Autore: Elisa Balliu; Gjimnazi “Fiqiri Dine”
Banorët e fshatit Çernenë në Dibër po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Edhe pse kanë kërkuar vazhdimisht një zgjidhje, uji i pijshëm është i ndotur, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e tyre. Ata janë të detyruar të paguajnë për të blerë ujë, ndërsa kushtet e vështira ekonomike e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë. Komuniteti ngre sërish zërin për ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të siguruar furnizimin me ujë të pijshëm.
Banorët e fshatit Çernenë në Dibër ngrenë shqetësimin në lidhje me mungesën e ujit të pijshëm. Sipas banorëve, edhe pse shumë herë u është premtuar nga zyrtarët publikë se do të kenë ujë të pijshëm, deri më tani nuk është marrë asnjë veprim konkret për këtë çështje.
“Uji nuk pihet fare. Na kanë premtuar që do u sjellim ujë, por nuk na kanë sjellë. Ne kemi ujë pusi, por uji i pusit është i dëmshëm, nuk pihet. Na dëmtojnë nga veshkat e të gjitha, jemi të gjithë sëmurë. Vetë e sëmurë, burrin e sëmurë, të ardhura nuk kemi, ujin shkojmë e blejmë me para”, thotë Lavdia, banore e fshatit Çernenë.
60-vjeçarja thotë se për të larë përdorin ujin e pusit, por nuk mund ta përdorin për të pirë. Lavdia thotë se janë të detyruar që të paguajnë për blerjen e ujit të pijshëm.
“Taksat i paguajmë të gjitha dhe ujin e pusit e kemi me korrent, harxhim është dhe ai, paguajmë dritat. Të gjitha i bëjmë dhe kur vjen puna prapë ujë nuk kemi”, thotë e shqetësuar e moshuara.
Ajo tregon se uji ka shije të keqe dhe mban erë. “Na thonë uji është i mirë për të pirë, ai është krejt pis. Si t’ia japim fëmijëve tonë, atyre të vegjëlve këtë ujë për të pirë? U shkatërruam ne dhe po na shkatërrohen dhe nipërit e mbesat. Ndotja mund të jetë për shkak të ujërave të zeza ose mbeturinave që hidhen aty”, shprehet Lavdia.
Ajo kërkon një zgjidhje nga institucionet shtetërore, pasi kjo është një problematikë që shqetëson një komunitet të tërë në këtë fshat.
“Si t’ia bëjmë ne me këtë ujë? Na kanë premtuar, do u sjellim sot, vijnë marrin votat dhe ikin. Po ne si t’ia bëjmë? Të kryhen analizat për ujin. Të sigurohet furnizimi me ujë të pastër”, thekson ajo.
*Artikulli është realizuar nga nxënës të gjimnazit “Fiqiri Dine” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri.
Mentore: Ilda Hoxha