Nga Sebi Alla Në një letër tavolinë njëpërdorimshme, të pikuar nga yndyra dhe rakia, kryeministri Edi Rama “nënshkroi” për të dytën herë “Memorandumin e Kuçit”, ku parashikoi se në zgjedhjet e 11 majit PS minimalisht kapte 78 mandate dhe maksimalisht 88 mandate. Kapi një të mesme të artë dhe tashmë që janë numëruar më shumë se 53 për qind e votimit, PS varion nga 83-84 mandate, duke synuar edhe “shumicën e cilësuar” në Parlament.
Pas PS-së ndjek PD dhe koalicioni “Shqipëria Madhështore” e tkurrur në shifrat 49-50 mandate. Forcë e tretë që vështirë të dilte në çdo sondazh parazgjedhor u shfaq PSD e Tom Doshit me 3 mandate, (dy në Shkodër dhe një në Tiranë).
Partitë e reja, “Shqipëria Bëhet” dhe “Mundësia” luhaten në shifra të ngjashme, por në Qarkun Tiranë, “Mundësia” po shkon më pranë mandatit të dytë, ndërsa “Shqipëria Bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë” kanë nga 1 mandat pasi janë numëruar mbi gjysma e kutive të votimit. Gati në kufijtë e së pamundurës është “Koalicioni Euro Atlantik” i drejtuar “de facto” nga Lulzim Basha, ish kryetar i PD-së.
Kryesimi i PS
Nga 12 qarqet e vendit PS kryeson në dhjetë prej tyre. Bindshëm e cila i është përkthyer ndjeshëm në mandate në favor të saj janë qarqet Fier, Vlorë, Elbasan, Berat dhe Dibër. Pikërisht këto qarqe, veçanërisht Fieri i kanë dhënë PS-së një epërsi të ndjeshme në raport me kundërshtarin politik.
Zhgënjen PD
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka zhgënjyer, teksa mban vetëm dy qarqe në favorin e saj, Shkodër dhe Kukës. Rezultat më i ngushtë, por me PS-në më përpara është në qarkun Lezhë ku pritet garë e fortë deri në fund të numërimit. Në garën e Tiranës, PD deri më tani ka të siguruar 12 mandatet e “listës së mbyllur”, por nuk jep shumë shpresë për mandatin e 13 dhe 14. Dy kandidatët e listës së hapur të opozitës, Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku janë në rivalitet të theksuar mes tyre si ndër më të preferuarit e zgjedhësve të opozitës.
Meta mbetet jashtë
Në 75 qendrat e votimit në Tiranë ajo që bie në sy është numri i vogël i votave të marra nga Ilir Metaj, kreu i Partisë së Lirisë, i cili ndodhet në burg që nga tetori i vitit të kaluar.
Partitë e reja, shpresë tek Tirana
Pavarësisht pretendimeve për disa mandate në Parlament, partitë e reja veçanërisht “Nisma Shqipëria Bëhet”, “Partia Mundësia” dhe “Lëvizja Bashkë”, tashmë janë përqendruar në kryeqytet, ku shpresojnë të sigurojnë më shumë se një mandat. Teksa janë numëruar mbi 28 për qind e kutive të votimit në Tiranë, PS ka gati të sigurt 19 mandate, PD 13, Mundësia 2 dhe nga 1 PSD, “Lëvizja Bashkë” dhe “Shqipëria Bëhet”. Në të gjithë qarqet e tjera edhe pse partitë e reja kanë një numër të konsiderueshëm votash e kanë gati të pamundur që të sigurojnë një mandat, kjo edhe për shkak të formulës dhe Kodit Zgjedhor që favorizon partitë e mëdha.