Në periudhë fushate, Kryetari i Bashkisë, Elbasan, Gledjan Llatja, ka risjellë në rrjetet sociale premtimet për rikonstruksionin e tre shkollave, duke publikuar projekte 3D pa dhënë detaje për financimin, afatet apo fazat e punimeve. Një prej tyre është shkolla “Naim Frashëri”. Rikonstruksioni i shkollës ishte premtuar nga ai edhe në zgjedhjet lokale 2023, por fondet e miratuara u rialokuan dhe investimi nuk nisi, duke lënë 730 nxënës në një godinë të amortizuar me mësim në dy turne.
Premtim i ricikluar
Llatja, në një tjetër periudhë zgjedhore (2025), risjell premtimin.
“Shkolla Naim Frashëri do të jetë një nga kantierët e hapur, pjesë e investimeve për transformimin e infrastrukturës arsimore duke iu nënshtruar një rikonstruksioni total”, shkruan ai në Facebook.

Postimi shoqërohet me projektin 3D pa detaje konkrete se nga do të vijnë fondet, afatet kur fillon dhe mbarojnë punimet.
Shkollat
Premtime të ngjashme janë përsëritur për dy shkolla të tjera, shoqëruar me mungesë transparence duke ngritur për pasojë dyshime se komunikime të tilla shërbejnë për qëllime elektorale.
“Një tjetër ëndërr po bëhet realitet në zemër të Elbasanit”, e nis kryetari i Bashkisë Gledjan Llatja postimin e tij për shkollën “Dhaskal Todri”.

Për “transformim të shumëpritur”, Llatja flet edhe për shkollën “Shushica” por nuk jep afate kohore për nisjen e punimeve, burimet financiare apo detaje mbi përfitimet reale.

Projektet 3D
Projektet për tre shkollat paraqiten si sukses i garantuar pa ofruar të dhëna konkrete mbi të cilat mund të kërkohet llogaridhënie në vijim.
Në një postim më të hershëm 17 prill 2025, kryetari i bashkisë Elbasan publikoi premtimin për ndërtimin e plot 12 shkollave brenda 4 vjetëve.
Rezultatet paraprake tregojnë se PS-ja ka fituar 10 mandate në Elbasan ndërsa PD-ASHM 4 mandate.