SIRMA MOLLA & INA KILA
Portali i studentit në Universitetin e Tiranës, më i madhi në vend, që frekuentohet nga mijëra të rinj, nuk është funksional që prej korrikut të vitit 2017, duke shkaktuar vonesa e zvarritje në disa procese.
Ky portal, www.unitir.edu.al, ofronte shërbime si: rregjistrimi në provime, marrja e notave ‘online’ apo rishikimi i një lënde.
“Faktoje” mësoi se shumë studentë nuk e kanë shfrytëzuar asnjëherë këtë shërbim, ndërsa të tjerë as që janë në dijeni të ekzistencës së tij.
Si fuksiononte portali dhe pse u ndërpre ky shërbim?
Studenti pajisej nga sekretaria e fakultetit me një kod përdoruesi me anë të të cilit mund të përdorte portalin në adresën e Web-it: www.unitir.edu.al
Fillimisht krijohej një llogari me të dhënat personale dhe profilin ku studion dhe nga ky moment mund të merrje të gjitha shërbimet e ofruara nga portali, krejtësisht falas. Arsyeja e mosfunksionimit, janë vonesat në tendera për mirëmbajtjen e sistemit, siç shpjegohet në përgjigjen zyrtare të ‘UT’ pas interesimit të “Faktoje”.
Situata Sot?
Për studentëtet e regjistruar dhe të pajisur me kodin e përdoruesit, sistemi është i paaksesueshëm. Ndërsa për ata që janë regjistruar në universitet pas korrikut të 2017-s ky portal nuk është vënë kurrë në dispozicion.
Të gjitha shërbimet që më parë kryheshin ‘online’, sot bëhen nëpërmjet sekretarisë së universitetit. Në provime regjistrohen automatikishit të gjithë studentët, ndërkohë që për të marrë notën e provimit caktohet një datë nga pedagogët ose duhet t’i drejtohesh sekretarisë.
Listë notash e lëshuar me dorë nga Sekretaria Mësimore
“Faktoje” pyeti dy studente që hasin vështirësi nga mungesa e portalit.
J.M- Studente në vitin e dyte master, Fakulteti i Ekonomisë .
“E kam përdorur portalin universitar për tre vite gjatë studimeve bachelor dhe të gjitha veprimet i bëja aty. Tani në master, duhet të shkoj e të ineresohem vazhdimisht në sekretari, ku ka shumë radhë. Por tani që jam edhe në punë s’më del koha, sepse s’mund të vij dot gjithmonë paradite kur sekretaret ndodhen në zyrë”.
S.B- Studente në vitin e tretë, Fakulteti i HIstori-Filologjisë.
“E kam përdorur portalin vetëm në vitin e parë, më vonë nuk ka funksionuar. Tani, pa portalin duhet të shkoj në sekretari 100 herë për një note; njëhërë nuk është sekretarja, njëherëe thotë që të shkoj pas dy orësh se ka punë. Si do të bëhet kjo punë nuk di gjë!”.
Sa i ka kushtuar ‘UT’ mirëmbajtja e portalit studentor?
Për krijimin e sistemit të informatizimit në Universitetin e Tiranës, në datë 17.02.2011 është nënshkruar një kontratë me operatorin ekonomik “BNT Electronics” shpk,.
Ndërsa për kontratën për “Mirëmbajtjen e Sistemit të Informatizimit të UT”, kohëzgjatja ka qënë nga data 14.07.2015 deri në datën 14.07.2017.
Në qershor të vitit 2015, Universiteti i Tiranës ka kontraktuar “BNT Electronics” & “INTECH+” shpk për mbirëmbajtjen e sistemit të informatizimit të UT-së, një shërbim që kushtoi 49 milion e 680 mijë lekë (me tvsh). Në programin e transparencës së Universitetit të Tiranës nuk ka të dhëna të tjera pas viti 2015.
Rektorati i Universitetit të Tiranës, në përgjigjen për “Faktoje” e justifikon me procedurat burokratike mungesën e mirëmbajtjes së Portalit të Studentit, por nxjerr edhe një tjetër “kleçkë” që tregon se sistemi është në një ngërç që mund të zgjasë në kohë, në dëm të studentëve.
“Në parashikimin e Buxhetit të vitit 2019 është planifikuar një shumë për mirëmbajtjen e sistemit, por Buxheti ende nuk është miratuar nga organet kolegjiale të UT, Rektorati, Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit. Procedurat për mirëmbajtjen tenderohen vetëm pasi të jetë miratuar Buxheti i UT-së për vitin 2019 dhe vetëm nëse sistemi do jetë funksional.”–thuhet në përgjigjen zyrtare të rektoratit.
Edhe nëse buxheti miratohet nga ‘UT’, ai nuk mund të përdoret ndërkohë që sistemi është jashtë funksionit.
Universitetet e tjera publike në Shqipëri kanë shërbim ‘online’!
Universitetet e tjera publike në Shqipëri si : Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Vlorës etj. kanë një sistem online nga ku mund të marrin shërbimet që deri para dy vitesh i ofronte edhe ai i Tiranës, më i madhi në Shqipëri dhe që përfshin gjashtë fakultete, Ekonominë, Fakultetin e Drejtësisë, atë të Shkencave të Natyrës, Gjuhët e huaja, Shkencave Sociale dhe Fakultetin e Histori-Filologjisë . Mungesa e portalit studentor ka shtuar rradhët në sekretari, gjatë gjithë vitit, por me nisjen e sezonit të provimeve situata bëhet më kaotike.