksion Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut që pritet të rrisë sigurinë në rrugë. Faktoje gjeti se ky është një premtim që zvarritet prej disa vitesh dhe se sistemi i QKMT-së ende nuk është marrë në dorëzim.

nga Jona Plumbi

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2025, kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste premtuan se do të vihet në funksion Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut deri në vitin 2025, “për një lëvizshmëri më të sigurt e më efikase”.

premtimi_per_nisjen_e_punes_per_qendren_kombetare_te_monitorimit_te_trafikut_faktoje
*marrë nga programi elektoral i Partisë Sociaiste për zgjedhjet parlamentare të 11 majot 2025

Në 5 maj 2025, ARRSH njoftoi se Qendra për Kontrollin e Trafikut do të garantojë monitorimin e të gjitha rrugëve 4 orë në 7 ditë të javës duke koordinuar Policinë Rrugore, Urgjencën Kombëtare Mjekësore dhe Emergjencat Civile.

Sipas njoftimit, kjo qendër do të funksionojë me 122 operatorë dhe në fazën e parë janë lidhur me kamera 200 km e para që mbulojnë autostradat kryesore Tiranë – Durrës, Durrës – Rrogozhinë, Rrogozhinë – Fier dhe Fier – Vlorë.

Premtim i ricikluar dhe shkelje afatesh

Ky është një premtim i ricikluar.

Qendra e Monitorimit të Trafikut Rrugor është premtuar fillimisht nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjise, Belinda Balluku në shtator të vitit 2023.

Gjatë një inspektimi në terren, drejtori i ARRSH-së së asaj kohe, Evis Berberi, njoftoi se godina e Qendrës për Monitorimin e Trafikut pritej të dorëzohej në janar 2024.

Jemi në 26% të punës. Ne kemi për ta dorëzuar brenda 238 ditëve nga nënshkrimi i kontratës dhe themi se do e dorëzojmë në janar të 2024-ës ose pak më shpejt”, tha Berberi.

Në fakt dorëzimi i godinës nuk u bë për tre muaj në janar 2024, por një vit më pas. Belinda Balluku u shfaq përsëri në godinën e Qendrës së Monitorimit të Trafikut në shtator 2024 nga ku njoftoi se po hidheshin hapat e fundit të dorëzimit të ndërtesës, 8 muaj pas parashikimit fillestar.

Me në krah drejtorin e ARRSH-së, këtë herë Gentian Gjyli, Balluku dha një tjetër parashikim. Monitorimi i 200 km rrugë do të niste në fillim të vitit 2025.

E kemi nisur me 200 km e parë dhe bëhet fjalë për akset më të rëndësishme, pra Tiranë – Durrës, Tiranë – Elbasan, Durrës – Rrogozhinë, Rrogozhinë – Fier, Bypass-i i Fierit dhe Levan – Vlorë. Të gjitha këto do të jenë gati në fillim të vitit tjetër”,  tha Belinda Balluku në shtator 2024.

Por duket se edhe kjo fazë e parë ka zgjatur përtej afatit të parashikuar. Në Prill 2025 Balluku njoftoi se “po niste dita e parë e testimit në terren të Qendrës për Monitorimin e Trafikut”.

Çfarë thotë ARRSH

Për të kuptuar nëse kjo qendër e ka nisur punën dhe ka filluar të monitorojë akset e parashikuara për në fazën e parë, Faktoje iu drejtua Autoritetit Rrugor Shqiptar me një kërkesë për informacion.

ARRSH tha për Faktoje se sistemi i monitorimit tashmë mund të evidentojë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por për marrjen e masave administrative ndaj shkelësve duhet të pritet finalizimi i procedurave pasi projekti është ende në proces testimi dhe dorëzimi.

Kostoja e deritanishme për ndërtimin e godinës së QKMT-së dhe zbatimin e fazës së parë dhe të dytë, është 4.2 miliardë lekë, njofton ARRSH-ja.

Faza e parë e monitorimit të 200 kilometrave rrugë u tenderua nga ARRSH në qershor 2023 me afat kohëzgjatje 2 vjet. Fitues i kontratës publike me vlerë 2.6 miliardë lekë (me TVSH) ishte bashkimi i operatorëve “MC NETËORKING” & “INTETRA ELEKTONIK SANAYI VE TICARET ANONIM SIRK.” & “GJOKA KONSTRUKSION”.

Nisur nga afati i kontratës kjo fazë e parë ka përfunduar, por përgjigjja e ARRSH vërteton se testimi dhe dorëzimi nuk ka përfunduar ende.

Faza e dytë, e tenderuar në gusht 2024 është fituar nga i njëjti grup kompanish me vlerë 1.5 miliardë lekësh dhe kohëzgjatje 2 vjeçare dhe parashikon 214 km të tjera rrugë për monitorim.

termat-e-references-per-fazen-e-dyte-te-monitorimit-te-rrugeve-nga-qkmt-faktoje
*marrë nga termat e referencës për tenderin e fazës së dytë

Përfundim

ARRSH i tha Faktojes se mbulimi i plotë i rrjetit rrugor kombëtar prej 3650 km parashikohet të përfundojë deri në vitin 2029.

Nisur nga të dhënat e deritanishme, premtimin për nisjen e punës së Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut do e konsiderojmë pjesërisht të pambajtur.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img