Kryeministri Edi Rama deklaroi të martën në rubrikën “sy më sy” se nuk parasheh ndryshim të mazhorancës zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Tani që të jemi shumë të qartë; unë nuk parashoh ndryshim të mazhorancës, të shumicës. PS do ta rifitojë shumicën…”, tha Rama.
Mandatet
Faktoje.al në bashkëpunim me ekspertin, Ilir Brasha, sjell një projeksion mbi numrin e mandateve që mund të marrin partitë pjesëmarrëse, edhe pse sistemi aktual zgjedhor në Shqipëri, ashtu siç është i ndërtuar, favorizon në mënyrë të qartë partitë më të mëdha, duke e bërë shumë më të vështirë për partitë e vogla, që të sigurojnë përfaqësim në Kuvend.
Ky fenomen vjen si pasojë e shpërndarjes së mandateve dhe mënyrës se si numërohen votat në nivel qarku.
Në parim, Ilir Brasha shpjegon se partia më e madhe (në këtë rast PS) zakonisht arrin të fitojë një numër më të madh mandatesh për një numër më të vogël votash për mandat, krahasuar me çdo parti tjetër që renditet më poshtë në garë. Që do të thotë se sa më e madhe të jetë partia, aq më efikase bëhet ajo në konvertimin e votave në mandate. E kundërta ndodh me partitë më të vogla, të cilat shpesh e kanë të pamundur të fitojnë një mandat, edhe kur kanë një numër të konsiderueshëm votash në total në shkallë vendi.
Zgjedhjet 2021
Një shembull konkret i këtij fenomeni u pa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Lëvizja Socialiste për Integrim, ndonëse mori rreth 107 mijë vota në rang kombëtar, ajo nuk arriti të sigurojë një përfaqësim proporcional me votat e saj (6.81% ose katër mandate)
Kjo ndodhi sepse votat e LSI-së ishin të shpërndara në të 12 qarqet duke mos arritur të përqendrohen në një mënyrë që t’i siguronin mandate. E kundërta ndodhi me Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit, e cila edhe me një numër më të vogël votash se LSI (35475 ose 2.25%) siguroi tre mandate falë përqendrimit të votuesve në qarqe të veçanta.
Skenari
I njëjti skenar pritet të ndodhë edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Edhe pse këtë herë kemi votën e emigrantëve, dhe një sistem me lista pjesërisht të hapura, parimi i shpërndarjes së mandateve mbetet i njëjtë dhe favorizon sërish partitë që arrijnë të përqendrojnë votën në qarqe të caktuara.
Përllogaritja
Kur mbeten rreth një muaj përpara zgjedhjeve, Ilir Brasha, i është referuar dy elementeve për të sjellë një projeksion të deritashëm mbi mandatet e deputetëve.
Sondazhi i fundit i pavarur që shërben si indicie e mirë për shpërndarjen e votave për partitë në vend është ai Barometrit. Brasha në këtë rast i është referuar rezultatit të Barometrit gjatë muajit Mars, me të dhënat e mbledhura gjatë muajit Shkurt, (tjetri publikohet një javë më pas).
Elementi i dytë janë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Pse jo lokalet e 2023? Sepse ato nuk ofrojnë një pasqyrë të saktë të mbështetjes për partitë në nivel kombëtar, pasi ndikohen ndjeshëm nga faktorë lokalë.
Ndaj dhe, për të krijuar një projeksion më të qëndrueshëm dhe realist për mënyrën se si mund të shpërndahen mandatet në zgjedhjet e ardhshme, eksperti Ilir Brasha ka bërë një përllogaritje bazuar tek rezultatet e sondazhit të Barometrit për muajin Shkurt me votat reale të fituara nga partitë kryesore në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Projeksioni në këtë rast merr parasysh jo vetëm përqindjet e mbështetjes nga sondazhi, por edhe realitetin elektoral shqiptar, ku shpërndarja gjeografike e votës, madhësia e qarqeve dhe sistemi zgjedhor ndikojnë drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve.
Numrat
Sipas kësaj analize të kombinuar, eksperti Brasha përllogarit se (deri më tani) Partia Socialiste del përsëri forca e parë politike në vend, duke siguruar 75 mandate, që i japin asaj sërish shumicën në Kuvend (140 mandate në total).
Partia Demokratike, pavarësisht një rritjeje të lehtë të mbështetjes në sondazhe, (sipas përllogaritjeve të deritashme) arrin të sigurojë 54 mandate.
Megjithëse vota e emigrantëve dhe listat pjesërisht të hapura janë elementë të rinj që mund të kenë ndikim në rezultat, në këtë fazë kohore që jemi, ato nuk e ndryshojnë thelbin e përballjes: një mazhorancë për PS dhe një opozitë ende në kërkim të rritjes së ndikimit elektoral.
Të vegjlit
Pozitive, për ekspertin Ilir Brasha, duken rezultatet e partive të reja të cilat, sipas përllogaritjeve të deritashme që ai ka bërë, bashkërisht sigurojnë 11 mandate, përkatësisht koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet’ arrin të fitojë 8 mandate, Partia “Mundësia” 2 mandate dhe partia Lëvizja “Bashkë” 1 mandat.

Po të shikojmë votat sipas qarqeve, përveç Shkodrës dhe Kukësit që kryesohen nga koalicioni PD-ASHM, të gjitha të tjerat kryesohen nga PS.
Referuar gjithnjë projeksioneve, mandatet në Tiranë ndahen, 18 për PS-në, 13 për PD-ASHN, 3 koalicioni “NISMA-SHB”, 2 “MUNDËSIA” dhe 1 “BASHKË”.
Qarku | PS | PD-ASHM | NISMA-SHB | MUNDËSIA | BASHKË |
Tiranë | 18 | 13 | 3 | 2 | 1 |
Fier | 9 | 6 | 1 | ||
Elbasan | 8 | 5 | 1 | ||
Durrës | 8 | 5 | 1 | ||
Korçë | 6 | 4 | |||
Vlorë | 7 | 4 | 1 | ||
Shkodër | 4 | 6 | 1 | ||
Berat | 5 | 2 | |||
Lezhë | 3 | 4 | |||
Dibër | 3 | 2 | |||
Gjirokastër | 3 | 1 | |||
Kukës | 1 | 2 | |||
Skenari 1 | 75 | 54 | 8 | 2 | 1 |
Skenari 2 | 69 | 55 | 10 | 5 | 1 |
Tabela 1: Projeksion, shpërndarja e mandateve sipas partive dhe qarqeve në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Surprizat
Nga tabela më sipër, vërejmë 2 skenarë që ka nxjerrë eksperti Brasha. Njëri na tregon që Partia Socialiste fiton zgjedhjet me 75 deputetë, pra siguron shumicën e qëndrueshme. Skenari i dytë lidhet me elementin e emigrantëve që votojnë për herë të parë nga jashtë, si dhe numri i të pavendosurve në rritje nëse i referohemi periudhës së mbajtjes së sondazhit të Barometrit.
Duke iu referuar dy elementëve në fjalë, eksperti Brasha thotë se, situata mund të ndryshojë shumë lehtë në disfavor për PS-në. Që do të thotë se, nëse votat e emigrantëve dhe votat e të pavendosurve shkojnë për partitë e tjera dhe jo për PS-në, ato mund të krijojnë diferencën e nevojshme për fitimin e mandatit nga njëra anë të një partie x dhe humbjen lehtë të mandatit nga PS në anën tjetër. Sipas përllogaritjeve të ekspertit Basha, nëse këto dy elementë hyjnë fuqishëm në zgjedhje në favor të partive të tjera, PS mund të shkojë në kuotën e 69 mandateve.
Disfavori
Në një skenar të dytë, sipas ekspertit Brasha, 6 mandate do të ishin në pikëpyetje për Partinë Socialiste. Pse? Sepse herësi i këtyre mandateve është shumë afër herësit të mandateve që mund të fitohen nga partitë e tjera.
Referuar kësaj logjike, sipas Brashës, PS mandat mund ta humbë 1 mandat në Tiranë duke shkuar për koalicionin ‘NISMA-SHB’, një tjetër në Korçë duke shkuar përsëri për NISMA-SHB, si dhe nga një në qarqet e Fierit, Elbasanit dhe Vlorës duke u shtuar si numër mandatesh për Partinë tjetër “Mundësia”. Në rastin e një mandati në Elbasan që mund të fitohet nga Partia “Mundësia” mund të humbet ose nga PS ose nga PD-ASHM, sepse të dy herësat e mandatit të fundit janë përafërsisht të njëjtë. Por po ashtu PD-ASHM mund të fitojë në kurriz të PS-së mandate në Durrës, Dibër dhe Gjirokastër.
Eksperti Brasha vëren se partitë e reja në total mund të arrijnë potencialisht 16 deputetë në parlament, me NISMA-SHB që në një skenar të dytë mund të kryesojnë me 10 mandate, “Mundësia” me 5 mandate dhe “Bashkë” me 1 mandat.
Qarku | Fiton | Humbet |
Tiranë | NISMA-SHB | PS |
Fier | MUNDËSIA | PS |
Elbasan | MUNDËSIA | PS ose PD-ASHM |
Durrës | PD-ASHM | PS |
Korçë | NISMA-SHB | PS |
Vlorë | MUNDËSIA | PS |
Dibër | PD-ASHM | PS |
Gjirokastër | PD-ASHM | PS |
PSD
Nga sondazhi i Barometrit i muajit Shkurt 2025, nuk rezultojnë vota të konsiderueshme për Partinë Socialdemokrate dhe Partinë “Koalicioni Euroatlantik” të cilat bazuar në kalkulime matematikore rezultojnë pa asnjë mandat deri më tani.
Por, duhet sjellë në vëmendje fakti se PSD nuk ka rezultuar e rëndësishme në sondazhe as në zgjedhjet e kaluara parlamentare, por në fund fitoi tre mandate deputeti.
E njëjta situatë, sipas ekspertit Brasha, pritet që të ndodhë edhe këto zgjedhje, ku PSD për shkak të votave të përqendruara mund të fitojë mandate deputeti në qarqet e Shkodrës, Lezhës dhe Tiranës, në kurriz të dy partive kryesore.
Ndërsa për Partinë Koalicioni Euroatlantik që përfaqësohet nga Lulzim Basha duhet të presim rezultatet e sondazheve të mëvonshme për të pasur një ide më të qartë se si do paraqiten dhe çfarë rezultati mund të marrin në zgjedhjet e 11 majit.
Përfundime
Ndërthurja e sondazhit të Barometrit për muajin Shkurt me votat e vitit 2021, tregojnë vetëm një projeksion paraprak, pra fotografi të momentit dhe jo se si do shkojnë saktësisht rezultatet zgjedhore. Sidoqoftë, projeksionet tregojnë se PS-ja, për të ruajtur shumicën e qëndrueshme, ndihet më shumë e kërcënuar nga partitë e reja.
Ndaj dhe, referuar dy skenarëve sa më sipër deklaratën e kryeministrit Edi Rama se parasheh marrjen e shumicës nga PS-ja këto zgjedhje do ta konsiderojmë deri tani si pjesërisht të vërtetë.