Elvis Hila
Në përditësim…
Mesditën e të martës ka përfunduar numërimi i votave në katër Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve të qarkut Lezhë.
Sipas rezultateve përfundimtare, Partia Demokratike ka dalë forcë e parë, duke siguruar 29,484 vota ose 45.13%, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 27,585 vota ose 42.23% me një diferencë prej 1899 votash në favor të opozitës. Në bazë të këtyre rezultateve paraprake, Partia Demokratike arrin të sigurojë 4 mandate deputetësh, ndërsa Partia Socialiste merr 3 mandate në këtë qark. Megjithatë, mbetet ende për t’u përfunduar numërimi i votës së diasporës, e cila mund të ndikojë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve. Deri më tani nga votat e diasporës janë 11835 zarfa prej të cilave janë numëruar 3094 ndërkohë që rezultati mes dy partive të mëdha të numëruara të diasporës është 1482 PS dhe 1135 PD.
Sa i përket partive më të vogla, koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ka marrë 3,614 vota ose 5.53%, ndërsa koalicioni “Euroatlantik” ka marrë 1,594 vota ose 2.44%, por asnjë asnjë prej këtyre subjekteve nuk ka arritur të sigurojë mandate në këtë fazë të numërimit. Ndërkohë pasditen e kësaj të marte, pritet të nisë numërimi i votave preferenciale të kandidatëve në listë të hapur, të cilat do të përcaktojnë 3 deputetët që do të sigurojnë mandatin.
Mbyllja e votimit
Procesi i votimit në Qarkun e Lezhës është mbyllur në orën 19:00, dhe menjëherë pas kësaj ka nisur dorëzimi i kutive të votimit në katër KZAZ-të e qarkut. Ajo që bie në sy është niveli i ulët i pjesëmarrjes, i cili nuk shkoi përtej 40.01%, rreth 4% më pak krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Zona me rënien më të ndjeshme të pjesëmarrjes ishte Kurbini, ku u regjistruan rreth 5% më pak votues krahasuar me katër vite më parë. Megjithatë, përfshirja e votës së diasporës ka rritur ndjeshëm numrin total të votave të hedhura, duke shkuar në 77,500 – një shifër që rezulton të jetë rreth 1,000 më shumë se në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Tashmë mbetet për t’u parë sesi kanë votuar banorët e Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit dhe cilët do të jenë tre kandidatët më të votuar që, së bashku me katër emrat nga lista e mbyllur, do të përfaqësojnë Qarkun e Lezhës me 7 mandate në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Shqipërisë.

Ecuria gjate ditës së zgjedhjeve
Procesi zgjedhor në qarkun e Lezhës u mbajt në 245 qendra votimi, ku u thirrën për të marrë pjesë 164,976 zgjedhës në listat dhe 14,753 nga diaspora, nga ku sipas KQZ, mbërritën rreth 11,403 zarfa.
Në qarkun Lezhë u votua për 7 mandate parlamentare, në 3 bashki: Kurbin, Lezhë dhe Mirditë.
Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2021 i dha opozitës katër nga shtatë mandate, ndërsa socialistët morën 3 mandate e LSI, ndërsa mori 10% të votave mori zero mandate.
Pjesëmarrja sipas KQZ, deri në orën 14:00 për këtë qark ka qënë 30,08%.
Akuzat për krim zgjedhor
Pikërisht në bashkinë e Mirditës është regjistruar edhe arrestimi i bashkëshortit të deputetes se Partisë Demokratike në Mirditë Elda Hoti. Ladi Ndoja 45 vjeç është arrestuar bashkë me një mbështetës demokrat, Amarildo Jushi 25 vjeç, duke bërë vetëgjyqësi. Ata kanë qenë duke udhëtuar me dy automjete, kur kanë ndaluar një mjet me të cilin po lëvizte Drejtori i Arsimit në Mirditë Renuar Kola.
Ngjarja ka ndodhur në orën 20:20 të mbrëmjes së 10 majit në Rrëshen dhe bashkëshorti i kandidates së PD bashkë me mbështetësin e tij, kanë ndaluar mjetin e zyrtar duke pretenduar se po blen vota për Partinë Socialiste.
Policia e Mirditës thotë se ka mbërritur në vendin e ngjarjes pas njoftimit se është bllokuar rruga në lagjen “Donaj” në Rrëshen. Ndaj, bashkëshortit të Hotit rëndojnë akuzat “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Ndërkohë, ndaj Jushit rëndojnë veprat penale “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Sipas policisë, Amarildo Jushi ishte në gjendje të dehur, ndërsa dy drejtuesit e automjeteve të tjera rezultuan se nuk kishin konsumuar alkool.
FUSHATA
Ky qark i vogël në sipërfaqe, por i rëndësishëm për balancat e pushtetit, është kthyer në një arenë politike ku tensioni po konkuron fuqishëm me fjalët e kandidatëve.
Fushata e Partisë Socialiste, që tradicionalisht zgjedh qytetin e Lezhës për nisjen zyrtare të saj, këtë herë nuk nisi me brohorima dhe flamuj, por me protestë dhe kaos. Gjatë mitingut hapës, një grup qytetarësh – që më vonë u identifikuan si aktivistë mjedisorë dhe banorë të zonave përreth – protestuan përpara skenës kundër ndotjes së rëndë që, sipas tyre, shkakton një fabrikë për përpunimin e mbetjeve shtazore, e ndodhur në periferi të qytetit. Protesta shpejt kaloi në përplasje fizike me policinë bashkiake, dhe një numër dy përsona përfunduan në komisariat.
Pas incidentit, fushata vijoi në një klimë të qetë në dukje. Kandidatët zhvilluan takime derë më derë, forcat politike u përqendruan në fshatra dhe lagje periferike, ku betejat elektorale janë më personale dhe më të prekshme. Kjo periudhë qetësie, megjithatë, nuk zgjati shumë.
Në javën e fundit të fushatës, tensioni shpërtheu sërish, këtë herë në një tjetër front – atë të akuzave publike dhe përplasjeve mes paleve.
Gjin Gjoni, kandidat për deputet nga Partia Demokratike, publikoi në rrjetin social Facebook një deklaratë të drejtpërdrejtë, ku akuzonte me emër dhe mbiemër eksponentë të njohur të pushtetit lokal dhe të Partisë Socialiste për përfshirje në blerjen e votave. Postimi, që u përhap me shpejtësi, ndezi debat në opinionin publik dhe media dhe menjëherë pas këtij denoncimi, Partia Socialiste reagoi me një kallëzim penal për shpifje ndaj Gjonit, duke e akuzuar se po përpiqet të ndikojë në klimën elektorale përmes gënjeshtrave dhe manipulimit të opinionit publik. Por tensioni nuk mbeti vetëm në rrjetet sociale. Në të njëjtën ditë, në fshatin Dajç, simpatizantë të Partisë Demokratike u përplasën fizikisht me familjarë të kandidates për deputete nga radhët e PS, Klotilda Ndreca. Sipas burimeve policore, përplasja nisi pas një debati verbal për fushatën dhe përfundoi me përfshirjen e disa personave që më pas janë shpallur në kërkim.
Ngjarja u referua menjëherë në polici, ndërsa fushatat e të dyja palëve reaguan në mënyrë të kundërt – PS foli për provokim të qëllimshëm, ndërsa PD për intimidim nga njerëz të PS.