.

.

BallinaPertejZgjedhjetProcesi i numërimit, parashikimi për ‘lodhjen’ e komisionerëve dhe surpriza e Tom Doshit

Procesi i numërimit, parashikimi për ‘lodhjen’ e komisionerëve dhe surpriza e Tom Doshit

Numërimi i votave pas mbylljes së procesit të votimit të 25 prillit, nisi afër mesnatës pas një trajnimi të shkurtër që iu është bërë numëruesve dhe vëzhguesve. Kur kishin kaluar më shumë se 12 orë nga numërimi, ende nuk kishte përfunduar gjysma e 5199 qendrave të votimit në të gjithë vendin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nxjerrë rezultatet paraprake në rang vendi, ku deri në orën 16:00 ishin numëruar 2699 nga 5199 kuti në total. Bazuar në të dhënat e KQZ, deri në atë moment, Partia Socialiste kryesonte garën elektorale me 379.867 vota të mbledhura, ose 48.82%,  Partia Demokratike e ndiqte rivalen e saj politike, me 305.578 vota, ose 39.27% ndërsa e treta në renditje ishte Lëvizja Socialiste për Integrim me 54.685 vota, ose 7.03%. Në  vend të katërt renditej Partia Social Demokrate e Tom Doshit me 16.575 vota ose 2.13%.

Pjesëmarrja në votime, e përllogaritur, paraprakisht nga KQZ në është 48.2% e zgjedhësve me të drejtë vote. Ajo që tërheq vëmendjen është numri i lartë i votave të pavlefshme që e kalon shifrën 30,000 deri në orën 16:00 të së martës.

Bashkia e parë që përfundoi procesin e numërimit ishte Pusteci, në qarkun Korçë, ku rezultati doli para mesnate për 7 qendrat e votimit. Në këtë bashki Partia Socialiste u pozicionua forcë e parë me 868 vota, e ndjekur nga Partia Demokratike me 473, ndërsa e treta u rendit Lëvizja Socialiste për Integrim me 168 vota. Edhe Partia Social Demokrate ka arritur të mbledhë vota në këtë bashki, edhe pse një numër simbolik, me vetëm 13 vota.

Që në orët e mengjesit të 26 prillit, numërimi u ndërpre në disa KZAZ, në rang vendi për shkak të lodhjes së komisionerëve. Në Shijak, Roskovec, Delvinë, Kamëz dhe Gjirokastër numërimi ka ndalur gjatë paradites. Kjo ndërprerje shkaktoi reagimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zotit Ilirjan Celibashi, i cili iu bëri thirrje partive politike që t’i zëvendësojnë komisionerët në mënyrë të menjëhershme.

Nga ana tjetër, numërimi për njësinë nr. 10 në Tiranë, e vetmja ku u zbatua votimi elektronin, e përfundoi numërimin në pak orë. Rezultatet që u bënë publike në praninë e kamerave të televizioneve paraditen e kësaj të marte, nxorrën Partinë Socialiste si parti të parë në këtë njësi administrative. PS arriti të grumbullonte 6007 vota, Partia Demokratike u rendit e dyta me 4550 vota, ndërsa LSI e treta me 628 vota. Rreth 120 vota rezultuan të pavlefshme në këtë njësi. Kandidati më i votuar për Partinë Socialiste ishte Fatmir Xhafaj me 2795 vota, i cili është i renditur në vendin e 23-të në listën e PS në Tiranë.

Surprizë rezervoi edhe lista e Partisë Demokratike në këtë njësi, ku i pari është renditur Agron Shehaj me 525 vota, duke lënë në vend të dytë kryedemokratin Lulzim Basha me 492 vota. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka marrë 81 vota në kët njësi.

Lëvizje të papritura kanë ndodhur ende pa përfunduar numërimi i votave, nga kryetari i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi i cili është tërhequr nga kandidimi për deputet, duke i hapur rrugën një koalicioni të mundshëm me Partinë Socialiste. Këtë fakt e ka konfirmuar ai vetë rreth mesditës, gjatë një interviste me gazetarët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img