ELSA DAUTAJ
Projekti me vlerë 15 milionë euro për transformimin e fushës “kancerogjene” të mbetjeve në Porto Romano në një park ekologjik për qytetin e Durrësit mbulohet nga dyshimet për favorizime dhe korrupsion – ndërsa situata e krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit u shfrytëzua për zgjedhjen e fituesve pa garë të hapur.
Në fushën e hedhjes së mbeturinave në Porto Romano, rreth 6 kilometra në veri të qytetit të Durrësit, kamionët e bashkisë mbërrijnë njëri pas tjetrit mes një reje të dendur pluhuri në një mëngjes me diell, më 1 maj, ndërsa shkarkojnë aty inerte dhe mbetje të përziera urbane.
Disa metra më tutje, dy ekskavatorë gërmojnë në pirgun e dekompozuar të mbeturinave dhe me ndihmën e makinerive të rënda i zhvendosin ato nga njëra anë e fushës në tjetrën.
Të rrethuara nga pluhuri dhe era e rëndë, dy gra të shoqëruara nga fëmijë të vegjël kapërcejnë me lehtësi hyrjen e vendgrumbullimit të mbetjeve, në kërkim plastikës, kartonëve dhe skrapit.
Por hyrja jonë pengohet fillimisht nga një roje dhe më pas nga një përgjegjës punimesh që na prezantohet me emrin Albion.
“S’ka më landfill këtu, do bëjmë park lulesh, – thotë përgjegjësi. – Ma kanë pre shkurt; mos jep asnjë informacion për momentin, thjesht leje një moment të dytë”, – shtoi ai, duke refuzuar kërkesën për informacion.
Prania e ekskavatorëve dhe zhvendosja e mbeturinave lidhet me premtimin e qeverisë shqiptare për ta transformuar burimin më të madh të ndotjes në Porto Romano në një park ekologjik në favor të qytetit të Durrësit.
Por projekti me vlerë 1.9 miliardë lekë (15 milionë euro), u mbulua nga dyshimet për favorizime dhe korrupsion, ndërsa Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka çelur një hetim mbi mënyrën e përzgjedhjes së një konsorciumi kompanish për realizimin e punimeve.
Të dhënat e siguruara nga një hulumtim i përbashkët i Faktoje dhe Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore tregojnë se emergjenca e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit u përdor për të justifikuar shmangien e garës së hapur dhe dhënien me negocim të drejtpërdrejtë të kontratës për mbylljen e vend-depozitimit të mbetjeve në Porto Romano në favor të kompanive Victoria Invest International dhe De Mare S.r.l.
Ndjekja e procedurës së përshpejtuar në kushtet e emergjencës së tërmetit u urdhërua nga kryeministri, Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.
Tenderimi i punëve publike përmes procedurës “me negocim, pa shpallje” lejohet vetëm në rrethana të veçanta, pasi mund të sjellë shmangie të konkurrencës dhe diskriminimin e kandidatëve në garë.
I pyetur për ecurinë e hetimit, drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, tha se është regjistruar një procedim penal për veprat e “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tender” dhe “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
“Objekt hetimi është procedura e ndjekur për përzgjedhjen e fituesit. Deri tani nuk ka ndonjë person të akuzuar”, – tha Kraja përmes një përgjigjeje me shkrim.
Në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, AKUM, tha se projekti i Porto Romanos kishte nisur me procedurë të hapur, por tenderi ishte anuluar pas tërmetit të 26 nëntorit me urdhër të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
AKUM ia atribuon përzgjedhjen e kompanive me negocim vendimit të 16 dhjetorit 2019, të firmosur nga kryeministri Rama, përmes së cilit urdhërohet ndjekja e procedurës së përshpejtuar për projektin e inkapsulimit të zonës së Porto Romanos dhe rijetësimit të zonës, e motivuar me “kushtet e emergjencës së krijuar”.
“Këtu është katastrofë”
Bashkia e Durrësit – e dyta më e madhe në Shqipëri – i depoziton mbetjet e veta urbane prej fillimit të viteve ‘90 në një fushë të rrafshët midis Porto Romanos dhe sektorit Rinia në Katundin e Ri, në parcela me sipërfaqe 14.4 hektarë tokë.
Bashkia llogaritet se derdh çdo vit rreth 80-90 mijë tonë mbetje në Porto Romano, ndërsa sasia e akumuluar në 3 dekada vlerësohet të jetë rreth 900 mijë tonë.
Përveç vend-depozitimit të mbetjeve urbane, zona trashëgon ndotje të lartë mjedisore edhe nga periudha e regjimit komunist. Funksionimi i uzinës kimike të prodhimit të pesticideve e ka kontaminuar zonën e Porto-Romanos, edhe për shkak të depozitimit të mëparshëm të mbetjeve teknologjike.
E planifikuar për t’u mbyllur prej vitit 2015, premtimet e Bashkisë së Durrësit mbetën në letër.
I pazbatuar mbeti edhe një plan lokal i menaxhimit të mbetjeve për vitet 2010-2025, i hartuar me ndihmën e Korporatës Ndërkombëtare të Investimeve, IFC.
Në korrik 2018, Këshilli Bashkiak i Durrësit shpalli emergjencën mjedisore për vend-depozitimin e mbetjeve në Porto Romano dhe ia transferoi qeverisë zgjidhjen e problemit, por edhe premtimet e qeverisë për ndërtimin e shpejtë të një parku ekologjik u zvarritën në kohë.
Në qershor 2018, kryeministri, Edi Rama, deklaroi se “zona kancerogjene e fushës së mbetjeve do të mbyllej deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm”. Afati i ri i premtuar për ndërtimin e Eco-Parkut është shtyrë për në maj 2021.
Zvarritja e një zgjidhjeje rëndoi mbi banorët e Porto Romanos, të cilët ankohen se ndotja vazhdon të jetë shumë e lartë dhe kërcënon çdo ditë shëndetin e tyre.
“Këtu është katastrofë, siç ka qenë, nuk jetohet. Kamionët që vijnë dhe shkarkojnë këtu nuk kanë ndaluar asnjë sekondë. Asnjë masë nuk ka”, – thotë i irrituar Nezir Peshkëpia, 81 vjeç dhe banor pranë fushës së mbetjeve.
Një grua rreth të 60-ave, fqinje me Peshkëpinë, kujton se zona ka qenë shumë e mirë, përpara se të kthehej në një kosh gjigant mbeturinash – e ku “ajri të myt”.
“Bari ka qenë deri në gju, tokat e mira, të paprishura, mirëpo me ardhjen e mbeturinave u prishën, edhe blegtoria, edhe bujqësia”, – thotë ajo.
Dorina Ndreka, avokate pranë Klinikës së Ligjit në Durrës, që mbron prej vitesh interesat e banorëve të zonës, thotë se vendgrumbullimi ka ekzistuar prej vitesh pa leje mjedisore dhe në kundërshtim me standardet e menaxhimit të mbetjeve. Kjo situatë, sipas saj, ka cenuar të drejtën kushtetuese të banorëve për mjedis të pastër, si dhe ka dëmtuar shëndetin e tyre.
“Në këtë zonë ka një përqindje të lartë të sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes, por edhe të kategorive të tjera të sëmundjeve të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me ndotjen e mjedisit. Shqetësimet e banorëve nuk janë marrë asnjëherë në konsideratë, megjithëse ata e kanë ndjekur vazhdimisht këtë çështje pranë institucioneve vendore dhe qendrore, si dhe nëpërmjet mediave lokale dhe kombëtare”, – tha Ndreka, duke përmendur edhe një padi të dorëzuar në gjykatë.
Pikëpyetjet për fituesit
Projekti i ndërtimit të Eco Parkut mbi fushën aktuale të mbetjeve në Porto Romano u prezantua për herë të parë në faqen e Facebook-ut të kryeministrit, Edi Rama, në maj 2019.
Ai parashikon ndërtimin e një parkingu makinash, terrene sportive, park lodrash për fëmijë dhe fusha të gjelbra për të moshuarit.
Më 16 tetor 2019, AKUM shpalli në Agjencinë e Prokurimit Publik tenderin me fond limit 1.6 miliardë lekë pa TVSH, por e anuloi atë tri ditë përpara hapjes së parashikuar të ofertave, më 6 dhjetor 2019, për shkak të tërmetit. Por, vetëm 10 ditë pas anulimit të tenderit të parë, tërmeti u bë sërish shkak për rihapjen e thirrjes me procedurë të përshpejtuar. Në një vendim të 16 dhjetorit 2019, kryeministri, Edi Rama, autorizon Porto Romanon si vend-depozitim për mbetjet inerte, të shkaktuara nga tërmeti. Në të njëjtin vendim ai urdhëron nisjen me procedurë të përshpejtuar të projektit për inkapsulimin e zonës së Porto Romanos “në kushtet e emergjencës së krijuar”.
Në harkun kohor të 10 ditëve, AKUM deklaron se ftoi 4 kompani në negociata, vlerësoi kapacitetet e tyre, negocioi për kushtet ekonomike dhe doli me një kontratë të firmosur më 27 dhjetor 2019, në favor të konsorciumit të kompanive Victoria Invest International dhe De Mare S.r.l.
Victoria Invest International është një kompani e themeluar në Kosovë nga biznesmeni Fatmir Kuçi, ndërsa kompania italiane, De Mare S.r.l, numëron si eksperiencë në Shqipëri punimet e kryera në inceneratorin e Sharrës për llogari të kompanisë koncesionare Integrated Energy B.V.
Në negociatë u ftuan edhe kompanitë Integrated Technology Services me pronar Klodian Zoton, i lidhur gjithashtu me inceneratorët, si dhe kompania Trema Engineering 2.
Sipas AKUM, dy kompanitë fituese u ftuan si subjekte më vete dhe në procesin e ofertimit vendosën që të bashkoheshin në një konsorcium për realizimin e projektit me vlerë 15 milionë euro.
“Konsorciumi i Victoria Invest International dhe De Mare S.r.l, Italy u zgjodh si oferta më e ulët ekonomike e paraqitur dhe si bashkim operatorësh që garantonte realizimin e këtij projekti me sukses…”, – tha AKUM përmes një zëdhënëseje.
Hetimi i nisur nga SPAK nuk e ka penguar zbatimin e projektit. AKUM tha se punimet në vend-depozitimin e Porto Romanos kanë nisur me ritme të larta dhe se “kontraktori ka marrë angazhimin ta përfundojë veprën brenda majit 2021 (para afatit kontraktual)”.
Më 13 janar 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e ndërtimit për projektin “Mbyllja e vend-depozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta, Eco-Park Durrës” dhe më 3 shkurt 2020, AKUM siguroi në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit autorizimin për nisjen e punimeve.
Sipas vendimit për VNM paraprake, Agjencia Kombëtare e Mjedisit argumenton se projekti në fjalë nuk duhet t’i nënshtrohet procedurës për VNM të thelluar.
Mbetjet e Durrësit, drejt inceneratorit
Pas tri dekadash paligjshmërie dhe problemesh në vend-depozitimin e Porto Romanos, menaxhimi i mbetjeve urbane për Bashkinë e Durrësit mbetet ende pa një zgjidhje përfundimtare.
Në të njëjtën situatë janë edhe bashkitë e Kavajës dhe Shijakut, të cilat prej një viti i depozitojnë mbetjet e tyre në Porto Romano.
Në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi, Bashkia e Durrësit tha se mbetjet e ngurta po depozitohen ende në Porto Romano deri në një zgjidhje përfundimtare të situatës.
“Aktualisht mbetjet depozitohen në vend-depozitimin e mbetjeve në Porto Romano, pasi ka një marrëveshje me ministrinë përgjegjëse, sipas së cilës Bashkia e Durrësit do të vazhdojë t`i depozitojë mbetjet në këtë vend-depozitim deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës”, – tha bashkia përmes një zëdhënëseje.
Zgjidhjen e çështjes së mbetjeve Bashkia e Durrësit e projekton te Plani Kombëtar Sektorial për menaxhimin e mbetjeve të ngurta, i miratuar më 13 janar 2020 nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ky plan projekton krijimin e një zone të përbashkët Tiranë-Durrës të menaxhimit të mbetjeve urbane, duke pasur inceneratorin e Sharrës si impiant rajonal.
Ndërtimi i inceneratorit të Tiranës i është dhënë me koncesion për 30 vjet kompanisë së regjistruar në Holandë dhe me pronarë të panjohur, Integrated Energy B.V. Kompania ka përfituar deri më tani pagesa prej 2.4 miliardë lekësh nga Bashkia e Tiranës, e cila faturohet me 29 euro për çdo ton mbetje të depozituar në Sharrë.
Depozitimin e mbetjeve nga Durrësi në Sharrë e pati paralajmëruar edhe ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në vitin 2018.
“Të gjitha mbetjet do të dërgohen në vendgrumbullimin e ri në Sharrë, në Tiranë dhe qeveria do të mbulojë kostot e transportit”, – tha Dako.
Ndërsa mbetjet urbane të Durrësit vazhdojnë të depozitohen në Porto Romano, me gjasë deri në fund të vitit, bashkia e këtij qyteti deklaroi se kishte ngritur një grup pune për zgjidhjen përfundimtare të situatës.
“Në përmbushje të detyrimeve ligjore dhe funksioneve të saj institucioni i Bashkisë së Durrësit ka ngritur grupin e punës, i cili po punon në respektim të këtyre planeve dhe legjislacionit në fuqi deri në një konkluzion final për trajtimin e mbetjeve në Durrës”, – përfundoi bashkia.
Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Faktet dhe Mjedisi” zbatuar nga Organizata “Faktoje” dhe Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, në kuadër të projektit “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” mbështetur nga Bashkimi Europian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ). Përgjegjësia e vetme për përmbajtjen e këtij artikulli është e autorit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Europian.